Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP: Shqipëria bashkëpunon me Kroacinë, Malin e Zi dhe Bosnjen

Nënshkruhet ndërmjet Shqipërisë, Malit të Zi, Bonje Hercegovinës dhe Kroacisë një “Memorandum Mirëkuptimi” për mbështetje dhe bashkëpunim në realizimin e projektit TAP dhe projektit IAP.

Në prani të Kryeministrit Berisha u nënshkrua dje pasdite në Tiranë “Memorandumi i Mirëkuptimit” ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Malit të Zi, Bonje Hercegovinës dhe Republikës së Kroacisë, lidhur me mbështetjen dhe bashkëpunimin e vendeve respektive në realizimin e projektit “Gazsjellësi Trans Adriatik”-TAP dhe të projektit “Gazsjellësi Jonian-Adriatik”-IAP.
Memorandumi u nënshkrua nga ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, zoti Aldo Bumçi, nga Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme e Integrimit Evropian i Malit të Zi, zoti Igor Lukshiç, nga Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Bosnje Hercegovinës, zoti Zlatko Lagumdzija dhe nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kroacisë, zoti Joshko Klisoviç. Palët nënshkruese, duke vepruar brenda kuadrit të detyrimeve të traktateve ekzistuese në fushën e energjisë, përfshirë Kartën e Traktatit të Energjisë dhe Traktatin Themelues të Komunitetit të Energjisë të Evropës Jug-lindore, me firmosjen e këtij dokumenti mundësojnë ndërlidhjen midis Projektit TAP dhe Projektit IAP. Një veprim i tillë mundëson që gazi natyror i prodhuar në Republikën e Azerbajxhanit, rajonin e Kaspikut dhe më gjerë të furnizojë Evropën Juglindore, duke rritur besueshmërinë dhe diversifikimin e burimeve të furnizimit me energji.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, si ambasadori i SHBA-ve z. Aleksandër Arvizu, ambasadori i BE-së në Tiranë z. Ettore Sequi, ambasadori i Turqisë në Tiranë z. Hasan S. Aşan, ambasadori i Italisë në Tiranë z. Massimo Gaiani, ambasadorin e Greqisë në Tiranë z. Nicolas Pazios, ambasadori i Azerbajxhanit për Shqipërinë z. Rahman Mustafayev, Ambasadorin e Konfederatës Zvicerane në Tiranë, z. Alexander Wittwer, ambasadori kroat, ambasadori i Malit të Zi, ambasadori i Shqipërisë në Bosnje Hercegovinë z. Flamur Gashi, si dhe të ftuar të tjerë.

Më poshtë vijojnë deklaratat për shtyp, të bëra pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit:

Kryeministri Berisha: I nderuar zv/kryeministër i Bosnje Hercegovinës,

I nderuar zv/kryeministër i Malit të Zi,

Zoti zv/ministër i Punëve të Jashtme të Kroacisë,

Zoti ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë,

Të nderuar ambasadorë, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i Republikës së Italisë, Republikës së Greqisë, i Komisionit Evropian, i Republikës së Turqisë, Zvicrës, Republikës së Azerbajxhanit,

Të nderuar miq,

Një vendim i madh merret gjatë javëve që vijnë nga konsorciumi Shah Deniz 2, në Azerbajxhan, lidhur me trajektoren e gazsjellësit të gazit të kësaj fushe, i cili përllogaritet në trilionë metër/kub. Prej vitesh konsorciumi i gazsjellësit Trans Adriatik ka bërë një punë të shkëlqyer dhe faktikisht çdo njeri që hedh një vështrim në trajektoren e këtij gazsjellësi gjen pothuajse rrugën natyrale mbitokësore të gazit. Natyrisht, drejtim kryesor i gazsjellësit Trans Adriatik është tregu i madh italian, ai grek dhe tregje të tjera, por rajoni, me dinamizmin e tij, sjell një vlerë të shtuar, një treg të shtuar në hapësirën e furnizimit me gaz të këtij gazsjellësi. Rajoni ynë është një rajon me dinamizëm dhe potencial real në vitet që vijnë. Memorandumi që u firmos sot, në mirëkuptim të plotë me qeverinë italiane dhe qeverinë greke, mendoj se është dëshmi e një urie edhe më të madhe për gaz në rajon, nga sa mund të merret me mend. Besimi dhe shpresa ime është se TAP-i i ka të gjitha shanset për të qenë projekti fitimtar. Ne jemi të inkurajuar nga qëndrimi konstruktiv neutral i Komisionit Evropian, qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë mike të Turqisë. Krahasuar të dy projektet, çdo njeri e gjen TAP-in një projekt qartësisht më fizibël dhe më të avancuar. Nabucco light në fund të ditës është produkt i mossuksesit të Nabucco big dhe në vetvete nuk ka sigurinë që ka projekti Trans Adriatik, i cili është elaboruar me kaq përkushtim dhe kompetencë nga konsorciumi që punon prej vitesh me të. Dua të theksoj edhe një tjetër faktor, fuqinë bashkëpunuese midis vendeve që mbart në vetvete projekti Trans Adriatik. Pak kohë më parë qeveria e Italisë, ajo e Greqisë dhe e Shqipërisë firmosën një marrëveshje të përbashkët, e para e këtij lloji, e cila i angazhon këto vende për të respektuar rregulla të përbashkëta shumë të rëndësishme. Me qeveritë e vendeve mike që jemi këtu, Memorandumi ka në vetvete frymën e kësaj marrëveshje. Unë besoj se vendimmarrësit do ta kenë parasysh edhe këtë faktor.

