Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zbardhet Marreveshja per TAP-in midis Shqiperise, Italise dhe Greqise

LIGJ Nr. 104/2013 PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, REPUBLIKËS SË GREQISË DHE REPUBLIKËS SË ITALISË PËR PROJEKTIN PËR GAZSJELLËSIN TRANS ADRIATIK (PROJEKTI TAP)
Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Neni 1
Ratifikohet marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Greqisë dhe Republikës së Italisë për projektin për Gazsjellësin Trans Adriatik (Projekti TAP).
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 25.3.2013
Shpallur me dekretin nr. 8075, datë 29.3.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani

MARRËVESHJE NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, REPUBLIKËS SË GREQISË DHE REPUBLIKËS SË ITALISË, NË LIDHJE ME PROJEKTIN PËR GAZSJELLËSIN TRANS ADRIATIK
HYRJE
Republika e Shqipërisë, Republika e Greqisë dhe Republika e Italisë (në vijim të quajtur “palët” ose veçmas “pala”), përfaqësuar nga qeveritë përkatëse,
1. në mbështetje të parimeve të përcaktuara në marrëveshjet për tregtinë dhe investimet ndërkombëtare, të zbatueshme për secilën nga palët, përfshirë Traktatin e Kartës së Energjisë, traktatet e Komunitetit dhe Traktatin për Komunitetin e Energjisë, si dhe nevojën për zgjerimin e mëtejshëm dhe realizimin e bashkëpunimit ndërmjet palëve në fushën e energjisë;
2. në përpjekje për të promovuar më tej bashkëpunimin e ndërsjellë të favorshëm për garantimin e furnizimit të sigurt me gaz natyror nga burimet e Azisë Qendrore dhe Lindjes së Mesme, përfshirë ato të Republikës së Azerbajxhanit, drejt Bashkimit Europian nëpërmjet Republikës së Turqisë;
3. duke pasur parasysh që Trans Adriatik Pipeline AG synon të ndërtojë dhe përdorë një linjë interkonjeksioni gazi ndërkufitar që fillon në Republikën e Greqisë në afërsi të kufirit turko-grek, e projektuar për të transportuar gaz natyror përmes Republikës së Greqisë në drejtim të Republikës së Italisë, nëpërmjet Republikës së Shqipërisë;
4. duke pranuar faktin se zhvillimi dhe ndërlidhja (në përputhje me marrëveshjet e interkonjeksionit të lidhura për këtë projekt) e sistemit të Gazsjellësit Trans Anatolian dhe e sistemeve të transportit të gazit natyror të palëve me Gazsjellësin Trans Adriatik do të rrisë sigurinë dhe rezervat e furnizimit me gaz natyror, si pasojë e diversifikimit të itinerareve dhe burimeve të furnizimit me gaz natyror drejt Bashkimit Europian;
5. duke njohur rolin e rëndësishëm strategjik dhe thelbësor që Gazsjellësi Trans Adriatik do të ketë në hapjen e Korridorit Jugor të Gazit dhe duke iu referuar përcaktimit që programi i Bashkimit Europian mbi rrjetet e energjisë ndëreuropiane i ka bërë Gazsjellësit Trans Adriatik, si korridori gazsjellës i jugut (itinerari 3 i gazit natyror);
6. duke pranuar faktin se secila nga marrëveshjet me qeveritë pritëse e lidhur nga palët mund të ratifikohet nga parlamenti i vendit përkatës në vijim ose njëkohësisht me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje nga parlamenti vendas;
7. duke pranuar faktin se Komisioni Europian është informuar në lidhje me negociatat për këtë marrëveshje dhe qëllimet e palëve në lidhje me zbatimin e saj; dhe
8. me qëllim krijimin e kushteve dhe standardeve të njëtrajtshme dhe jodiskriminuese për planifikimin, ndërtimin dhe përdorimin e Gazsjellësit Trans Adriatik në përputhje me legjislacionin vendas të palëve dhe me marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe, si dhe traktatet e zbatueshme për secilën nga palët;
9. duke pasur në konsideratë memorandumin e mirëkuptimit midis Qeverisë së Republikës së Greqisë, Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë për bashkëpunim në lidhje me projektin për Gazsjellësin Trans Adriatik, të nënshkruar në Nju-Jork, më datë 27 shtator 2012,
bien dakord si më poshtë vijon:
Neni 1
Përkufizime
Shprehjet me germa të mëdha të përdorura në këtë marrëveshje (përfshirë hyrjen), kanë kuptim që u është dhënë në shtojcën e kësaj marrëveshje.
