Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nga mosderdhja e parave dhe fshirja e debive – te pesëshja e ERE-s që po kërkon punë

Në ‘DITA’ kanë mbërritur denoncime të shumta nga lexues kryefamiljarë ose biznese, të cilave u kanë shkuar këto ditë patrulla të CEZ-it me pretekstin “po mbledhim debite të vjetra të prapambetura”. Bëhet fjalë për klientë në zona që dihet që janë paguese të rregullta te energjisë elektrike. Punonjësit e Dollapit shkojnë me lista e letra bakalli, trokasin në dyert e konsumatorëve, u thonë që keni “X lekë borxh”, paguajeni tani ose do t’u presim energjinë – sipas denoncimeve.

Kjo mënyrë e mbledhjes së parave është e patolerueshme pasi është në kundërshtim me parashikimet e kontratës së furnizimit, pa përmendur këtu se çfarë përmban ajo debi që mblidhet. Por ‘DITA’ ka gjithashtu info befasuese që shumë nga këto “debi” nuk po derdhen në arkën e kompanisë, por po përvetësohen duke përfituar nga kaosi i tranzitimit të qeverisjes pas zgjedhjeve të 23 qershorit.

Mos-arketim do te thote qe paratë nuk po derdhen në bankë, edhe pse në librezën e klientit vendoset vula e shoqërisë që dëshmon se është paguar. Mosderdhja e parave shoqërohet me mosreflektim të pagesës në sistemin e faturimit që do të thotë se ky klient do rezultojë më vonë debitor.

Për tre vjet me radhë administrimi i mëparshëm i kompanisë u ballafaqua me ankesa të klientëve pikërisht për arsye se në librezën e tyre vula e OSSH dëshmonte se ishte bërë pagesa, ndërsa në sistem nuk ishte reflektuar kjo pagesë, pra paratë e klientëve ishin përvetësuar në mënyrë të paligjshme. CEZ Shpërndarje bëri disa kallëzime penale për ish-arketarë të Dollapit para vitit 2009, kallëzime që nuk janë trajtuar nga prokuroria, ose kanë stopuar. E njëjta histori po përsëritet përsëri nga Dollapi, dhe këtë herë ai ka marrë me sa duket dhe bekimin e pesë anëtarëve të ERE-s.

Fshirja e debive

Vec kesaj, Drejtoria e Shitjes dhe Drejtoria e IT përfliten këto ditë në kompani se po bëjnë fshirje të debisë në mënyrë fiktive nga sistemi kundrejt ryshfeteve. A është kjo arsyeja përse Dollapi dhe IT ndryshuan sistemin pas emërimit të Dollapit? (pa ardhjes e Dollapit, në sistemin e debive dhe pagesave ka akses vetëm ky i fundit).

Të gjitha këto që po ndodhin në CEZ janë fatura shtesë në dëm të shtetit shqiptar, që pritet të prezantohen në arbitrazh nga pala çeke. Mos harrojmë se “back up’ i sistemit të faturimit në momentin që ERE emëroi Dollapin si Administrator është ruajtuar nga pala çeke, ndaj dhe këto allishverishte do të evidentohen me shumë lehtësi nga një auditues i pavarur. Dhe nuk mbaron historia vetëm me arbitrazhin, pasi për këtë katrahurë do të përgjigjen Dollapi dhe Bordi që bekoi Dollapin – pesëshja e anëtareve të Bordit të ERE-s. Këta duhet ta monitorojnë dhe stopojnë situatën. Por në fakt çfarë janë duke bërë?

ERE kërkon punë…

Komisioneret e ERE-s po kërkojnë punë, sepse parandjejnë ikjen për shkak të abuzimeve të rënda dhe përdorimit politik në fushatën e 23 qershorit. Dhe po kërkojnë punë kryesisht tek Ashta Energy dhe tek TAP. Sipas ligjit komisioneret e ERE-s pas largimit nuk kanë të drejtë të punojne tek kompani që kanë licensuar po ata vetë (gjatë ushtrimit të funksionit të tyre për një vit). Kurse këta po përpiqen të strehohen tek këta investitorë, duke i futur dhe këta të fundit në telashe me ligjin.

Sarandë, manovrat me shtimin e ditëve të përfshira në faturim

Në Sarandë, fatura tatimore që u ka vajtur konsumatorëve familjarë dhe atyre privatë është llogaritur jo për 30 ditë që ka muaji, por për… 38 ditë. Një banor i lagjes 3 të këtij qyteti, i revoltuar, para zyrës së mbrojtjes së klientit, na tregon faturën dhe kërkon që të denoncojë në ‘DITA’, sipas tij, vjedhjen që i është bërë me këtë mënyrë faturimi. Fatura me numër 13 89619 45 që dispononte qytetari, shënonte si periudhë faturimi periudhën mes 03.04.2013 dhe 10.05.2013. Gjithsej 38 ditë. Është fatura e muajit maj, e cila shlyhet në muajin qershor. Në muajin prill, thotë qytetari, kam shpenzuar për 29 ditë (periudhë e faturimit) rreth 390 kv ore. Tani më duhet të paguaj jo për 29 apo 30 ditë konsum, por për 38 ditë. Sipas përllogaritjeve të shpejta, në 10 ditët e shtuara qytetari duhet të paguajë edhe për 120 kv, e gjitha në fashën me çmimin 13.5 lekë kv/h, domethenë rreth l6.100 lekë të vjetra bashkë me TVSH-në. Pse të paguaj për majin kaq para më shumë, – thote ai dhe ironizon duke shtuar se për këtë qeveri, ky vit do të jetë edhe 10 ditë më i gjatë… Për të verifikuar ankesën e qytetarit, kontaktuam faturistin, i cili e pranoi faktin dhe tha se nuk është përgjegjësia e tij. Kemi patur urdhër nga lart, – tha ai – që faturimi i muajit maj të shtyhej nga fillimi i muajit në datën 10. Dje, shton ai, na vjen një tjetër urdhër që për muajin qershor të shtyhet për datën 13. Pyetjes se ku duhet ta gjejnë të drejtën qytetarët, faturisti iu përgjigj me një buzeqeshje dhe ngritje supesh, duke zvarritur zërin me shprehjen “asgjëkundi”.

Vetëm në Sarandë (bashki) llogaritet që në qershor (nëse pagesa e faturës do të jetë në masën l00 për qind), në dollapin e Saitit të futen vetëm nga konsumatorët familjarë, 78 milionë lekë të vjetra me shumë. Po në gjithë Shqipërinë? Llogarinë e ka bërë vetë Sahiti. Kjo në mos është vjedhje, është grabitje. Është abuzim dhe padrejtësi që kërkon ndëshkim.

Gazeta Dita, 07.07.2013