Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Letër në BE, mbështesni Nabucco-n, jo TAP-in

-Vendet ku do të kalojë projekti i gazsjellësit Nabucco, Austria, Hungaria, Rumania dhe Bullgaria, kanë apeluar pranë autoriteteve ekzekutive të Bashkimit Evropian për një mbështetje më të fortë në përzgjedhjen e projektit Nabucco, për transportin e gazit drejt Evropës. Azerbajxhani do të zgjedhë mes dy projekteve rivale të gazsjellësve, Nabuccon, i cili mbështetet nga Evropa Qendrore, dhe TA P, i cili është miratuar tashmë nga Greqia, Shqipëria dhe Italia, për transportin e gazit nga Kaspiku drejt vendeve të Evropës perëndimore. Për të dy projektet është lobuar fort. Ekspertët kanë pohuar se TA P- ka një sërë avantazhesh, por i mbetet autoriteteve azere të vendosin. Këto dy projekte rivale e kanë bërë ofertën e tyre pranë konsortiumit Shah Deniz në fund të muajit mars. Prodhuesit e gazit pritet që të zyrtarizojnë marrëveshjen për gazsjellësin në qershor. Katër qeveritë e Evropës Qendrore kanë firmosur një letër, e cila mban vulat e ministrave të tyre të jashtëm, e cila kërkon të nxjerrë jashtë lojë me elegancë projektin TA P. Me tepër se kaq, apeli i katërshes së Nabucco-s drejt BE-së, fokusohet në arsyetimin strategjik të projektit sipas kritereve që ka vënë vetë Komisioni Evropian, i cili ka treguar një gatishmëri më të madhe për të mbështetur Nabucco-n mbi projektet e tjera rivale, përfshirë edhe TA P-in, këto vitet e fundit. Kohët e fundit, Komisioni Evropian, ashtu sikurse edhe administrata e presidentit Obama në Washington, e kanë pozicionuar veten e tyre mes Nabucco-s dhe TA P-it. Në këtë kontekst, letra e katërshes së Evropës Qendrore përbën një rikujtesë të objektivave strategjikë të përbashkët në BE dhe mbajtjen e vlefshmërisë së tyre. Gazsjellësi Trans Adriatik do të transportojë gaz natyral nga zona industriale Shah Deniz II në Azerbajxhan, përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik deri në Italinë mesdhetare dhe nga aty në gjithë Evropën perëndimore. TA P do të hapë të ashtuquajturin Korridor i Jugut, duke shtuar sigurinë energjetike europiane. Realizimi i këtij projekti pritet t’i sjellë Shqipërisë 1 miliardë euro investime. Qeveria shqiptare është shprehur në mbështetje të gazsjellësit TA P dhe ka deklaruar se do të bëjë gjithçka që ky projekt të realizohet. Madje Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar pak kohë më parë një vizitë në Azejbajxhan, që kishte për qëllim mbështetjen e projektit i cili parashikon mundësinë e shpërndarjes së 10 deri në 20 mld metër kub në vit në varësi të kërkesës dhe ofertës.

Gazeta Shekulli, 02.05.2013