Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia, humbjet në rrjet arritën në 40% në 2012, nga 28% në 2011-n

Rreth 40% e energjisë që hidhet në rrjet ka humbur përgjatë vitit 2012, bëri të ditur INSTAT në bilancin e energjisë elektrike për vitin 2012. Kjo shënon një rritje të ndjeshme në krahasim me vitin 2011, kur humbjet në rrjet ishin rreth 28% të totalit.
Shtimi i humbjeve në rrjet ishte një nga arsyet kryesore që e shtynë qeverinë që të hiqte licencën e operatorit çek të shpërndarjes, CEZ, në janar të vitit 2013 dhe të marrë vetë administrimin e kompanisë, ndërkohë që dy palët pritet që të takohen në gjyq.
Në qershor 2009, kur kompania CEZ mori drejtimin e OSSH (sot “CEZ Shpërndarje”) niveli i humbjeve ishte 30.75%. Sipas targeteve të vendosura mes palëve kur OSSH u privatizua, humbjet duhet të uleshin në 15% pëgjatë një afati të caktuar kohor, që do të thotë se sipas grafikut, në vitin 2012 duhet të ishin 24%, por ato realisht janë gati dy herë më të larta.
Në total, sipas INSTAT Energjia elektrike në vitin 2012 u rrit me 5.8 përqind, krahasuar me vitin 2011. Sasia e energjisë së prodhuar dhe asaj të importuar arriti vlerën 7,969 GWh.
Prodhimi total i energjisë elektrike në vend u rrit me 5.7 përqind, krahasuar me vitin 2011. Sasia totale e prodhuar është 4,288 GWh dhe përbën 53.8 përqind të burimeve gjithsej të energjisë.
Në vitin 2012 burimi kryesor i prodhimit të energjisë elektrike ishte prodhimi në hidrocentrale që përbën 94.4 përqind të prodhimit total.
Rritja në sasinë e energjisë së prodhuar prej HEC-ve, me 3.2 përqind krahasuar me vitin 2011. Prodhimi i energjisë nga impiantet private e me konçension, e cila përbën 5.6 përqind të prodhimit në vend, pati një rritje me 76.0 përqind krahasuar me vitin 2011.
Importi (përfshirë këmbimet) i energjisë elektrike pati një rritje prej 5.9 përqind krahasuar me vitin 2011. Në vitin 2012, sasia e importuar (përfshirë këmbimet), arriti vlerën 3,682 GWh nga 3,475 GWh në vitin 2011. Ajo përbën 46.1 përqind të sasisë së burimeve gjithsej në vitin 2012 nga 46.1 përqind në vitin 2011.
Humbjet në rrjet janë rritur me 49.1 përqind në krahasim me vitin 2011. Sasia e humbjeve totale për 2012 është 3,250 GWh. Ato përbëjnë 40.8 përqind të sasisë së energjisë disponibël për përdorim. Humbjet në shpërndarje janë rritur me 53.6 përqind në krahasim me vitin 2011. Ato vazhdojnë të zënë pjesën më të rëndësishme të humbjeve në rrjet me 94.8 përqind.
Përdorimi nga konsumatorët në vitin 2012 është ulur me 13.3 përqind krahasuar me vitin 2011. Sasia e disponueshme për konsum final arriti vlerën 4,363 GWh dhe përbën 54.7 përqind të sasisë totale të energjisë elektrike për përdorim.
Energjia e konsumuar nga sektori i familjes gjatë vitit 2012 ka pësuar një rënie prej 16.4 përqind. Ky sektor ka konsumuar 49.6 përqind të sasisë së energjisë të disponueshme për konsum final.
Sasia e energjisë elektrike të konsumuar nga përdoruesit e tjerë është ulur me 9.9 përqind krahasuar me vitin 2011.

Revista Monitor, 21.03.2013

Ketu mund te gjeni raportin e plote te INSTAT