Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bashkitë: OSHEE të marrë taksën e pronës vetëm pas votës së këshillave

Ndërsa taksa e pronës, sipas formulës së re të caktuar me vendim qeveria ka hyrë tashmë në fuqi, Ministria e Financave dhe Ekonomisë u ka dërguar një projektvendim për mendim, disa institucioneve, si: Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme, asaj të Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkive Tiranë, Durrës, Korçë, Fier, Shkodër, Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë. Në këtë projektvendim kërkohet që OSHEE të caktohet agjent për mbledhjen e taksës së ndërtesës. “Shoqëria OSHEE sh.a, në cilësinë e agjentit të mbledhjes së taksës, bën arkëtimin e taksës së ndërtesës nëpërmjet faturës së energjisë elektrike të gjeneruar nga sistemi. Po ashtu projektvendimi sqaron se për punën e tij si agjent në mbledhjen e taksës së ndërtesës, OSHEE do të mbajë një komision prej 4% të shumës gjithsej, të arkëtuar nga taksa e ndërtesës për çdo njësi të vetëqeverisjes vendore.

Projektvendimi parashikon që kjo formë e re e arkëtimit të taksës së ndërtesës të hyjë në fuqi nga 1 janari 2019. Përgjigja Por, qëndrimi i parë zyrtar për këtë propozim nga ardhur nga shoqata e Bashkive, e cila hedh një sërë kritikash, qoftë për arsyet pse është caktuar OSHEE si agjent i vjeljes, interesin që mban ky institucion, qoftë edhe për autonominë vendore, e cila në konstatim cenohet. Mbi këtë projektvendim, shoqata sugjeron se OSHEE mund të jetë një nga agjentët tatimor, por vetëm nëse merr aprovimin nga Këshillat Bashkiakë. Por përcaktimi si agjent tatimor, të mos ketë fuqi detyruese si agjenti i vetëm unik dhe imponues për bashkitë. “Bashkitë kanë të drejtën dhe duhet ta vendosin vetë me vendim të Këshillit Bashkiak nëse OSHEE do të shërbejë si agjent. Bashkia duhet të negociojë me Agjentin, qoftë OSHEE apo cilindo tjetër agjent, lidhur me komisionin dhe afatin e shtrirjes kohore sic e përcakton legjislacioni. VKM nuk mund të vendosë përqindje fikse (4%) pasi sipas rastit dhe natyrës së bashkisë komisioni mund të jetë i ndryshueshëm”, shkruhet në qëndrimin zyrtar të Shoqatës. 

Duke iu referuar historisë, Shoqata shkruan kujton se përcaktimi i agjentit tatimor, institucion në varësi të qeverisjes qendrore, ka rezultuar problematike për Bashkitë. “Duke kthyer kokën pas, në vite, eksperienca të tilla, ku institucione të qeverisjes qendrore, kanë ushtruar funksionin e agjentit tatimor me vendim të këshillit të ministrave për Bashkitë, ka sjellë anarshi, reduktim të të ardhurave vendore, pasaktësi në llogaritjen dhe mbledhjen selektive të të ardhurave nga taksapaguesit. Një ndër eksperiencat më problematike është funksionimi i Drejtorive Rajonale Tatimore si agjent tatimor për bashkitë për mbledhjen e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin të biznesit të vogël. Bashkive menjëherë iu reduktuan të ardhurat. Agjentët nuk funksionuan si të tillë. Sistemi u fut në një anarshi kur bëhej fjalë qoftë për llogaritjen, mbledhjen dhe rakordimin e të ardhurave të mbledhura. Bashkitë nuk kanë akses kontrolli mbi sistemet e përdorura nga institucionet në varësi qendrore dhe kjo bën që shpesh këto institucione të mos deklarojnë me transparencë të plotë të ardhurat e mbledhura, e për rrjedhojë të derdhin sa “tu teket” në llogaritë përkatëse të të ardhurave të Bashkive”, shkruan Shoqata.

Gazeta Shekulli,  23.08.2018