Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kontrata me TAP-in, firma e pare e Mimes

Në ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës u nënshkrua Marrëveshja e Palës Pritëse midis Këshillit të Ministrave dhe Konsorciumit “TAP AG” për Projektin e Gazsjellësit “TAP”.
Nga pala shqiptare marrëveshjen e firmosi ministri z.Florjon Mima, ndërsa për “TAP A.G”, nga Drejtori i Përgjithshëm, z.Kjetill Tungland.
Ministri Mima theksoi se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje “Shqipëria tregon mbështetjen e fuqishme për Projektin “TAP”, që siç shtoi “vlen të cilësohet si projekti i këtij shekulli për vendin tonë”. Sipas ministrit Mima, marrëveshja i dërgon një mesazh shumë të qartë, Konsorciumit në Shah Deniz në Azerbajxhan se “TAP” është i mirëpritur në Shqipëri” dhe se “Qeveria e Shqipërisë do të bëjë çdo gjë dhe do të marrë çdo masë për realizuar këtë projekt strategjik”.
Duke theksuar gjithashtu se si investim 100% me kapital privat, “TAP” është më i madhi në historinë e Shqipërisë dhe që shifra shkon nga konsorciumi mbi 1 miliard euro.
“Realizimi i projektit “TAP” do të krijojë direkt dhe indirekt afro 20 mijë vende pune në Shqipëri. Por, mbi të gjitha, realizimi i këtij projekti do të jetë transformues për Shqipërine nga ana energjetike”-tha z.Mima.
Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë Trans Adriatic TAP AG, Kjetil Tungland tha gjatë fjalës së tij se firmosja e marrëveshjes së sotme ndihmon Shqipërinë në arritjen e synimeve strategjike në lidhje me energjinë, ku TAP do të ofrojë mbështetje teknike dhe ekspertizë për zhvillimin e tregut të gazit në Shqipëri.
Fjala e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Florjon Mima në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Palës Pritëse midis Këshillit të Ministrave dhe Konsorciumit “TAP AG” për Projektin e Gazsjellësit “TAP”
“Është një kënaqësi e veçantë, që e nis ditën e parë të punës si Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës duke nënshkruar Marrëveshjen e Përfunduar të Palës Pritëse midis Shqipërisë dhe Konsorciumit “TAP AG” për Gazsjellësin TransAdriatik.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të përfunduar është i një rëndësie mjaft të veçantë dhe rezultat i një pune disavjeçare midis Qeverisë shqiptare dhe konsorciumit “TAP”.
Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Përfunduar të Palës Pritëse midis Këshillit të Ministrave dhe Konsorciumit “TAP” Shqipëria tregon mbështetjen e fuqishme për Projektin “TAP”, që ja vlen të cilësohet si projekti i këtij shekulli për vendin tonë, por dërgon një mesazh shumë të qartë, Konsorciumit në Shah Deniz në Azerbajxhan që “TAP” është i mirëpritur në Shqipëri dhe Qeveria jonë do të bëjë çdo gjë dhe do të marrë çdo masë për realizuar këtë projekt strategjik.
Ky do të jetë një investim 100% me kapital privat dhe më i madhi në historinë e Shqipërisë, investimi i drejtpërdrejtë nga Konsorciumi “TAP” për këtë projekt do të kapë shifra mbi 1 miliard euro
Realizimi i projektit “TAP” do të krijojë direkt dhe indirekt afro 20 mijë vende pune në Shqipëri. Por, mbi të gjitha, realizimi i këtij projekti do të jetë transformues për Shqipërinë nga ana energjetike.
Shqipëria, ka qenë shteti i parë që ka nisur negociatat për këtë projekt dhe ka qenë një ndër aktorët kyç për ecurinë e tij, projekt që këto ditë, është në finalizimin e marrjes së statusit të projektit fitues për të transportuar gazin natyror të Detit Kaspik drejt Bashkimit Evropian. Ky projekt është i një rëndësie strategjike dhe madhore jo vetëm për Shqipërinë dhe rajonin, por për të gjithë Evropën, pasi “TAP” është një aktor kryesor në krijimin real të Korridorit Jugor të Gazit, për të rritur diversifikimin e burimeve të energjisë në Evropë dhe për të rritur sigurinë e energjisë për vendin, rajonin dhe kontinentin tonë.
