Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Turqit marrin distribucionin edhe prona qindra milionëshe

Kanë mbetur edhe pak javë përpara se konzorciumi “Çalik&Limak”, ta marrë në duar distribucionin e Kosovës. Pas një procesi aspak transparencë janë të paktë ata që e dinë se çfarë realisht i është dhënë turqve për 26 milionë euro, nuk është bërë e ditur se çfarë do të marrë në pronësi nga kjo shitje Limak.
Izet Mustafa nga Sindikata e Punëtorëve të KEK-ut, tregon se asnjëherë nuk iu është bërë e ditur në detaje se çfarë realisht ka blerë Limak nga ky privatizim.
Jo vetëm punëtorët, por as shoqëria civile e cila është marrë me këtë privatizim, dhe as opozita nuk janë në dijeni për detajet e pronave që do t’i marrë në duar kompania turke.
Por, në të vërtetë Limak ka privatizuar objekte dhe prona në vlerë qindra miliona euro. Gazeta “Zëri” ka mësuar kohë më parë se Limak do të marrë në duar ndërtesën e “Elektrokosovës” në Prishtinë, me 10 mijë e 703 metra katrorë me 34 arë tokë dhe shtatë objekte tjera të “Elektrokosovës”, në të gjitha qendrat e Kosovës, në kuadër të tyre edhe 19 objekte të nëndistrikteve, depon qendrore në Zonën Industriale në Prishtinë, me një sipërfaqe prej 4 hektarësh e 53 arë e 29 metra katrorë, 33 trafo aktive të tensionit 35/10kilovolt, 7000 trafo të tensionit 10/0.4kilovoltë, 21 mijë kilometra përçues ajrorë dhe nëntokësorë, 100 mijë shtylla elektrike nivelesh të ndryshme dhe 1000 automjete të distribucionit.
Këto të dhëna i ka bërë të ditur, Fehmi Pajaziti, kryetar i Federatës së Sindikatave të Pavarura “Elektrokosova”.
“Jam i gatshëm kurdoherë t’ju ofroj të gjitha dokumentet e këtyre pronave që kanë vlera marramendëse”, ka thënë të premten Pajaziti, për të shtuar se për të gjitha këto janë dokumentacionet kadastrave që tregojnë në detaje.
Monopolizim me jotransparencë
Rreth shitjes së këtij aseti të rëndësishëm, i cili në të njëjtën kohë do të monopolizojë tregun, nuk dinë shumë as zyrtarët e institutit “Riinvest”. Kjo pasi që, sipas tyre, pothuajse asgjë nuk është transparente në shitjen e Distribucionit. Madje, druajnë se do ta ketë fatin e njëjtë me CEZ-in në Shqipëri.
Muhamet Sadiku nga Instituti Riinvest, ka thënë se ende ka gjëra të cilat nuk janë qartësuar dhe këto gjëra, sipas tij, e kanë koston e vet të cilën thotë se do ta paguajmë të gjithë ne.
“Do të dalin në sipërfaqe mosmarrëveshje të shumta, është rrezik që edhe me rastin e shitjes po e krijojmë një monopol të ri dhe kjo nuk është në pajtim me liberalizimin e tregut energjetik.
Duhet transparencë, të diskutohet hapur se çka kemi shitur dhe në çfarë rrethanash kemi shitur dhe cilat do të jenë përfitimet e qytetarëve nga kjo shitje”, ka thënë Sadiku.
Sipas tij, me gjithë këtë mostransparencë ka gjasë që të ketë fatin e njëjtë me CEZ-in e Shqipërisë. “Kemi rastin e Shqipërisë kur pronari i ri dhe Qeveria e Shqipërisë kanë hyrë në probleme serioze, probleme të cilat mund të dalin edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe pronarit të ri”, ka thënë ai.
Ndërsa sa i përket premtimit të qeverisë se nuk do të ketë ngritje të çmimit të rrymës, Sadiku i ka quajtur deklarata joserioze pasi që sipas tij, asnjë qeveri në botë nuk mund të bëjë ndërhyrje me qëllim të bllokimit të lëvizjes së çmimeve.
