Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rumania – Gaz nga Deti i Zi

Rumania po planifikon të hartojë një ligj për rregullimin e eksplorimit, nxjerrjen dhe transportin e gazit në Detin e Zi, sipas zyrtarëve.
“Ne duhet të përgatitemi për të marrë sasi të rëndësishme të gazit nga puset në det të hapur, të cilët duhet të jenë hapur në Detin e Zi në vitet e ardhshme”, tha ministri i Energjisë, Konstantin Nita. “Një ligj i ri është i nevojshëm sikundër është një tubacion i ri dhe një terminal i gazit”, shtoi ai.
Nita tha se tubacioni mund të ndërtohet nga një sipërmarrje e përbashkët, me shumë gjasa e formuar nga OMV e Austrisë, “Exxon” e SHBA-së dhe kompania rumune e gazit “Transgaz”, por nuk është marrë asnjë vendim i qartë për këtë.
Lidhur me këtë, kryeministri Viktor Ponta tha javën e kaluar se Rumania mund të bëhet e pavarur energjetikisht në rreth shtatë vjet, si pasojë e shfrytëzimit të mëtejshëm të burimeve të naftës dhe gazit në rajonin e Detit të Zi.
“Qeveria do të japë mbështetje të plotë për çdo investim të bërë në Detin e Zi, duke shpresuar se eksplorimi i burimeve natyrore do të mbulojë plotësisht nevojat e industrisë dhe popullit rumun”, tha Ponta.
Kompania rumune “Petrom”, shumica në pronësi të OMV, njoftoi kohët e fundit investimin e rreth 300 milionë eurove në puse të reja në Detin e Zi.
“Petrom” dhe “Exxon” planifikojnë të shpojnë një pus të dytë në bllokun e Neptun, të cilin ata janë duke e eksploruar bashkërisht në Detin e Zi, para fundit të këtij viti.
Shfrytëzimi i pusit të parë ka filluar në fund të vitit 2011, dhe rezervat vlerësohet të variojnë nga 42-84 miliardë metra kub gaz natyror.
Rumania ka mjaftueshëm naftë dhe rezerva të gazit për të siguruar konsumin e brendshëm të saj gjatë 15 viteve të ardhshme. Vendi prodhon rreth 13 miliardë metra kub gaz në vit, që përfaqësojnë rreth 60 për qind të nevojave të saj vjetore. Ai e importon pjesën e mbetur ekskluzivisht nga Rusia
Bukureshti po përpiqet të reduktojë varësinë nga energjia ruse, kryesisht duke diversifikuar rrugët e furnizimit me gaz.
Rumania ka qenë një prodhues i madh i naftës në vitet 1930. Prodhimi në vitin 1937 ishte 7.2 milionë tonë, kohë kur Rumania u rendit e shtata në botë.
Rumania prodhon ende pak naftë, në rreth 3.5 milionë tonë në vit, por ky nivel prodhimi nuk mjafton aspak që vendi të jetë i pavarur.

Revista Monitor, 26.05.2013