Neni 2
Mbështetja e projektit dhe bashkëpunimi
1. Palët do të lehtësojnë, bëjnë të mundur dhe mbështesin zbatimin e projektit, si dhe do të bashkëpunojnë dhe koordinohen me njëra-tjetrën në këtë drejtim dhe do të sigurojnë kushte të qëndrueshme, transparente dhe jodiskriminuese për zbatimin dhe realizimin e projektit.
2. Palët bien dakord që transporti do të kryhet sipas dispozitave të kësaj marrëveshjeje dhe legjislacionit të zbatueshëm, sipas traktateve të Komunitetit dhe Traktatit për Komunitetin e Energjisë, në lidhje me të, si dhe pa shkaktuar vonesa, kufizime ose kosto të paarsyeshme.
Neni 3
Marrëdhënia me ligjet dhe traktatet
1. Asnjë nga dispozitat e kësaj marrëveshjeje nuk do të kërkojë:
a) derogimin e Republikës së Greqisë dhe Republikës së Italisë nga ndonjë prej kërkesave themelore të traktateve të Komunitetit; ose
b) derogimin e Republikës së Shqipërisë nga ndonjë prej kërkesave themelore të Traktatit për Komunitetin e Energjisë.
2. Pjesëmarrësit në Projekt do të konsiderohen si “Investitorë” për efekt të nenit 1 (7) të Traktatit për Kartën e Energjisë dhe Projekti, së bashku me çdo aspekt të tij, si dhe çdo interes që investitorët mund të kenë në bazë të ndonjë marrëveshjeje në lidhje me Projektin, do të konsiderohen secili si “investim” në territorin e palës përkatëse për efekt të nenit 1 (6) të Traktatit për Kartën e Energjisë.
Neni 4
Subjektet e autorizuara
1. Secila nga palët emëron personat e mëposhtëm që të dërgojnë dhe të marrin komunikime dhe njoftime nga palët e tjera në lidhje me këtë marrëveshje dhe të veprojnë në cilësinë e koordinatorit për të drejtat dhe detyrimet e palës sipas kësaj marrëveshjeje:
a) për Republikën e Shqipërisë, Drejtoria e Përgjithshme e Standardeve pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës;
b) për Republikën e Greqisë, Drejtoria e Përgjithshme për Marrëdhëniet Ekonomike pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme; dhe
c) për Republikën e Italisë. Departamenti i Energjisë, Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë e Furnizimit dhe infrastrukturën energjetike pranë Ministrisë për Zhvillimin Ekonomik.
(secili veçmas “subjekt i autorizuar” dhe së bashku “subjekte të autorizuara”).
2. Secila nga palët mund të caktojë persona të tjerë ose zëvendësues që të veprojnë si subjekte të autorizuara për efekt të kësaj marrëveshjeje, duke i dhëne njoftim në lidhje me këtë palëve të tjera.
Neni 5
Marrëveshjet me qeveritë pritëse
1. Republika e Shqipërisë dhe Republika e Greqisë, që janë palët në territoret e të cilave do të kalojë pjesa më e madhe e Gazsjellësit Trans Adriatik, nëpërmjet qeverive të tyre përkatëse pritëse, kanë lidhur ose do të lidhin secila nga një marrëveshje të qeverisë pritëse me investitorin e projektit në përputhje me kërkesat themelore respektive të cituara në nenin 3 (1) më sipër, të cilat përfshijnë, por pa u kufizuar vetëm në to, dispozita në lidhje me tatimet (përfshirë vlerën e tatimit), që i zbatohen investitorit të projektit në juridiksionin e secilës prej këtyre palëve. Secila nga marrëveshjet me qeveritë pritëse do të ratifikohet me ligjin e secilës palë.