Duke falënderuar përzemërsisht për praninë Zëvendëskryeministrin e Bosnje Hercegovinës, zotin Lagumdzija, Zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, zotin Lukshiç dhe Zëvendësministrin e Jashtëm të Kroacisë zotin Klisoviç, kam kënaqësinë t’u jap fjalën për të bërë deklaratën e rastit.

***

Zv/kryeministri i Bosnje Hercegovinës, zoti Lagumdzija: I nderuar zoti Kryeministër,

Të nderuar miq e kolegë,

Vërtetë marr fjalën pas zotit Kryeministër, por do të zgjidhja të njëjtat fjalë dhe çdokush që do të merrte fjalën pas tij do të zgjidhte të njëjtat fjalë. Unë dua ta falënderoj Kryeministrin për udhëheqjen, për drejtimin e tij dhe ta falënderoj për ftesën që na ka sjellë sot të gjithëve këtu. Ne jemi këtu, sepse ndajmë të njëjtat bindje, ndajmë bindje në atë që quhet arsyetim apo mirëkuptim i përbashkët dhe nga ky mirëkuptim i përbashkët vijnë edhe zhvillimet ekonomike, teknologjike, rajonale dhe gjeopolitike, sepse në qoftë se do të kishim vetëm ekonominë dhe teknologjinë, atëherë do të firmosnim diçka që do të ndodhte më tutje. Ne jemi këtu sepse besojmë në të ardhmen tonë, besojmë në të ardhmen e vendeve tona, të rajonit tonë, të Bashkimit Evropian dhe kjo është arsyeja pse besojmë në të ardhmen e projektit TAP. Pra kjo është ideja që unë them se ne besojmë edhe se vendimet do të merren në bazë të ekonomisë, të teknologjisë e për rrjedhojë do të kemi diçka që do të zhvillohet. Besojmë tek vetja, besojmë në vendet tona dhe në fund të fundit besojmë tek Zoti.

Doja ta mbyllja me një thënie që ne kemi në Bosnje – na ndihmoftë Zoti, por duhet të ndihmojmë veten! Deri më tani e kemi ndihmuar veten tonë, e për rrjedhojë gjendemi këtu. Kështu që besojmë se me këtë lloj ndihme do të kemi edhe besim për të ardhmen.

Faleminderit, të nderuar miq,

faleminderit Kryeministër Berisha!

***

Zv/kryeministri i Malit të Zi, zoti Lukshiç: Të nderuar zonja dhe zotërinj,

I nderuar zoti Kryeministër,

Të nderuar kolegë,

Është një kënaqësi shumë e madhe të gjendem sot me ju dhe të nënshkruaj në emër të Malit të Zi këtë Memorandum Mirëkuptimi. Ndërtimi i këtij gazsjellësi ka një rëndësi strategjike për vendin tonë. Në fakt lidhja dhe ndërlidhja që do të kemi me sisteme të tjera, qoftë edhe sisteme energjetike, do të na sjellë një sistem të tërë energjetik, cili do të jetë më i qëndrueshëm dhe më i mirë. Ndërtimi i këtij projekti, pasja e këtij projekti do të na çojë, gjithashtu, edhe në përmirësimin e një infrastrukture energjetike. Ajo do të na ndihmojë në zhvillimin e projekteve të tjera dhe natyrisht do të ndihmojë edhe në të ardhmen energjetike të Evropës Juglindore. Pra ky projekt është edhe një projekt në interes të komunitetit evropian, në interes të sigurisë energjetike që ata promovojnë. Pra është një projekt që ndihmon në këtë drejtim. Kjo është një mundësi edhe për vendin tonë, në mënyrë që të zhvillohet në këtë drejtim, të zhvillojë burimet e veta, të zhvillojë edhe projekte të tilla që çojnë në këto zhvillime energjetike. Doja të thosha, gjithashtu, që nënshkrimi i këtij Memorandumi tregon edhe dinamikën e rajonit në përpjekjet e tij për tu integruar në Bashkimin Evropian. Natyrisht, këto janë përpjekje të përbashkëta, të cilat kërkojnë punën e të gjithëve. Mendoj se ajo që bëmë sot, ky Memorandum, tregon se kemi rezultate, tregon se i shton forcën vendeve tona në përpjekjet që ne po bëjmë. Ky Memorandum dhe nënshkrimi i tij përshtatet në mënyrë të përsosur me objektivat që ne kemi për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Faleminderit për vëmendjen tuaj!

