Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Taksa e karbonit si nje mjet per dekarbonizimin e ekonomise

Shqipëria ka vite që aplikon taksën e karbonit. Kjo taksë, sipas relacioneve ndaj ligjit të taksave kombëtare, paguhet për efekt të ndotjes së ambjentit. Aktualisht taksa e karbonit është 1.5 lek/litër mbi benzinën; 3 lek/liter mbi gazoilin, qymyrin, solarin, mazutin dhe vajgurin.

Për vitin 2012 planet e qeverisë kanë qenë për mbledhjen e 775 milion lekëve, ose 5.5 milion eurove. Sipas kryeministrit një pjesë e të ardhurave nga kjo taksë do të përdoret për pyllëzimin me arrorë dhe ullinj.

Në praktikën e disa vendeve të ardhurat nga taksa e karbonit kalohen në fonde për nxitjen e energjisë së rinovueshme ose kursimit të energjisë.

Legjislacioni shqiptar parashikon krijimin e disa fondeve për energjitë e rinovueshme dhe/ose efiçencën e energjisë. Të ardhurat e mbledhura nga taksa e karbonit i kanë këto fonde destinacionin e tyre më se të natyrshëm.

Kështu, ligji nr. 9379, datë 28.04.2005, kërkon krijimin e një fondi për efiçencën e energjisë, i cili do të përdorej për financimin e programeve të efiçencës dhe ruajtjes së energjisë. Një fond i tillë nuk është krijuar ende.

Plani Kombëtar i Veprimit për Efiçencën e Energjisë, aprovuar me VKM nr. 619, datë 7.9.2011, kërkon 6,687,000 euro për realizimin e tij. Shumë masa të parashikuara nga PKVEE-ja, si çertifikimi energjitik i ndërtesave, i automjeteve, i furrave industriale etj.; përmirësimi i transportit hekurudhor dhe atij të biçikletave nuk kanë filluar ende për mungesë fondesh.

Ligji nr. 138/2013 “Për energjitë e rinovueshme” parashikon një fond për energjitë e rinovueshme, i cili do të monitorohet nga AKBN dhe do të ndihmojë realizimin e Planit Kombëtar të Energjive të Rinovueshme. Detyrimi ligjor për lidhjen e kontratave afatgjata, me çmim promovues për energjitë e rinovueshme, do të sjellë kosto të konsiderueshme për konsumatorët e energjisë, kosto të cilat mund të subvencionohen pjesërisht nga shteti duke përdorur të ardhurat nga taksa e karbonit.

Qëllimi afatgjatë i taksës së karbonit është pakësimi i konsumit të burimeve të karbonit. Ky objektiv mund të arrihet më shpejt nëse një pjesë e të ardhurave nga taksa kalohen për nxitjen e kursimit të energjisë dhe përdorimit të energjive të rinovueshme.

Aktualisht taksa e karbonit kalon në buxhetin e shtetit ose buxhetin vendor dhe përzihet me të ardhurat e tjera.

Disa ekonomistë të dëgjuar mjedisorë, si Herman Daly, propozojnë madje që taksa e karbonit dhe/ose renta minerare të zëvendësojnë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, kontributet shoqërore dhe shëndetësore, duke reformuar radikalisht sistemin tatimor.

Rita Strakosha – EKO Levizja, 03.06.2013