2. Secila nga marrëveshjet me qeveritë pritëse që palët do të lidhin:
2075
a) do të konsiderohet e lidhur ose do të lidhet në përputhje dhe në zbatim të kësaj marrëveshjeje; dhe
b) do të jetë ligj nëpërmjet të cilit do të zbatohen detyrimet, marrëveshjet dhe premtimet e secilës palë, sipas ose në lidhje me këtë marrëveshje, dhe asnjë ligj i zakonshëm i secilës palë (përfshirë interpretimin dhe zbatimin e procedurave të sanksionuara prej tij), i cili bie në kundërshtim ose nuk është në përputhje me dispozitat e marrëveshjes me qeverinë pritëse të lidhur nga pala në fjalë, nuk do të kufizojë, pakësojë ose cenojë të drejtat që i janë dhënë investitorit të projektit ose çdo pjesëmarrësi tjetër në projekt nga dispozitat e asaj marrëveshje me qeverinë pritëse apo të ndryshojë, të shfuqizojë ose të ketë përparësi në çfarëdolloj mënyre, qoftë pjesërisht apo tërësisht, mbi marrëveshjen me qeverinë pritëse në fjalë.
Neni 6
Autorizimet
Secila nga palët njeh rëndësinë strategjike kombëtare që projekti ka për atë palë dhe rrjedhimisht do të marrë të gjitha masat për lehtësimin e realizimit të projektit në territorin e saj, përfshirë dhënien e të gjitha autorizimeve të nevojshme për zbatimin e projektit dhe zhvillimin e tij në përputhje me ligjet e palës përkatëse pa vonesa ose kufizime të paarsyeshme.
Neni 7
Mosndërprerja e projektit
1. Asnjë nga palët e kësaj marrëveshjeje nuk do të ndërpresë, zvogëlojë, vonojë ose pengojë në asnjë mënyrë rrjedhjen (në drejtim të njëjtë dhe/ose të kundërt) të gazit natyror nëpërmjet Gazsjellësit Trans Adriatik, përveç nëpërmjet një organi kompetent sipas rregullores së EU-së 994 /2010 në lidhje me sigurinë e furnizimit me gaz (rregullorja për furnizimin me gaz).
2. Në rast se verifikohet ndonjë rrethanë ose situatë, e cila lë shkak të arsyeshëm për të besuar se ekziston rreziku i ndërprerjes, pakësimit ose pengimit me çdo lloj mënyre tjetër të ndonjë aspekti të projektit (përveç rrjedhjes së gazit natyror nëpërmjet Gazsjellësit Trans Adriatik), Pala, në territorin e secilës është shfaqur rreziku, do të bëjë të gjitha përpjekjet e ligjshme dhe të arsyeshme për të eliminuar këtë rrezik.
3. Në rast se verifikohet ndonjë rrethanë ose situatë ndërprerjeje, pakësimi ose pengimi me çdo lloj mënyre tjetër të ndonjë aspekti të projektit, pala në territorin e së cilës është verifikuar kjo situatë ose rrethanë do të njoftojë në mënyrë të menjëhershme palët e tjera dhe investitorin e projektit në lidhje me rrethanën ose situatën, do të japë detaje të hollësishme në lidhje me arsyet e krijimit të rrethanës ose të situatës dhe (përveç rastit të ndërprerjes, të pakësimit ose të pengimit të rrjedhjes së gazit natyror nëpërmjet Gazsjellësit Trans Adriatik), do të bëjë të gjitha përpjekjet e ligjshme dhe të arsyeshme për të eliminuar rrethanën ose situatën, si dhe do të ndihmojë në kthimin sa më parë të jetë e mundur, të aspektit të cenuar të projektit në gjendjen e mëparshme.
Neni 8
Përputhshmëria e kushteve të projektit
Palët pranojnë se duke pasur parasysh natyrën ndërkufitare të projektit, është thelbësore që të zbatohen kushte të koordinuara dhe të njëtrajtshme në lidhje me tërësinë e projektit, përfshirë këtu kushtet teknike, shoqërore, ato në lidhje me sigurinë, mjedisin, komunitetin dhe kushtet e punës dhe krijimi ndërmjet palëve i këtyre kushteve të koordinuara dhe të njëtrajtshme do të jetë një nga përgjegjësitë e komisionit zbatues të cituar në nenin 10 të kësaj marrëveshjeje.