***

Zv/ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, zoti Klisoviç: Faleminderit shumë, zoti Kryeministër! Gjithashtu, dua t’ju falënderoj edhe që organizuat këtë takim, si dhe për mikpritjen mjaft të ngrohtë që na bëtë këtu në Tiranë.

I nderuar zoti Kryeministër, të nderuar zotërinj zëvendëskryeministra dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik dua të theksoj se Republika e Kroacisë mbështet plotësisht projektin Trans Adriatik dhe atë midis Jonit edhe Adriatikut. E kemi mbështetur këtë projekt për shumë arsye, të cilat u përmendën edhe nga parafolësit e mi. Megjithatë do të doja të theksoja dy prej tyre, të cilat janë posaçërisht të rëndësishme për vendin tim, Kroacinë. Mendoj se nëpërmjet këtyre dy projekteve, TAP-it dhe IAP-it, do të rrisim sigurinë dhe efikasitetin energjetik të vendeve tona, vende të cilat përshkohen nga këta dy projekte. Ideja është që ne do të kontribuojmë jo vetëm në sigurinë energjetike të vendeve të Evropës Juglindore, por gjithashtu, do të kontribuojmë edhe në atë të Bashkimit Evropian, sepse trajektorja e këtij projekti është nga Azerbajxhani, në Itali, Kroaci e më tej. Përveç kësaj, TAP-i dhe IAP-i janë projekte që na çojnë në sigurinë energjetike dhe ekonomike. Duhet të dimë që energjia është një çmim i përfshirë në çdo produkt. Dhe në qoftë se duhet të kemi një ekonomi konkurruese, në qoftë se duhet të kemi vende konkurruese, duhet të sigurohemi që të kemi edhe çmime konkurruese energjie, të cilat ulin çmimet e produkteve. Kjo do të ndikojë jo vetëm te konkurrenca jonë në tregjet globale, por edhe te konkurrenca e Bashkimit Evropian. Vetë këto projekte janë në përputhje me politikat energjetike të Bashkimit Evropian dhe ato të korridorit të 7-të. Pra është diçka që u shton një vlerë këtyre politikave. Mendoj dhe jam i bindur se këto projekte do të ndikojnë në një zhvillim të mëtejshëm të vendeve tona dhe të të gjithë vendeve të Bashkimit Evropian, sepse aplikimi i tyre do të thotë hapje e më shumë vendeve pune. Unë jam i bindur se këto projekte do të ndikojnë, gjithashtu, edhe në fuqizimin e bashkëpunimit tonë rajonal, sepse nuk e shohim vetëm si një projekt rajonal, por si një projekt mbarëevropian. Mendoj se argumentet e tregtisë apo ato ekonomike në bazë të kryere projekteve janë mjaft bindëse, janë mjaft të forta dhe mendoj se do të bindin edhe konsorciumin Shah Deniz 2 për të marrë vendimin midis zgjedhjes së një projekti apo tjetrit.

Ne do të vazhdojmë ti mbështesim deri në fund këto projekte. Shpresojmë që në fund konsorciumi të vendosë në favor të TAP-it dhe IAP-it.

***

Në përfundim të ceremonisë, Kryeministri Berisha u shpreh: Më lejoni edhe një herë t’ju falënderoj përzemërsisht zoti Lagumdzija, zoti Lukshiç dhe zoti Klisoviç për këtë vizitë të rëndësishme dhe këtë dokument shumë të rëndësishëm që firmosëm sot, i cili bën edhe më evident rëndësinë e TAP-it për rajonin tonë. Ne urojmë dhe shpresojmë që vendimmarrësit, në javët dhe muajt që vijnë, të vendosin mbi bazën e kritereve të fizibilitetit më të madh. Por ka edhe një moment fondamental në këtë mes, atë të vendosjes së një ekuilibri në shpërndarjen e burimeve të gazit në kontinentin tonë. Shpërndarja e ekuilibruar e energjisë dhe burimeve të saj është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ato i shërbejnë një zhvillimi më të harmonishëm dhe në një farë mënyrë japin një kontribut për të kapërcyer disa dallime të pamohueshme veri-jug që ekzistojnë në kontinentin tonë. Ne besojmë se TAP-i i ka të gjitha shanset për t’u preferuar në këtë garë jashtëzakonisht të rëndësishme për furnizimin me energji jo vetëm të vendeve tona, por në tërësi të jugut të Evropës.

energjia.al, 24.05.2013