Shqipëria me realizimin e projektit “TAP” jo vetëm që do të përfitojë nga gazi natyror që do të ngelet dhe përdoret në zhvillimin e një tregu të ri të gazit natyror, por do të shndërrohet në një qendër të tregtimit me gaz natyror në Ballkanin Perëndimor, pasi në plan është lidhja e projektit “TAP”, me projektin “IAP” (Gazsjellësi Jon-Adriatik), që nëpërmjet lidhjes që do të kenë në Fier, do të mundë të eksportohet gaz natyror në Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci.
Këto zhvillime të rëndësishme për realizimin e projektit “TAP” janë dhe një hap i sigurtë dhe shumë i rëndësishëm për krijimin dhe zhvillimin e tregut të gazit natyror në Shqipëri, pikërisht për këtë çështje janë firmosur dy marrëveshje shumë të rëndësishme me shpërndarësit e gazit në Evropë si me kompaninë zvicerane “AXPO” dhe me gjigandin energjetik gjerman “E.ON Ruhrgas”.
Krijimi i tregut të gazit natyror në Shqipëri do të sjellë në periudhë afatshkurtër konkurrueshmërinë ekonomike të Shqipërisë në këtë fushë të energjisë, do të krijojë më shumë vende pune dhe do të sigurojë energji më të lirë për të gjithë shqiptarët, gjë që do të rrisë cilësinë e jetesës për qytetarët shqiptarë.
Jemi krenarë për këtë bashkëpunim të frytshëm me Konsorciumin “TAP” dhe për firmosjen e kësaj marrëveshjeje, pas një tjetre të rëndësishme, Marrëveshjes Ndërqeveritare, Shqipëri-Itali-Greqi më 13 shkurt. Ne kemi besimin e plotë që ky projekt është projekti fitues për të transportuar gazin natyror nga Kaspiku drejt Evropës”.

Qeveria Shqiptare dhe TAP Finalizojnë Marrëveshjen me Qeverinë e Vendit Pritës
Ministria Shqiptare e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Projekti i Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) nënshkruan sot Marrëveshjen me Qeverinë e Vendit Pritës (MQP) duke rënë formalisht dakord mbi termat e angazhimit për të ardhmen e tubacionit të Korridorit Jugor të Gazit.
Marrëveshja me Qeverinë e Vendit Pritës përcakton rregullat sipas të cilave projekti do të realizohet dhe do të operojë në territorin shqiptar.
Qeveria Shqiptare dhe TAP Finalizojnë Marrëveshjen me Qeverinë e Vendit Pritës
Kjo përfshin procese të blerjes dhe servitutit të tokës, zbatimin e standardeve teknike, të sigurisë për komunitetin si dhe rregulloret për lejet. Pas ratifikimit të pritshëm nga Kuvendi në javët në vazhdim, MQP-ja do të kthehet në një ligj të plotë dhe të zbatueshëm.
TAP është një nga burimet më të mëdha të investimeve të huaja në Shqipëri, që do të sillte prurje madhore të ardhurash në vend. Gjatë fazës së ndërtimit, TAP do të nxisë punësimin në një sërë industrish të drejtpërdrejta dhe jo të drejtpërdrejta, përfshirë ato prodhuese dhe shërbimet komunale, transportin, komunikacionet, si dhe shërbimet financiare dhe ato për biznesin. Projekti gjithashtu do të japë kontribut për zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe infrastrukturave të tjera në Shqipëri.
Për më tepër, projekti do të luajë një rol madhor në zhvillimin e tregut shqiptar të energjisë si dhe në çuarjen përpara të objektivit të qeverisë për t’u kthyer në një nyje gazi në Evropën Juglindore. Pikat e planifikuara të daljes në vend dhe një instrument i rrjedhjes në drejtim të kundërt do të ndihmojnë në përforcimin e sigurisë së furnizimit, ndërsa ekziston edhe një mundësi për zhvillimin e depozitave të gazit natyror në Fier.