Neni 9
Tatimet
Për përcaktimin e bazës së vlerësimit tatimor në lidhje me investitorin e projektit, do të gjejnë zbatim dispozitat e legjislacionit kombëtar, bazuar në parimet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik. Për të ardhurat dhe kostot e investitorit të projektit, do të përcaktohen parametra uniformë dhe të përshtatshëm për shpërndarjen, në përputhje me dispozitat e marrëveshjeve për shmangien e tatimit të dyfishtë në lidhje me përcaktimin e të ardhurave nga veprimtaria tregtare, nëpërmjet marrëveshjeve për transferimin e çmimit të lidhura ndërmjet autoriteteve fiskale të secilës prej palëve, të cilat do të kenë efekt detyrues për to, si dhe me autoritetet fiskale të Konfederatës Zvicerane (e cila përfaqëson juridiksionin ku është themeluar investitori i projektit). Marrëveshjet për transferimin e çmimit do të kenë një kohëzgjatje minimale prej 25 vjetësh dhe nuk do të jenë subjekt ndryshimesh ose zgjidhje pa miratimin e investitorit të projektit. Parametrat e shpërndarjes për të cilat është rënë dakord nga palët dhe që janë përcaktuar në secilën prej marrëveshjeve për transferimin e çmimit, do të pasqyrohen, gjithashtu, edhe në marrëveshjet me qeveritë pritëse qe secila nga palët ka lidhur.
Neni 10
Komisioni i zbatimit
Një komision zbatimi është krijuar dhe përbëhet nga dy përfaqësues, rregullisht të autorizuar nga secila palë (komisioni i zbatimit). Komisioni i zbatimit do të mbikëqyrë zbatimin e kësaj marrëveshjeje, do të punojë me investitorin e projektit me qëllim rënien dakord mbi një protokoll që do të nënshkruhet midis palëve, i cili do të krijojë një strukturë kushtesh të koordinuara dhe të njëtrajtshme siç përcaktohet në nenin 8, të cilat do t’i zbatohen projektit në tërësi dhe me miratimin e anëtarëve të tij, do të ndërmarrë çdo veprim tjetër të konsideruar të nevojshëm për të lehtësuar zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Investitori i projektit do të ketë të drejtë të emërojë një vëzhgues pranë komisionit të zbatimit, i cili mund të marrë pjesë në mbledhjet dhe veprimtaritë e tjera të komisionit të zbatimit. Komisioni i zbatimit do të jetë një organ vetëm këshillimor dhe nuk do të ketë kompetenca për të marrë vendime përfundimtare dhe detyruese për llogari të palëve, përfshirë ato lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve sipas kësaj marrëveshjeje.
Neni 11
Përgjegjësia
Mospërmbushja ose refuzimi nga secila palë në këtë marrëveshje për të përmbushur ose për të zbatuar detyrimet e saj, për të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe për të njohur të gjitha të drejtat dhe përfitimet siç parashikohet në këtë marrëveshje, do të përbëjë shkelje të detyrimeve që lindin, sipas kësaj marrëveshje për palën në fjalë. Përgjegjësia e secilës palë, sipas këtij neni, në përputhje me parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare, do të zbatohet edhe në lidhje me veprimet dhe mosveprimet e çdo autoriteti shtetëror ose subjekti shtetëror.
Neni 12
Ndryshimet dhe zgjidhja
Asnjë nga palët nuk do të ndryshojë ose do të bëjë përpjekje që të shmangë në ndonjë mënyrë tjetër ose të kufizojë këtë marrëveshje pa miratimin paraprak me shkrim të secilës prej palëve të tjera. Çdo ndryshim i kësaj marrëveshjeje do të miratohet me shkrim nga të gjitha palët dhe do të hyjë në fuqi në përputhje me procedurat e përcaktuara në nenin 14 të kësaj marrëveshjeje. Kjo marrëveshje do të mbetet e vlefshme dhe në fuqi deri në datën e përfundimit të dekomisionimit të Gazsjellësit Trans Adriatik në tërësi. Asnjëra nga palët nuk mund të denoncojë ose të heqë dorë nga kjo marrëveshje apo të pezullojë përmbushjen e detyrimeve përkatëse, sipas kësaj marrëveshjeje, pa miratimin paraprak të secilës prej palëve të tjera. Megjithatë, në rast se Gazsjellësi Trans Adriatik nuk përzgjidhet nga Konsorciumi i Shah Denizit për transportimin e gazit natyror nga Rajoni i Detit Kaspik drejt Europës, TAP, në marrëveshje me palët dhe brenda një periudhe prej 24 muajsh nga momenti i hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, do të identifikojë burime alternative furnizimi. Në rast mospërzgjedhje dhe nëse TAP nuk identifikon burime alternative brenda afatit të mësipërm, secila prej palëve do të ketë të drejtë të heqë dorë nga kjo marrëveshje, duke njoftuar me shkrim palët e tjera tre muaj përpara nëpërmjet rrugëve diplomatike.
