Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KosovaPetrol akuzon AKP-në

Kompania KosovaPetrol, që për pronar ka biznesmenin Bedri Selmani, i cili në bazë të listës së publikuar dje nga AKP del të jetë një prej uzurpuesve më të mëdhenj të pronës shoqërore në vend, ka dërguar një reagim përmes së cilit demanton AKP-në.

Në vijim ju sjellim të plotë reagimin KosovaPetrolit:

Kur AKP-ja e kriminalizuar, investitorin legjitim e shpall uzurpator, kurse uzurpatorët i legalizon

Prishtinë, 16.02.2016

Investitori Bedri Selmani reagon ndaj publikimit të fundit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), ku në mënyrë antiligjore, tendencioze dhe të padrejtë futet emri i tij.

Linçimi i investorit Bedri Selmani dhe ndërmarrjes që ai drejton, ndërmarrje kjo e cila ka ushtruar veprimtarinë legalisht, bazuar në kontratën juridikisht valide të bërë me Misionin e Kombeve të Bashkuara, që nga Janari i vitit 2000, pas 15 viteve të periudhës legjitime të investimeve, punësimeve, afarizmit dhe kontributit që i është bërë Buxhetit të Kosovës, është skandaloz dhe i paparë në rrjedhat e afarizmit bashkëkohorë.

Për të sqaruar opinion publik, ju njoftojmë se skenari i dëmtimit të imazhit dhe afarizmit të “Kosova Petrolit” dhe z.Selmani ka filluar me mos vazhdimin e licencës nga ana e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), e cila pas riaplikimit të “Kosova Petrolit” për licencë, nuk ka dhënë asnjë përgjigje zyrtare për këtë çështje.

Skenari ka vazhduar në muajin Maj të vitit 2014, kur AKP-ja me direktiva të grupeve kriminale të instaluara brenda këtij institucioni, në mënyrë të paligjshme shpall në qëra asetet e “Kosova Petrolit”, pa pasur asnje ingerencë juridike e as marrëdhënie kontraktuale me “Kosova Petrolin”. Madje, në Tetor të vitit 2014, duke e përdorur aparatin shtëtëror, përkatësisht Policinë e Kosovës dhe forcat e saj speciale, hyjnë në objektet e “Kosova Petrolit” duke i përzënë punëtorët nga objektet dhe duke i marrë në mënyrë të dhunshme objektet në formën më të ashpër të pushtetit totalitar.

Me këtë rast, z.Selmani dhe ndërmarrja që ai drejton i ka kontestuar veprimet e AKP-se me të gjitha argumentet dhe faktet ligjore, si dhe shkeljet flagrante të Ligjit nr.03/L-067 për Agjensionin Kosovar të Privatizimit, Ligjit nr.04/L-220 për Investime të Huaja, dhe shkeljen e të gjitha të drejtave themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në mënyrë që AKP-ja, institucion ky i njohur për korrupsion dhe krim ekonomik, të mbulojë veprimet jo legjitime ndaj “Kosova Petrolit”, kjo agjenci prodhon dokumente të rrejshme dhe të falsifikuara për të mbështetur veprimet e veta kriminale. E tillë është edhe përfshirja në listën e fundit të AKP-së e investitorit Bedri Selmani. Për të gjitha këto padrejtësi z.Selmani si investitor i jashtëm ju ka drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar në Uashington DC, gjykatë e cila jemi të bindur se do të jep verdiktin e të gjitha këtyre shkeljeve ligjore dhe dëmeve të pariparueshme, që ju kanë shkaktuar z.Selmanit dhe kompanisë së tij.

Ndërmarrja “Kosova Petrol” i ka të gjitha argumentet juridike kundër këtyre të pavërtetave, të cilat e kanë bazën tek grupet e caktuara të interesit, e të cilat po tentojnë të fabrikojnë gënjeshtra, sipas modelit shantazhues bizantino-sllav “përsërite tre herë gënjeshtrën dhe fillo të besosh që kjo është e vërtetë”. Kjo qasje është skandaloze, jo humane, jo etike dhe nuk konsiston me të drejtat themelore të njeriut.

Në vazhdim, po i paraqesim disa nga faktet e pamohueshme juridike:

Investitori Bedri Selmani në Janar të vitit 2000, ka bërë kontratë me Misionin e Kombeve të Bashkuara dhe ka fituar të drejtën për menaxhim dhe administrim të ish pronave të Jugopetrolit dhe Beopetrolit. Në këtë kontratë, atij i është njohur e drejta legjitime e investimeve dhe e afarizmit. Gjatë kësaj periudhe të veprimtarisë, kompania “Kosova Petrol”, e drejtuar nga z.Selmani, ka bërë investime shumë milonëshe dhe e ka siguruar pozicionimin e vet në tregun afarist të derivateve të naftës.

