Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nesër përsëri protesta kundër KEK-ut në Kosovë

Grupi i Qytetarëve të Organizuar Institucionet e vendit nuk po funksionojnë. Ne qytetarët e Kosovës si tatimpagues të Republikës presim shërbime nga shteti. Hetimi, vënia para përgjegjësisë e fajtorëve për ata që i shkaktojnë dëme shoqërisë sonë, i takon institucioneve për të cilat ne paguajmë tatime. Institucionet e Kosovës nuk janë duke funksionuar. Hajnia që filloi hapur me KEK-un po na del të jetë përbashkues i institucioneve të Republikës. Për vjedhjen ndaj qytetarëve, asnjë nuk u shkarkua, asnjë nuk u dorëhoq, asnjë nuk u vu përpara drejtësisë, për më tepër, u luajt me qytetarët e Kosovës, u përçmuan protestuesit dhe u relativizua gjithçka.
Qytetarët e Kosovës kërkojnë drejtësi. Qytetarët e Kosovës tashmë kanë treguar, do ta dëshmojnë në vazhdim se janë kundër hajnisë dhe për zhvillimin e shtetit.
Raportet e fundit të Zyres së Rregullatorit të Energjisë dhe të Avokatit të Popullit i kanë konfirmuar dyshimet e qytetarëve për vjedhje të planifikuar në tërë Republikën e Kosovës. Në këto raporte thuhet që për qytetarët e Kosovës pjesa më e madhe e të ardhurave të tyre po u duhet për ta paguar energjinë elektrike. Grupi i Qytetarëve të Organizuar për çështjen e KEK-ut e mbanë përgjegjëse Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrin e saj Besim Beqaj i cili duhet të dorëhiqet, Bordin e Drejtorëve të KEK-ut i cili gjithashtu duhet shkarkuar, Zyren e Rregullatorit të Energjetikës e cila duhet të garantojë publikisht se do të rishikohen çmimet e energjisë elektrike ashtuqë të ulen ato.
Duke e parë papërgjegjësinë institucionale Grupi i Qytetarëve të Organizuar, në bashkëpunim me organizata joqeveritare, organizata studentore, shumë qytetarë, thërret për marshin protestues paqësor “NDALE HAJNINË – ZHVILLOJE SHTETIN”, të premten 22 mars 2013, duke filluar nga ora 12:00, përpara selisë së KEK-ut, prej ku edhe kanë filluar të gjitha protestat tjera.
Kërkesat e kësaj proteste janë:
•    Hetimi i plotë i veprimtarisë së KEK-ut rreth manipulimit të faturave që nënkupton edhe sqarimin e vënies së orëve digjitale dhe kalibrimit të tyre gjë e cila duhet të rezultojë me vënien e fajtorëve para drejtësisë
•    Rishikimi i politikave tarifore nga ZRrE me ç’rast do të ulen çmimet e energjisë elektrike
•    Të hetohen dhe të vihen para drejtësisë të gjithë pjesëmarrësit në korrupsion pavarësisht pozitës politike që mbajnë, ashtuqë të kthehet besimi i qytetarëve në institucione të cilat vërtetë funksionojnë dhe punojnë në të mirën e tyre
Në konferencën për medie që u mbajt sot, për ta thirrur protestën e radhës folën:
Yll Rugova i cili ndër të tjera theksoi rëndësinë që ka pranimi nga ZRrE përmes raportit të fundit dhe konfirmimi nga raporti i Avokatit të Popullit që vjedhja dhe planifimikmi për të janë bërë me vetëdije.
Avni Zogiani i cili po e mbështet protestëntha se mobilizimi i qytetarëve për të protestuar kundër krejt proceseve të cilat po shkojnë në dëm të qytetarëve, siç ishte privatizimi i KEK-ut për vetëm 26 milion euro, është shumë shpresëdhënëse që në Kosovës situata do të përmirësohet.
Bim Bima në emër të komunitetit të artistëve dhe si një artist që njihet si përfaqësues i zërit të skamjes, ftoi qytetarët për pjesëmarrje masive në marshin e së premtes për siç u shpreh ai “vjedhjen sistematike që po u bëhet qytetarëve të vendit”.
Grupi i Qytetarëve të Organizuar thërret të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të marrin pjesë në manifestime paqësore në institucionin e vetëm të pakorruptuar e funksional, në protestë. Ta ndalim hajninë dhe ta zhvillojmë shtetin!

energjia.al, 21.03.2013