Neni 13
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve
Mosmarrëveshjet që lidhen me interpretimin ose zbatimin e kësaj marrëveshjeje, do të zgjidhen nëpërmjet rrugëve diplomatike.
Neni 14
Hyrja ne fuqi
Kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi në datën kur instrumentet përkatëse të ratifikimit janë shkëmbyer ndërmjet të gjitha palëve (data efektive). Me ratifikimin e saj, secila palë do të ndërmarrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e dispozitave të kësaj marrëveshjeje. Kjo marrëveshje është hartuar në tre ekzemplarë origjinalë në gjuhën angleze.
Lidhur sot, më 13 shkurt 2013 në Athinë, Greqi.
SHTOJCË
PËRKUFIZIME
“Filial” nënkupton, në lidhje me një subjekt, çdo person tjetër që, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, nëpërmjet një ose më shumë ndërmjetësve, kontrollon, kontrollohet ose është nën një kontroll të përbashkët me këtë subjekt. Për qëllimet e këtij përkufizimi, “kontroll” nënkupton zotërimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të kompetencave për të drejtuar ose për të vendosur mbi administrimin dhe politikat e një subjekti, qoftë nëpërmjet zotërimit të shumicës ose të një pjesëmarrje kontrolluese në aksionet me të drejtë vote, në kapital ose nëpërmjet interesave të tjera pasurore në një subjekt, të cilat burojnë nga ligji ose marrëveshja, e cila njeh këto kompetenca ose të drejta vote.
“Marrëveshje” nënkupton këtë marrëveshje ndërqeveritare, duke përfshirë çdo shtojcë bashkëlidhur, siç mund të ndryshohet, shtohet ose ndryshohet në çdo mënyrë tjetër herë pas here.
“Autorizim” nënkupton çdo autorizim, pëlqim, koncesion, licencë, leje ose formë tjetër miratimi, nga ose me ndonjërën prej palëve ose organeve shtetërore, i cili i është dhënë ose do t’i jepet ndonjërit prej pjesëmarrësve në projekt në lidhje me ndonjërën nga veprimtaritë që lidhen me projektin.
“Traktatet e Komunitetit” nënkupton traktatin për themelimin e Komunitetit Europian, (Traktatin e Romës, të ndryshuar me Traktatin e Amsterdamit dhe Traktatin e Nicës), Traktatin e Maastrichtit (të ndryshuar me Traktatin e Amsterdamit dhe Traktatin e Nicës) dhe Traktatin për Themelimin e Komunitetit Europian të Energjisë Atomike, siç janë zëvendësuar ose pasuar tashmë nga Traktati i Lisbonës, që është Traktati për Themelimin e Bashkimit Europian dhe Traktati për funksionimin e Bashkimit Europian.
“Kushtetutë” nënkupton në lidhje me secilën palë, kushtetutën e asaj pale, siç mund të ndryshohet ose zëvendësohet herë pas here.
“Sipërmarrës” nënkupton çdo person, i cili i ofron në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë investitorit të projektit ose filialeve të tij, nëpërmjet kontraktimit, nënkontraktimit ose nëpërmjet çdo mënyre tjetër, mallra, punime, teknologji ose shërbime, përfshirë ato financiare (përfshirë ndër të tjera kreditimin, financimin, sigurimin ose shërbimet e tjera financiare), të cilat kanë lidhje me projektin dhe kanë një vlerë kontrate vjetore prej të paktën 100,000 eurosh, duke përjashtuar megjithatë, çdo individ, i cili vepron në cilësinë e punëmarrësit të ndonjë personi tjetër.
“Datë efektive” ka kuptimin e dhënë në nenin 14.
“Traktati i Kartës së Energjisë” nënkupton Traktatin e Kartës së Energjisë të hapur për nënshkrim në Lisbonë në datë 17 dhjetor 1994 dhe të hyrë në fuqi nga data 16 prill 1998.
“Traktati i Komunitetit të Energjisë” nënkupton Traktatin e Komunitetit të Energjisë, të hapur për nënshkrim në Athinë në datë 25 tetor 2005 dhe të hyrë në fuqi nga data 1 korrik 2006.
