Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Eksporti i energjisë i kthen “frymën” ekonomisë

Energjia elektrike, nga një rrezik i brendshëm madhor për ekonominë e vendit, pritet që këtë vit të shndërrohet në “shpëtimtar”. Madje eksportet rreth 30 milionë euro të siguruara deri më tani po baraspeshojnë “zullumet” që po i vijnë buxhetit të shtetit nga fushata elektorale. Një çezmë që nuk rrjedh, por pikon, pritet të shndërrohet në një serum për ekonominë shqiptare momentalisht e paorientuar.

Efektet

Superprodhimi i energjisë elektrike në këtë periudhë përveçse garanton furnizimin normal të qytetarëve, i ka sjellë përfitime ekonomisë në drejtime të ndryshme. Prej të dhënave nga KESH mësohet se, duke përfshirë edhe qershorin, nga energjia e eksportuar janë arkëtuar rreth 30 milionë euro. Ndërkohë që rezerva hidrike në HEC-e është përtej kuotave maksimale. Vetëm niveli i Fierzës është 297 metra, kur niveli maksimal i lejuar është 296 metra. Kjo do të thotë se eksporti do të vijojë edhe në muajt e verës. Por përveç përmirësimit të financave të Korporatës Elektroenergjetike, eksporti ka përmirësuar ndjeshëm edhe tregues të tjerë të rëndësishëm, si deficiti tregtar, forcimi i monedhës vendase dhe përmirësimi i treguesve buxhetorë. Nga një llogari e thjeshtë, në qoftë se KESH do të vazhdojë të eksportojë në të njëjtat sasi dhe me çmim të njëjtë, të ardhurat në arkë do të llogaritën rreth 10 milionë euro në muaj. Kjo sasi valute nuk del nga Shqipëria për blerjen e energjisë, por përkundrazi hyn në ekonominë vendase. Kështu, prodhimi i energjisë elektrike kthen balancat në tregtinë e jashtme të Shqipërisë. Sipas të dhënave të INSTAT-it, në muajin maj mësohet se eksportet kanë pësuar një rritje me 20 për qind në krahasim me majin e vitit që shkoi, ndërsa importet kanë shënuar një ulje 3.3 për qind krahasuar me një vit më parë. Ekspertët i kanë shpjeguar ulje-ngritjet e shifrave të importeve dhe eksporteve jo si rezultat i krizës që po kalon eurozona dhe ekonomia e brendshme, por i faktit që prodhimi i energjisë në vend është stabilizuar.

Potenciali

Në nëntor dhe dhjetor të vitit që shkoi, kur HEC-et u boshatisën nga thatësira e gjatë e verës, qeverisë iu desh të shpenzonte 500 mijë euro në ditë për të blerë jashtë vendit energjinë e nevojshme për konsum. Duke qenë se kjo procedurë zgjati të paktën për dy muaj, buxheti i shtetit u godit rëndë, saqë qeveria u detyrua të zgjerojë kufirin e borxhit vetëm për blerjen e energjisë. Kjo situatë përfshiu në një zinxhir borxhesh të gjithë tregun energjetik deri te bankat. Situata e rëndë energjetike u konsiderua nga ministri Bode si rreziku më i madh që iu kanos ekonomisë së vendit më 2012. Më reshjet e pranverës ky siklet kaloi të paktën për 6 muaj. Energjia për konsum jo vetëm që është siguruar në vend, por prej tre muajsh edhe eksportohet. Kjo situatë, sipas Bankës së Shqipërisë, do të ndihmojë në përmirësimin e bilancit tregtar, në rritjen e eksporteve dhe në forcimin e monedhës vendase, lekut. Përtej këtyre efekteve, çdo qeveri që do të vijë në pushtet pas zgjedhjeve të 23 qershorit, do të konsiderojë energjinë si një nga dy potencialet kryesore për zhvillimin dhe rritjen e ekonomisë në të ardhmen. Edhe Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë në programin e tyre energjinë si një prioritet për zhvillim. Njëra nëpërmjet koncesioneve dhe tjetra nëpërmjet politikës së taksimit e kanë vlerësuar energjinë si një resurs ende të pazhvilluar. Gjithashtu, qeveria e pas 23 qershorit do të jetë e relaksuar për furnizimin e vendit me energji, pasi rezerva energjetike në HEC-e nuk ka qenë kurrë në nivele kaq të larta.

Gazeta Mapo, 10.06.2013