Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qeveria u jep austriakëve koncesionin e “ngjyrosjes” së naftës

Miratohet licensa e kompanive “Global Fluids International”, S.A., dhe “Petroleum Consulting Partners”, A.G. për markimin e karburanteve.
Kundërshton Shoqata e Hidrokarbureve: “Rrit koston dhe çmimin e produktit. Gjithë Evropa e ka falas këtë shërbim”.
-Dy kompani private do të markojnë naftën në Shqipëri. Tregtarëve të naftës u shtohet një kosto, e cila do të transferohet tek konsumatorët. Vendimi është marrë e qeveria, e cila i ka dhënë me koncesion për 10 vjet shoqërive “Global Fluids International”, s.a., dhe “Petroleum Consulting Partners”, A.G, kontrollin e naftës, të cilat pritet të marrin 150 milionë euro nga ky shërbim. Kontrata parashikon që kompanitë të kontrollojnë naftën që hidhet në treg dhe të vendosin ngjyrën e saj sipas përdorimit. Deri tani këtë proces e kryenin kompanitë që tregtonin “arin e zi”. Përfaqësues të shoqatës së hidrokarbureve kundërshtojnë vendimin e qeverisë me argumentin se shtesa e një hallke të panevojshme për ngjyrosjen e naftës do të shtojë kostot për ta, e cila padyshim do të pasqyrohet në treg dhe barrën e saj do ta paguajë konsumatori.
Vendimi
Këshilli i Ministrave vendosi dje miratimin e kontratës se koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit t? karburanteve, të lidhur ndërmjet ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Global Fluids International”, s.a., dhe “Petroleum Consulting Partners”, A.G. Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, por detajet e kontratës janë bërë të ditura nga burime pranë Ministrisë së Financave. Sipas të njëjtave burime mësohet se konsorciumi, i udhëhequr nga austriakët, ka nisur të lidhë kontratën, me afat 10 vjet.  Kontrata për dhënien me koncesion të shërbimit të markimit të naftës është nënshkruar rreth një vit më parë. Burime nga financat bëjnë të ditur se procesi i shënjimit të naftës ka lidhje me injektimin e një sasie shënuesi në karburant në nivel molekular. Sasia e injektuar është minimale dhe mund të identifikojë saktë ndryshimet e karburantit në një saktësi dhe besueshmërinë shumë të lartë. Shënuesi zakonisht është unik, i cili përcakton ngjyrën e naftës për të dalluar cilësinë e tij  injektohet në çdo lloj karburanti, nuk e ndryshon karburantin apo vetitë e tij, është i paimitueshëm, është i padukshëm dhe nuk mund të fshihet ose të ndryshohet, është i qëndrueshëm në të gjitha kushtet klimaterike dhe ka një jetë shumë të gjatë. Në të gjitha vendet e botës ky shërbim kryhet pa asnjë lloj kostoje, por në vendin tonë kompanitë koncensionare kanë parashikuar edhe koston, të cilën Ministria e Financave e ka pranuar që ne momentin e nënshkrimit të kontratës. Mbas shënjimit, nafta është shumë e lehtë që të gjurmohet dhe analizohet. Në këtë mënyrë plotësohet cikli i kontrollit të naftës, duke ulur mundësinë e abuzimit.
Hetimi
Shoqata e Hidrokarbureve në një letër drejtuar Autoritetit të Konkurrencës i kërkon kësaj të fundit që të hetojë monopolin e krijuar me koncesionin e markimit dhe monitorimit të karburanteve në Republikën e Shqipërisë. Shoqata e cilëson të padrejtë këtë monopol, si dhe të panevojshëm shërbimin shtesë të markimit të karburanteve, që rrezikon rritjen e mëtejshme të çmimeve të karburanteve. Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve vlerëson se kompania që ka fituar koncesionin krijon dhe mban një koncesion që mbetet absolutisht monopol në këtë sektor dhe se tarifa e caktuar për këtë shërbim nga 200 lekë/1000 litra që ishte paraqitur nga ofertuesit është finalizuar në shumën 614 lekë/1000 litra karburant, ose e konvertuar në ton, do të thotë 6,5 euro/ton karburant. Kjo tarifë është shumë më e lartë se sa vetë fitimi i kompanive, matur për njësi. Shoqata i ka kërkuar Ministrisë së Financave që në fazën e nënshkrimit të kontratës që të anulonte këtë vendim. Shoqata e Hidrokarbureve i ka kërkuar Autoritetit të Konkurrencës ndërhyrjen e menjëhershme për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve.
Luigj Aliaj: Kryetar i Shoqatës së Hidrokarbureve
Dhënia me koncesion e markimit të karburantit shihet jo vetëm si e panevojshme nga Shoqata e Hidroharbureve, por edhe si një kosto shtesë e cila do të pasqyrohet në treg. Qeveria i jep një kompanie të huaj 15 milionë euro në vit, për një shërbim që deri tani kryhej vetë nga firmat që tregtonin naftë dhe deri tani këto para i merrte buxheti i shtetit. Luigj Aliaj, në një prononcim për “Shekulli”-n tha se markimi i karburanteve në gjithë botën kryhet pa asnjë lloj pagese, vetëm në vendin tonë qeveria e jep këtë shërbim kundrejt pagesës.