“Subjekt” nënkupton çdo shoqëri, korporatë, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, shoqëri aksionare, shoqëri komandite, shoqëri kolektive, shoqëri me kapital të përbashkët, shoqëri me kapital të përbashkët të paregjistruar, shoqatë, kartel apo person tjetër juridik, organizatë ose ndërmarrje tjetër të organizuar rregullisht nëpërmjet ndonjë traktati ose sipas ligjit të ndonjë shteti ose nënndarje të tij.
“Shitës gazi natyror” nënkupton çdo person i cili shet gaz natyror në pikën ku Gazsjellësi Trans Adriatik lidhet me rrjetin kombëtar të transmetimit ose shpërndarjes së gazit natyror të një pale.
“Qeveri pritëse” nënkupton qeverinë qendrore ose federale të njërës prej palëve.
“Marrëveshje me qeveritë pritëse” nënkupton marrëveshjet që janë lidhur ose do të lidhen midis:
a) qeverisë pritëse të Republikës së Greqisë (për llogari të Republikës së Greqisë) dhe Investitorit të projektit; dhe
b) qeverisë pritëse të Republikës së Shqipërisë (për llogari të Republikës së Shqipërisë) dhe investitorit të projektit.
“Akt zbatimi” nënkupton në lidhje me secilën prej palëve, çdo ligj ose autorizim të asaj pale ose të ndonjë organi shtetëror të saj ose çdo marrëveshje me qeverinë pritëse ose marrëveshje për projektin, e cila miraton dhe rendit të drejtat dhe angazhimet e përcaktuara në këtë marrëveshje.
“Siguruesi” nënkupton çdo shoqëri sigurimi ose person tjetër të autorizuar për të ofruar ose që ofron mbulim në sigurime (duke përfshirë mbulimin e risigurimit), për të gjitha ose pjesë të risqeve që lidhen me Gazsjellësin Trans Adriatik dhe/ose projektin, si dhe pasardhësit ose çesionarët e lejuar të kësaj shoqërie sigurimi apo personi.
“Marrëveshje interkonjeksioni” nënkupton marrëveshjen midis një pjesëmarrësi në projekt dhe çdo pale, subjekti shtetëror, organi shtetëror ose Gazsjellësit Trans Anatolian për interkonjeksionin e Gazsjellësit Trans Adriatik ose Gazsjellësit Trans Anatolian me rrjetin kombëtar të shpërndarjes së gazit natyror të secilës prej palëve.
“Ligj” nënkupton ligjet e detyrueshme dhe në fuqi kohë pas kohe për secilën prej palëve, përfshirë kushtetutën e saj, si dhe të gjitha ligjet e tjera, kodet, dekretet, statutet, rregulloret, memorandumet, deklaratat, vendimet themelore, urdhrat, aktet normative dhe politikat, të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, në të cilat kjo palë është anëtare, së bashku me të gjitha aktet e saj të brendshme, ligjet dhe dekretet për ratifikimin ose zbatimin e këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe interpretimet gjyqësore që kanë përparësi në lidhje me këto instrumente ligjore.
“Huadhënës” nënkupton çdo institucion financiar (përfshirë bankat tregtare, agjencitë shumëpalëshe të kreditimit zotëruesit e obligacioneve, garantuesit (përveç aksionarëve) dhe agjencitë e eksportit të kreditit) ose çdo person tjetër që ofron borxh, hua, kreditim financiar, zgjerim kredie ose çdo mjet tjetër financimi për investitorin e projektit në lidhje me Gazsjellësin Trans Adriatik (përfshirë rifinancimin e tij), si dhe pasardhësit dhe çesionarët e lejuar të këtij institucioni financiar ose çdo personi tjetër.
“Gaz natyror” nënkupton hidrokarburet që nxirren nga nëntoka në gjendjen e tyre natyrale dhe që janë në gjendje të gaztë në temperaturën dhe trysninë e tyre normale.
“Person” nënkupton çdo person fizik ose subjekt.
“Projekt” nënkupton vlerësimin, zhvillimin, projektimin, ndërtimin, instalimin, financimin, rifinancimin, zotërimin, operimin (përfshirë transportin e gazit natyror nëpërmjet Gazsjellësit Trans Adriatik), riparimin, zëvendësimin, meremetimin, mirëmbajtjen, zgjerimin, shtimin (përfshirë atë anësor) dhe në momentin përkatës, dekomisionimin e Gazsjellësit Trans Adriatik.
