Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qeveria dhe biznesi presin lekët e “Kurum”

Presidenti e bëri të vetën, dekretoi me nxitim marrëveshjen e shitjes së katër hidrocentraleve për 109.5 milionë euro te firma private “Kurum”, turqit e njohur të Metalurgjikut të Elbasanit. Ishte kërkesë e Kryeministrit për t’i dhënë drejtim sa më shpejt procesit, në mënyrë që rruga për derdhjen e parave në arkën e shtetit të ishte po e shpejtë.
Qeveria shqiptare ka nevojë për paratë e privatizimit të katër HEC-ve, Ulëz, Shkopet, Bistrica I dhe II, në kushtet e një krize likuiditeti, ndërsa faturat e papaguara ndaj subjekteve private sa vijnë dhe akumulohen.
Me dekretin e Presidentit marrëveshja pritet të jetë gati për zbatim brenda 45 ditëve, ose më saktë në këtë periudhë, qeveria do të ketë mundësi të marrë shumën e rreth 110 milionë eurove. Brenda kësaj periudhe palët mbyllin detajet e fundit të kontratës, ndërsa bankat njihen me transfertat përkatëse.
Lekët do të derdhen menjëherë, të gjitha në një këst të vetëm, siç janë, pa llogaritur rimbursimet e TVSH-së, të cilat janë rreth 2 milionë euro. Këto detyrime qeveria ia njeh “Kurumit”, por nuk do t’i bëhen zbritje, thjesht do të procedohet sipas parashikimit të ligjit “Për TVSH-në”.
Nuk është vetëm qeveria që po pret paratë. Biznesi vazhdon të mbajë radhën në degët e thesarit për likuidimin e faturave të prapambetura. Borxhi i akumuluar mendohet të jetë të paktën 150 milionë euro, ku 110 milionë euro u takojnë vetëm firmave të sektorit të ndërtimit të rrugëve, të njohura nga Ministria e Financave.
Problemi i borxheve po shqetëson edhe bankat private të nivelit të dytë, të cilat po rrisin presionin ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Ky i fundit ka pasur korrespodenca të shpeshta kohët e fundit me ministrin e Financave, duke e bindur për shlyerjen e faturave. Shefi i Financave, Ridvan Bode ka pranuar se borxhet ekzistojnë dhe se do të shlyhen, por pa dhënë detaje se kur dhe si.
Në fakt, debati kur u miratua buxheti i shtetit 2013 prekte edhe nenin e përdorimit të të ardhurave nga shitja e pronës publike. Ligjet e mëparshme të buxhetit përcaktonin qartë se gjysma e të ardhurave shkonin për uljen e borxhit dhe pjesa tjetër për investime. Ndryshimi për buxhetin e këtij viti e lë evazive pjesën për borxhin dhe i jep më shumë hapësirë investimeve.
Periudha se kur do të paguhet shitja e katër HEC-eve përkon me muajin maj, periudhë kur nis fushata elektorale, nga ku zakonisht qeveritë hapin sezonin e inaugurimeve për punët publike.
Për shkak të faturave të papaguara, biznesi është futur në vështirësi edhe me bankat, ndërsa kredia me probleme ka arritur në nivelin e 22 për qind në raport me totalin, ose në vlerë afër 1 miliard euro.
Katër HEC-et kanë një kapacitet prej 78 megavatësh dhe prodhojnë në vit mesatarisht 450 mijë kilovatë, që do të thotë të paktën 20 milionë euro të ardhura, po për një vit.

Gazeta Shqip, 08.03.2013