Më konkretisht, në kontratën me Misionin e Kombeve të Bashkuara, në pikën 6 theksohet qartë si vijon:

“Pranohet se është e nevojshme që të gjitha investimet që janë bërë deri më tani dhe që do të bëhën në të ardhmen të natyres kapitale, e që i ka bërë zotëri Bedri Selmani, të verifikohen dhe atyre tu jepet vlera reale afariste e tregut dhe vlera monetare.”

Kontrata e “Kosova Petrolit” me Misionin e Kombeve te Bashkuara asnjëherë nuk është anuluar, as revokuar nga asnjë institucion dhe si e tillë është plotësisht e vlefshme si akt juridik.

Objektet e ndërtuara nga themeli, mjetet e punës, vendet e punës dhe ajo që është kryesorja – tregu afarist, që të gjitha së bashku janë asete të “Kosova Petrolit”, ndërsa toka ka qenë në shfrytëzim në bazë të kontratës me Misionin e Kombeve të Bashkuara.
Kjo qasje e papresedan ndaj “Kosova Petrolit” tani e disa vite i ka shkaktuar dëme të pakompensushme afariste kompanisë . Për të gjitha këto dëme materiale dhe afariste që janë shkaktuar, ne ju kemi drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar në Uashington DC.

Absurditeti më i madh në tërë këtë lojë juridiko-pronësore është se AKP-ja nuk e respekton Ligjin themelor 03/L-067, në bazë të cilit ushtron funksionet dhe përgjegjsitë. Konkretisht, neni 5, paragrafi 2 i këtij ligji, ku thuhet:

Nëse një rregullore ose ligj që është në fuqi dhe që është shpallur nga një autoritet kompetent publik në Kosovë pas 10 Qershorit 1999 i cakton përgjegjësinë për administrimin e aseteve të përcaktuara në nën-paragrafi 1.2. të paragrafit 1. të këtij neni një organi tjetër publik, Agjencia nuk do të ketë autoritet mbi këto ndërmarrje, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të atij ligji ose rregullore.

Argument tjetër është që AKP-ja nuk adminstron me tokën ku janë të vendosura pikat e karburantit. Rast konkret është ai i shpronësimit të pikës së karburantit te Rrethi në Prishtinë si arë, ku kompanisë së huaj i njihet pronësia mbi tokën dhe i kompensohet kjo tokë, pa e marrë në konsideratë investimin e bërë nga “Kosova Petrol” – objektin e ri të ndërtuar, si dhe afarizmin e saj, bazuar në kontratën me Misionin e Kombeve të Bashkuara, e cila kontratë i njeh këto investime.

Është me rëndësi të theksohet se z.Bedri Selmani kudo që ka investuar në Kosovë, pra jo vetëm në pikat e karburantit, ekzistojnë ndërmarrjet juridikisht të regjistruara dhe me kontrata valide, të cilat nuk janë respektuar nga AKP-ja.

Nga argumentet e paraqitura më lartë, shihet qartësisht se AKP-ja ndaj “Kosova Petrolit” nuk ka asnjë ingerencë, sepse “Kosova Petrol” ka kontratën për administrim dhe menaxhim të pikave të karburantit (aseteve në fjalë) me Misionin e Kombeve të Bashkuara që nga Janari i vitit 2000. Çdo veprim i AKP-së lidhur me këto prona është jo-legjitim, sepse as nuk ka menaxhuar dhe as nuk ka administruar kurrë me këto prona.

Është me rëndësi të potencohet se pas privatizimit të kompanive që kanë ushtruar veprimtarinë në këto pika karburanti para vitit 1999, kompanitë e huaja transnacionale pretendojnë se pronësia e tokës së këtyre pikave është e tyre. Pikërisht, përfaqësuesit e këtyre kompanive transnacionale, gjatë viteve të kaluara disa herë kanë vizituar zyrtarisht “Kosova Petrolin” për të negociuar dhe për të parë raportin e aseteve, që sipas normave ndërkombëtare për vlerësim do të i përcaktoj një agjension i pavarur ndërkombëtar. Nga ky argument, shihet se këto kompani transnacionale e respektojnë kontratën e Misionit të Kombeve të Bashkuara, e cila kontratë e njeh z.Bedri Selmani si investitor legjitim në këto pika karburanti.

Për të gjitha këto parregullsi ligjore që janë bërë nga grupe të caktuara kriminale të interesit, Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar në Uashington DC me verdiktin e vet do të dëshmoj të vërtetën, që është interes jo vetëm i investitori Bedri Selmani, por është edhe në interes të sundimit të ligjit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Gazeta Zëri,  18.02.2016