“Marrëveshje për projektin” nënkupton çdo marrëveshje, kontratë, licencë, koncesion, ose dokument tjetër, përveç kësaj marrëveshjeje dhe marrëveshjeve me qeveritë pritëse, në të cilin/ën, nga njëra anë, një palë, organ shtetëror ose subjekt shtetëror dhe nga ana tjetër, pjesëmarrësit në projekt janë ose do të bëhen palë në lidhje me këtë projekt, duke përfshirë marrëveshjet e interkonjeksionit, siç secila prej këtyre marrëveshjeve, kontratave, licencave, koncesioneve ose dokumenteve të tjera mund të zgjerohen, rinovohen, zëvendësohen ose ndryshohen herë pas here në përputhje me kushtet e tyre.
“Investitori i projektit” nënkupton Trans Adriatik Pipeline AG, një shoqëri e organizuar në përputhje me legjislacionin e Konfederatës Zvicerane.
“Pjesëmarrësit në projekt” nënkupton investitorin e projektit, aksionarët, transportuesit, sipërmarrësit, huadhënësit dhe shitësit e gazit.
“Aksionar” nënkupton, në çdo kohë, çdo person i cili zotëron në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë investim në kapital ose çdo formë tjetër interesi pasuror tek investitori i projektit, si dhe çdo filial pasardhës dhe çesionar të lejuar të këtij personi.
“Transportues” nënkupton çdo person, i cili ka të drejtë (që buron nga ligji, nga kontrata ose çdo mënyrë tjetër) të transportojë gaz natyror, duke përdorur tërësisht ose pjesërisht Gazsjellësin Trans Adriatik.
“Organ shtetëror” nënkupton, në lidhje me secilën palë, qeverinë qendrore ose federale të palës, si dhe çdo organ apo autoritet qendror, federal, rajonal, bashkiak, vendor, autoritetet e qarqeve ose organet e tjera (por për të shmangur çdo dyshim, do të përjashtohen organet e pavarura) të kësaj pale, si dhe çdo pjesë tjetër përbërëse të organeve të mësipërme.
“Subjekt shtetëror” nënkupton çdo subjekt, në të cilin një palë zotëron në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, kontrollin e kapitalit, interesa pasurorë ose interesa ekonomike të ngjashme ose që zotërohet në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga pala. Për efekt të këtij përkufizimi, “kontroll” nënkupton zotërimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të kompetencave për të drejtuar ose për të vendosur mbi drejtimin dhe politikat e një subjekti, qoftë nëpërmjet zotërimit të shumicës ose interesave të tjera kontrolluese të aksioneve me të drejtë vote, kapitalit ose nëpërmjet interesave të tjera pasurore në një subjekt, në përputhje me ligjin ose me marrëveshje midis personave, të cilët japin këto kompetenca ose të drejta vote.
“Tatime” nënkupton të gjitha detyrimet ekzistuese dhe të ardhshme, detyrimet doganore, pagesat, tarifat, gjobat, vlerësimet, taksat (përfshirë TVSH-në ose taksat nga shitja), kontributet e pagueshme kundrejt ose të vendosura nga shteti, ose nga ndonjë organ apo departament shtetëror, qoftë ky qendror ose vendor, ose nga çdo organ tjetër kompetent për vendosjen e këtyre detyrimeve brenda territorit të një shteti dhe “tatim” nënkupton secilin nga detyrimet e listuara më sipër dhe tatimet dhe taksat do të interpretohen rrjedhimisht në varësi të sa më sipër.
“Gazsjellësi Trans Adriatik” nënkupton sistemin e tubacionit të gazit natyror, i cili do të shtrihet nga Republika e Greqisë në afërsi të kufirit turko-grek, të kalojë nëpër Republikën e Shqipërisë, deri në afërsi të Leçes në Republikën e Italisë, duke përfshirë të gjitha asetet fizike të lidhura me të, si dhe impiantet, pajisjet, makineritë, tubacionet, cisternat, stacionet e kompresorëve, kabllot e fibrave optike dhe asetet e tjera ndihmëse.
“Transport” nënkupton transportimin, ngarkesën ose çdo formë tjetër transporti të gazit natyror, nëpërmjet çdo mënyre të ligjshme.

energjia.al, 08.04.2013