Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Beqaj: BERZH partner i rëndësishëm i Kosovës

Republika e Kosovës e konsideron partner të rëndësishëm Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe i është mirënjohëse për ndihmën që ky institucion i ka dhënë sektorit privat gjatë dekadës së kaluar, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj në takimin vjetor të BERZH që po mbahet në Stamboll të Turqisë.
Ministri Beqaj në kuadër të delegacionit që udhëhiqet nga Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi për herë të parë e përfaqëson Kosovën në takimin vjetor të BERZH-it, në cilësinë e Guvernatorit të Kosovës në BERZH, pas emërimit nga ana e kryeministrit.
Kreu i MZHE-së, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës u ka shprehur mirënjohjen më të thellë Guvernatorëve të BERZH-it për përkrahjen që i kanë ofruar Kosovës gjatë procesit të anëtarësimit.
“Më lejoni të theksoj që Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të bashkëpunoj ngushtë me BERZH me qëllim të arritjes së rezultateve konkrete në ekonomi, duke qenë i bindur se BERZH do të përkrahë gatishmërinë dhe përkushtimin tonë për të realizuar reforma ekonomike. Në këtë kuptim, më lejoni të falënderoj Bordin për miratimin e strategjisë së parë të BERZH për Kosovën, përmes së cilës mund të tërhiqen 150 mln Euro për këtë vit”, ka thënë Beqaj.
Strategjia përfshin katër fusha themelore të cilat do të përkrahen nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim gjatë këtij viti. Në këtë drejtim, do të përkrahet sektori i energjisë, përmes angazhimit në termocentralin “Kosova e Re”, dhe në energji alternative; shërbimet publike të niveleve komunale; infrastruktura lokale në nivelin rural, dhe sektori privat, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë mund të përfitojë nga instrumentet financiare të BERZH.
Ai me tej ka thënë se Kosova është një shtet i ri që është duke e kërkuar rrugën e vet drejt zhvillimit të qëndrueshëm. Dhe në mënyrë që Kosova të arrijë këtë qëllim, duhet të përqendrohet në prioritetet sektoriale, përfshirë investimet e vazhdueshme në projekte madhore, përmes modernizimit dhe zhvillimit të infrastrukturës publike, ristrukturimin e sektorit të telekomunikacionit, modernizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe gjenerimit të energjisë elektrike, si dhe ristrukturimin e ndërmarrjeve tjera publike, me qëllim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve tonë.
“Projektet në infrastrukturë publike dhe energji përbëjnë bazën e të projekteve tona investive për të ardhmen e afërt. Në këtë drejtim, përfshirja e BERZH-it në këtë proces është kyç në aspekt teknik, financiar dhe të bartjes së njohurive praktike (know-how)”, ka thënë ministri Beqaj.
Ai ritheksoi se zhvillimi i sektorit privat është në qendër të fokusit dhe vëmendjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa shtoi se i janë tejet mirënjohës BERZH-it për përkrahjen e çmueshme që i ka dhënë sektorit tonë privat gjatë dekadës së kaluar.
“Ne mbesim të përkushtuar për avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe presim të kemi bashkëpunim edhe me BERZH-in, të cilin e konsiderojmë partner të rëndësishëm. Jam i gëzuar që mund të them se janë bërë përpjekje të mëdha për përmirësimin e klimës afariste dhe se qeveria është duke i ndërmarrë të gjithë hapat e domosdoshëm për të zbatuar reformat e nevojshme”, tha ai.
Beqaj ka vënë në dukje se Qeveria mëton që gjatë kësaj periudhe tranzitore të zhvillojë më tej vendin, për ta shndërruar atë në një vend të vetëqëndrueshëm, ta shtojmë konkurrueshmërinë e tij dhe t’i sigurojmë atij prosperitet të sigurt në aspekt afatgjatë.
Numri një i MZHE-së edhe një herë ka falënderuar të gjitha shtetet anëtare dhe Guvernatorët e tyre për përkrahjen që kanë dhënë gjatë procesit të anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion.
Ndryshe, para nisjes së takimit vjetor të BERZH-it, ministri Beqaj ka zhvilluar takime të ndara me drejtues të OFID-së, delegacionin e SHBA-së dhe drejtues të JICA-s.

energjia.al, 10.05.2013