Si e vlerësoni vendimin e qeverisë për dhënien me koncensiont të markimit të naftës?
Ky vendim nuk zgjidh asnjë problem, përkundrazi do të rrisë çmimin në treg sepse është një kosto shtesë për kompanitë të cilat padyshim do ta pasqyrojnë rritjen e çmimit në treg dhe faturën do ta paguajnë qytetarët. Në të gjithë Evropën markimi i naftës është falas, vetëm në vendin tonë ky shërbim jepet me koncesion dhe të kryhet kundrejt një pagese.
Çfarë procesi do të kryejë koncensionari?
Procesi i markimit është vetëm për t’i dhënë ngjyrën naftës për dallimin e saj nga njëra tek tjetra. që do të thotë nafta që përdoret për peshkim të ketë një ngjyrë të caktuar nafta për industri ngjyrë tjetër edhe ajo për treg për makinat një ngjyrë tjetër.
Kush e kryente deri tani këtë proces?
Deri tani ky proces kryhej nga kompanitë që importojnë naftë që në momentin që ajo hynte në port. Kontrollin për këtë proces e kryesen IQT-ja dhe doganat. Kompani që ka marrë të drejtën për markim, ka kompetencë vetëm të kryejë ngjyrosjen dhe të njoftojë IQT-në ose doganat në rastet kur shikon se nafta nuk është e markuar.
Sa do të jetë kostoja për këtë shërbim?
Sipas Kontratës që ka nënshkruar Ministria e Financave do të jetë rreth 7 euro për ton. Kompania do të sigurojë të ardhura rreth 15 milionë euro në vit ose 150 milionë euro, për 10 vjetët e ardhshme pasi kontrata parashikon t’i mbetet ky shërbim për 10 vjet. Ndërkohë shteti ka funksionale disa nga entet e tij që veprojnë në sektorin e hidrokarbureve si Drejtoria e Metrologjisë dhe Kalibrimit, Drejtoria e Markave dhe Patentave, Drejtoria e Standardizimit, Drejtoria e Mbrojtjes së Konsumatorit apo edhe Inspektorati Qendror Teknik si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, që kryejnë të njëjtin proces dhe madje më shumë se kompania e koncesionuar, ne pyesim se përse duhet një kompani e tillë, më të tilla kosto shërbimi. Kujtojmë që produkti vjen nga importi, i markuar nga rafineritë prodhuese të certifikuara me standardet e BE-së.
Koncensionet
1.Në vitin 2009 kompania zvicerane “SGS Automotive Albania” merr koncesionin e kontrollit autoteknik të automjeteve, e cila më parë bëhej nga Drejtoria e Përgjitshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, kontroll i detyruar i mjeteve.
2.Koncensioni i prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit, të cilat i prodhon  kompania Sagem, dhënia me koncesion në vitin 2008 firmës franceze “Sagem” e drejta për të prodhuar dokumentet e identifikimit në vendin tonë.
3.Jepet me koncesion për 35 vjet terminali i kontenierëve në Portin e Durrësit. Ministri i Transporteve ka firmosur  marrëveshjen me kompaninë “Kurum”, e cila do të administrojë terminalin.
4.Në muajin Shtator 2012 Ministria e Financave  dhënë me koncensin prodhimin e  pullave të akcizës dhe pullave fiskale në produktet e duhanit, birrës dhe alkoolit.
5.Në vitin 2012 u dha me koncesion kontrolli fizik i mallrave që do të hyjnë dhe do të dalin në doganat shqiptare. Pajisja e kontrollit do të instalohet nga një kompani private. Deri tani ky proces kryhej nga punonjësit e administratës tatimore, doganierët.
6.Në fund të vitit 2012 është dhënë me koncesionin e menaxhimit të lotarisë kombëtare ashtu siç pritej kompaninë austriake “Austrian Lotteries”. Kompania do të ketë një xhiro 500 milionë euro të vlerës së licencës në tri vitet e fundit si kusht financiar, kurse për sa u përket kushteve teknike, eksperienca e kompanisë duhet të shkojë deri në 15 vjet.
Ngjyrosja e naftës në BE, me kosto zero
Markimi i naftës është një kriter i vendosur nga vendet e Bashkimit Evropian, të cilat e aplikojnë një procedurë të tillë, nisur nga fakti se shkalla e akcizës është e diferencuar. Nisur nga qëllimi i përdorimit të naftës: ndryshe taksohet nafta për makinat, ndryshe për bujqësinë, për avionët, anijet etj përcaktohet edhe ngjyra e saj për të bërë diferencimin edhe në treg. Duke qenë se akciza është e ndryshme (jo si te ne, e unifikuar 37 lekë litri i naftës), vendet e BE-së aplikojnë formën e markimit të naftës, duke i detyruar kompanitë të vendosin një lloj boje, si formë për të shmangur abuzimet, por edhe në këtë pikë, ndryshe nga sa po miraton qeveria shqiptare, kompanitë në BE e sigurojnë vetë bojën, kundrejt çmimit konkurrues që nuk shkon më shumë se 0.4 cent euro për ton, mjafton të përmbushin standardet e kërkuara me ligj. Për naftën e makinave nuk vendoset bojë, pasi standardi është i njëjtë, mjafton të jetë 10 ppm.

Gazeta Shekulli, 14.03.2013