Kjetil Tungland, Drejtori Menaxhues i TAP, tha: “Sot vendoset një tjetër gur i rëndësishëm themeli për Projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik, duke treguar edhe njëherë gatishmërinë tonë për të përmbushur afatet kohore të Konsorciumit të Shah Deniz-it. Si një nga burimet më të mëdha të investimeve të huaja në Shqipëri deri tani, TAP- do të sjellë një sërë përfitimesh të drejtpërdrejta dhe jo të drejtpërdrejta, përfshirë investime domethënëse në vend dhe hapjen e vendeve të punës.
“Do të dëshironim të falënderonim Qeverinë shqiptare për mbështetjen e saj të vazhdueshme për arritjen e marrëveshjes së sotme dhe mirëpresim punën e përbashkët për realizimin e TAP-it dhe për arritjen e të gjitha përfitimeve që ai do t’i sjellë Shqipërisë.”
TAP-i do të përforcojë sigurinë dhe diversitetin e energjisë në Evropë duke siguruar një burim të ri gazi. Gazsjellësi do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Deniz II në Azerbajxhan, përmes Greqisë dhe Shqipërisë, për në Itali, prej ku mund të transportohet më tej për në Evropën Perëndimore.
Pjesa e Shqipërisë ku do të shtrihet tubacioni TAP do të fillojë në Bilisht Qendër në rajonin e Korçës në kufirin Shqiptaro-Grek dhe do të shtrihet për rreth 209 km deri në zonën bregdetare në veri të Fierit ku do të futet në Detin Adriatik. Pjesa detare shqiptare do të jetë 60 km e gjatë.

Berisha pret në takim delegacionin e kompanisë TAP, kryesuar nga Z.Kjetil Tungland
Sot, Kryeministri priti në takim delegacionin e kompania TAP kryesuar nga Menaxheri i Përgjithshëm Z.Kjetil Tungland. Takimi u zhvillua në kuadrin e firmosjes së Marrëveshjes Pritëse Qeveritare ndërmjet Republikës së Shqipërisë e TAP AG, sot, në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Z.Tungland shprehu mirënjohjen e tij për progresin e arritur në negocimin e Marrëveshjes Pritëse Qeveritare si një dokument i rëndësishëm që rregullon marrëdhëniet e  Shqipërisë me kompaninë TAP AG për përmbushjen e projektit të gazsjellësit TAP. Marrëveshja, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së projektit, përfshin parashikimet ligjore rreth aspekteve rregullatore e të lejeve, trajtimit ekonomik-fiskale, si dhe aspekteve mjedisore e sociale të projektit në territorin shqiptar. Z.Tungland shprehu mirënjohjen edhe për ratifikimin në Parlament të Marrëveshjes Ndërqeveritare mes Italisë, Shqipërisë e Greqisë rreth projektit të TAP-it. Të dyja marrëveshjet e arritura janë pjesë themeltare të paketës në mbështetje të aplikimit të TAP pranë Konsorciumit të Shah Deniz-it.
Kryeministri ritheksoi angazhimin e qeverisë shqiptare në mbështetje të plotë të projektit të TAP- it. Nënshkrimi i marrëveshjeve në fjalë është shprehje e seriozitetit maksimal të qeverisë shqiptare përkushtuar negocimit me kompaninë TAP. Ai shprehu bindjen se projekti TAP është projekti më fizibël i plotësuar më të gjithë kuadrin dokumentar të një cilësie të lartë, i nevojshëm për shqyrtim nga Konsorciumi i Shah Deniz-it.
Konsorciumi i Shah Deniz-it pritet të japë vendimin përfundimtar për përzgjedhjen mes projekteve TAP e Nabucco  brenda qershorit 2013.

energjia.al, 05.04.2013