Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Levizja Mjaft anketon per probleme mjedisore dhe te energjise

Lëvizja Mjaft në periudhën mars-qershor ka realizuar një anketim në internet me pjesëmarrjen e 786 qyetetarëve (mund ta gjeni këtu). Anketimi përfshinte pyetje nga fusha e ekonomisë, shëndetit, arsimit, të drejtave kushtetuese etj. Mjedisi nuk figuronte si temë më vete në anketim, megjithëse pati pyetje të lidhura me mjedisin.

Shqipëria ka probleme mjedisore madhore si përmbytjet e përsëritura në Shkodër, Lezhë; erozioni i lartë dhe betonizimi i tokës bujqësore nga e cila kemi shumë pak për frymë; djegja e pyjeve që sjell shkretëtirizim të klimës; decimimi i stokut të peshqve; smogu i automjeteve që po sjell me mijëra raste sëmundjesh respiratore, neoplazish në popullatë etj. Qytetarët nëpërmjet çmimit të ngritur të ushqimeve dhe sëmundjeve të parakohshme të vetat ose të të afërmve të tyre i ndjejnë përdita pasojat e krizës mjedisore dhe janë të shqetësuar për problemet mjedisore. Prandaj mendojmë se mjedisi duhet të kishte hapësirë më vete.

Gjithashtu sondazhi shumë pak preku temën e energjisë. Energjia sot është kthyer në një temë shumë të nxehtë në Europë dhe në Shqipëri, sepse pa të nuk ka ekonomi. Me pakësimin e burimeve të zakonshme energjitike si hidrokarburet dhe me ndryshimet klimatike Europa po kërkon të nisë rrugëtimin e gjatë të një revolucioni energjitik drejt burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Ky do të jetë revolucioni i katërt pas atij të zbulimit të zjarrit, të veglave të punës dhe të burimeve fosile.

Konsumatorët shqiptarë përballen përditë me çmimet e larta të elektricitetit dhe të karburanteve, prandaj energjia dhe nevoja për ndryshim. për ta, është një temë shumë e prekshme.

Disa nga pyetjet e anketimit të lidhura me mjedisin dhe energjinë ishin:

Çështje: Shqipëria duhet të lejojë importin e mbetjeve

anketim_importi i mbetjeve

Çështje: Përfitimi ekonomik nga fabrikat e çimentos dhe termocentralet është më i rëndësishëm se sa dëmi mjedisor që ato shkaktojnë.

anketim_fabrikat e cimentos

Siç duket nga përgjigjet shumica e të anketuarve janë kundër importit të mbetjeve si dhe kundër ngritjes pa kriter të termocentraleve dhe fabrikave të çimentos.

Çështje: Është më mirë që Shqipëria të marrë më shumë borxhe për të paguar importin e dritave se sa të rrisë çmimin e dritave.

anketim_importi i dritave

Nga pyetja e të anketuarve kuptohet se shumica e tyre janë të shqetësuar për marrjen e borxheve për furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve. Pyetja sugjestionon se importi i elektricitetit mund të pakësohet vetëm duke rritur çmimin e dritave, por do të mjaftonte ndërprerja e sportit masiv të vjedhjes së energjisë, që të kishim nevojë për shumë më pak ose aspak import. Sipas bilancit elektrik të vitit 2011, 37% e energjisë elektrike të shpërndarë humbet në rrjet, pra nuk faturohet fare; kurse vetëm 59% e energjisë së faturuar paguhet brenda afatit. Siç pranon dhe vetë ERE, këto janë nivele të papranueshme. Përvetësuesit e energjisë konsumojnë pa hesap, dhe nëse këta do të detyroheshin të paguanin, konsumatorët e ndershëm të energjisë do të kishin më pak fatura afrofe, dhe konsumi total i energjisë elektrike do të pakësohej. Pra çështja mund të shtrohej ndryshe “Është më mirë që Shqipëria të detyrojë përvetësuesit e energjisë elektrike të paguajnë se sa të rrisë çmimin e dritave”.

Një vërejtje për formatin e anketimit: Në vend të pyetjeve të anketuarve u jepen pohime me të cilat mund ose jo të jenë dakort. Ky lloj anketimi është sugjestionues dhe ndikon në përgjigjet e të anketuarve. Psh. nëse çështja “Shqipëria duhet të lejojë importin e mbetjeve” do të ishte shtruar si “Shqipëria nuk duhet të lejojë importin e mbetjeve”, apo “Përfitimi ekonomik nga fabrikat e çimentos dhe termocentralet është më i rëndësishëm se sa dëmi mjedisor që ato shkaktojnë “ do të ishte shtruar si “Dëmi mjedisor nga fabrikat e çimentos dhe termocentralet është më i rëndësishëm se përfitimi ekonomik që ato sjellin”, do të kishte më shumë përgjigje pro mjedisit.

Rita Strakosha – EKO Levizja, 18.06.2013