Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rikthehen bonot, të vlefshme për privatizime

-Njësoj si në nisje të fushatës elektorale në vitin 2009, kur qeveria Berisha integroi në procentin e legalizimeve bonot e privatizimit, edhe në prag fushatës së këtij viti rikthen bonot e privatizimit. Kësaj here me to mund të bëhesh pjesë e ankandeve në proceset e privatizimit (godina shtetërore, oborret, toka, madje dhe në investime strategjike. Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e kabinetit paralajmëron zgjatjen e mëtejshme të afatit të përdorimit të bonove të privatizimit dhe rigjallërimin e këtij tregu. Kryeministri kërkoi që të shtyhet deri në vitin 2015 afati i përdorimit të tyre. Sipas ligjit ekzistues, afati i përdorimit të tyre është fundi i këtij viti, por kryeministri tha se përdorimi i bonove duhet të rritet edhe më tej, duke u përfshirë në proceset e privatizimit. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, si dhe Ministri i Financave do të përgatisin një draft ku do të përcaktohen sektorët e ekonomisë ku do të investohen, për të garantuar të paktën dyfishimin e përdorimit të letrave me vlerë. Sipas kryeministrit pas këtij vendimi do të nxitet tregut i letrave me vlerë. Bonot e privatizimit u emetuan për herë të parë në vitin 1991. Sipas të dhënave zyrtare, në total janë emetuar 74.9 miliardë lekë bono privatizimi, prej të cilave u janë shpërndarë publikut 51.2 miliardë lekë. Nga këto janë përdorur deri tani në proces privatizimi 10 miliardë lekë, ndërkohë që mbeten të shpërndara dhe të papërdorura 41 miliardë lekë të tjera. Bonot e privatizimit kanë pasur dy destinacione masive, grumbullimi në fonde investimi dhe përdorimi në procesin e legalizimit. “Anglo-Adriatica” ka qenë një nga fondet e investimit të krijuara gjatë qeverisjes së parë të PD-së, por nuk arriti të futej në privatizimet strategjike. Ajo mblodhi bonot e rreth 200 mijë shqiptarëve, të cilët dorëzuan letrat me vlerë nga ’94-’99 në degë të hapura në të gjithë vendin. Vlera e bonove të investuara në sipërmarrje ishte afro 120 milionë dollarë. Ato u depozituan tek ish Banka e Kursimeve. Vlera e Bonove të privatizimit është luhatur në varësisë të përfshirjes së tyre në sferën ekonomike nga qeveria. Vlera e bonove është luhatur ndër vite duke rënë nga 17-18 për qind në 1998, në 12 për qind para katër vitesh, kur edhe u lejua përdorimi i tyre për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Që atëherë, bonot janë zhvlerësuar deri në 4.5 apo 5. Vlera e tyre i rrit sërish pras përfshirjes në ligjin për legalizimet. Vendimi i qeverisë për riaktivizimin e tyre në ekonomi pritet të rrisë sërish vlerën e tyre në treg.

Gazeta Shekulli, 11.04.2013