Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ në 3 muaj shlyen 3 mld lekë ndaj KESH

Kompania e furnizimit me energji elektrike, “CEZ Shpërndarje” gjatë muajve Mars, Prill dhe Maj të këtij viti ka shlyer një shumë prej diçka më tepër se 3 miliardë lekë detyrime të prapambetura ndaj Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Burime zyrtare nga KESH bëjnë të ditur për RTV SCAN se, nga totali i borxhit prej 37 miliardë lekë, që i është akumuluar “CEZ” kryesisht për mospagim faturash për energjinë e importuar, kjo e fundit ka nisur shlyerjen e detyrimeve.

Muaji Mars ka qenë më pozitivi, ku kompania ka derdhur një shumë prej rreth 1.5 miliard lekë në arkat e KESH, ndërsa në muajt në vijim ka derdhur përkatësisht 900 milionë dhe 631 milionë lekë. Nisur nga situata e mirë financiare që po përjeton Korporata, duke marrë parasysh se që nga fillimi i këtij viti edhe eksportet e energjisë kanë qenë në vlera maksimale, brenda këtij muaji KESH do të shlyejë 50% të detyrimeve për vitin 2012 ndaj hidrocentraleve private të vogla dhe të mesme që operojnë në vendin tonë.

Vlera totale e këtyre detyrimeve arrin në 2 miliardë lekë dhe operatorët privatë të gjenerimit të energjisë pritet të përfitojnë rreth 1 miliard lekë për energjinë e prodhuar. Padyshim që, shlyerja e borxhit të “CEZ” ndikon pozitivisht në të ardhurat e KESH, megjithatë, kompania e shpërndarjes ka bërë të ditur se, performanca pozitive vjen për shkak të rritjes së arkëtimeve dhe jo të zgjerimit të hartës së shpërndarjes dhe grumbullimit të faturave elektrike.

TV Scan, 13.06.2013