Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Drejtuesit e TAP njoftojnë mbylljen e fazës projektuese të gazsjellësit

Trans Adriatic Pipeline ka përfunduar fazën projektuese për gazsjellësin që do të transportojë gazin e Azerbajxhanit në Europë, duke kaluar edhe në Shqipëri. Lajmi konfirmohet nga vetë drejtuesit e TAP, të cilët thonë se po përgatiten tashmë për fazën e radhës si detajet inxhinierike, nisjen e procesit të tenderimit për tubat metalikë dhe ndërtimin e gazsjellësit.
Kështu ekipi i inxhinierëve ka finalizuar përcaktimin e parametrave kyç teknikë për gazsjellësin ndërsa projekti paraprak përshkruan edhe aspektet logjistike që nevojiten për ndërtimin e gazsjellësit, si burimet, makineritë, afatet kohore dhe infrastruktura e nevojshme për të ndërtuar mbi 800 km gazsjellës përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Detit Adriatik për në jug të Italisë.
TAP njofton se në këtë fazë ka mobilizuar ekspertizën e dy aksionerëve të projektit, norvegjezin Statoil dhe gjermanen E.ON Ruhrgas, që të dy specialistë kryesorë në këtë fushë. Kështu TAP dhe dy kompanitë e sipërpërmendura kanë përfshirë mbi 40 nënkontraktorë dhe 200 inxhinierë për të përfunduar hartimin e projektit.
“Është dashur një punë e madhe inxhinierike për të analizuar në detaje të gjitha aspektet teknike të rrugës që do të përshkojë gazsjellësi dhe për të identifikuar zgjidhjet më të mira dhe më efektive për transportimin e gazit të Shah Deniz drejt Europës”-ka deklaruar drejtori menaxhues i TAP, Kjetil Tungland.
Raporti i këtij projekti tashmë do t’i dorëzohet nga TAP, Shah Deniz në 31 mars, ndërsa vetë konsorciumi ka planifikuar të marrë një vendim brenda muajit qershor për të përcaktuar itinerarin ku do të kalojë gazsjellësi. Ndërtimi i gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline është planifikuar të nisë në fund të 2014-ës dhe është parashikuar të përfundojë brenda vitit 2018 në kohë për transportimin e parë të gazit nga Shah Deniz II në Azerbajxhan.

www.balkanweb.com, 28.03.2013