Sa u përket deklaratave të qeverisë se nuk do të ketë ngritje të çmimit të rrymës, Avni Zogiani nga Organizata “Çohu” ka thënë se e gjitha është spekulim e tyre për të kaluar momentin e tensioneve nga protestat. Një gjë e tillë, sipas tij, nuk është në kompetencë të qeverisë.
“Mendoj se ka qenë një manipulim i ministrit Besim Beqaj me opinionin. Ai edhe ashtu duket se nuk do të jetë shumë gjatë ministër i Zhvillimit…, kështu që në momentet që konfirmohet se ai ka manipuluar me opinionin, ai nuk do të jetë aty për t’u përgjigjur”, ka thënë Zogiani.
Edhe Zogiani paralajmëron se mund të ndodhë gjendja e njëjtë sikur në Shqipëri “Kam frikë se situata do të jetë më e rëndë sesa në Shqipëri, ku rregullatori u detyrua që t’ia marrë licencën operatorit CEZ, mendoj se këtu do të jetë akoma më e vështirë situata për shkak se qeveria praktikisht është provuar se është e kapur nga ky grup i interesit që nuk do të ketë asnjë lloj fuqie që të mbrojë qytetarin e Kosovës, në raport me këtë kompani”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, mbetet e paqartë se çfarë në të vërtetë ka në pronësi Distribucioni i KEK-ut, i cili iu shit konsorciumit Çalik&Limak.
Rryma do të shtrenjtohet
Nezir Sinani nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm – KOSID, ka thënë se shitja e distribucionit dhe furnizimit të sektorit të energjisë elektrike është skandaloze në çdo aspekt. Kjo, sipas tij, duke u nisur nga mungesa e transparencës, monopolizimi i tregut të furnizimit me energji elektrike, çmimi qesharak i shitjes së tij e deri te marrëveshja për investime prej 300 milionë eurosh.
Ndërsa ngritja e çmimit të rrymës, sipas tij, do të ndodhë edhe përkundër deklaratave të qeverisë se nuk do të ketë pasi që kjo parashihet edhe me kontratë.
“Investimi prej 300 milionë eurosh është kushtëzuar me kthimin e këtij investimi përmes ngritjes së çmimit të energjisë elektrike nga ZRRE përgjatë 15 vjetëve në vijim. Vendimi i qeverise që këtë vit të mos ketë ngritje të çmimit, pas presionit qytetar për çmime te fryra te energjisë paraqet problemin e parë për kompaninë private por edhe për qytetarët, meqenëse mungesa e rritjes këtë vit do të reflektojë në ngritje më të mëdha në vitet pasuese”, ka thënë Sinani.
Sipas tij, qeveria e vendit duhet të harrojë politika të reja të drejtuara kah ulja më e shpejtë e humbjeve komerciale dhe atyre teknike, si dhe të drejtojë investimet kah efiçienca e energjisë.
“Me uljen e humbjeve dhe ngritjen e efiçiencës, kërkesa për energji do të bjerë deri për 30 % dhe në dispozicion mund të ketë deri më 65% me shumë energji elektrike për konsum. Kjo energji në dispozicion mund të shfrytëzohet për investimet e nevojshme në rrjet pastaj dhe kthimi i këtij investimi nuk do të prekte xhepin e qytetarit”, ka thënë ai, duke shtuar se përmes politikave aktuale të qeverisë, privatizimi i distribucionit është proces i dështuar nga fillimi.
Agron Demi nga Instituti GAP, ka thënë se në kontratën e shitjes së Distribucionit thuhet se investimet prej 300 milionë eurosh do të bëhen vetëm nëse ZRRE-ja i reflekton këto investime në çmimet e energjisë.
“Se ngritja e çmimit të energjisë është kusht për Kosovën, këta e ka deklaruar shumë herë edhe këshilltari i transaksionit nga IFC (Bernard Atlan), i cili në disa paraqitje të tij për media kishte potencuar se rritja e çmimit të energjisë është “karremi” i vetëm që Kosova mund t’u ofrojë investitorëve potencial”, ka thënë Demi.

Gazeta Zeri, 30.03.2013