Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Maqedonia e interesuar per furnizim me gaz nga TAP-i

Ministri i Ekonomisë Valon Saraçini priti dje në zyren e tij Ambasadorin e Republikës së Azerbajxhanit në Republikën e Maqedonisë, me seli në Ankara, E.T. Faig Begirov.
Në takim u theksua se bashkëpunimi ekonomik midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Azerbajxhanit duhet të jetë në  një nivel shumë më të lartë, përkatësisht  së bashku të intensifikohet si në nivel ndërqeveritar, poashtu edhe në nivel të Odave ekonomike dhe në nivel individual midis kompanive të të dy vendeve.
Ambasadori Begirov theksoi se Azerbajxhani në këtë moment është një mundësi shumë e mirë për bashkëpunim, sidomos duke pasur parasysh faktin se bota gjendet në  një krizë të madhe ekonomike që nuk ka goditur vendin e tij, por përkundrazi, Azerbajxhani  ka arritur një rritje prej 7.7% gjatë vitit të kaluar. Vetëm vitin e kaluar në Azerbajxhan janë investuar rreth 18 miliardë dollarë, nga të cilat ishin  7 miliardë ishin kapital privat, e që është një tregues i mirë se Azerbajxhani është një mundësi e shkëlqyer  për Maqedoninë dhe për kompanitë e Maqedonisë.
Prioritet i Republikës së Azerbajxhanit në vitin e ardhshëm është fusha e sigurisë energjetike, duke marrë parasysh faktin se ky shtet i botës është i njohur për naftë dhe gaz natyror, u theksua se Azerbajxhani është i përfshirë në të gjitha projektet energjetike rajonale, veçanërisht në fushën e ndërtimit të sistemit të gazsjellësve që do të transportojnë gaz natyror në Evropën Perëndimore, nëpërmjet Turqisë, Bullgarisë dhe Gjeorgjisë.
Ministri Saraçini theksoi se sektori i energjisë është një mundësi e mirë për bashkëpunim, veçanërisht në fushën e zhvillimit të rrjetit të gazit, duke pasur parasysh marrëveshjen e nënshkruar nga Shqipëria, Italia dhe Greqia për projektin TAP (Trans Adriatik Pipeline), që do të jetë një mundësi e mirë për Maqedoninë që të bashkohet me një krah kah Shqipëria apo Greqia dhe kështu të kontribuojë në përmirësimin e sigurisë së energjisë, veçanërisht në fushën e diversifikimit të gazit natyror që do të vjen  nga Azerbajxhani, duke marrë parasysh se Republika e Maqedonisë në këtë moment siguron gaz vetëm nga Rusia.
Ambasadori Begirov dërgoi  ftesë të hapur për Ministrin e Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë, për të organizuar një takim të përbashkët me ministrin e Ekonomisë së Republikës së Azerbajxhanit, si dhe propozimin për ngritjen e një komisioni ndërqeveritar për të punuar në përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik.
Fushat në të cilat mund të gjendet interes i përbashkët janë energjia, turizmi dhe burimet minerale, për çka Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka dërguar tashmë një memorandum për bashkëpunim në fushën e turizmit, e cila duhet të nënshkruhet në muajin prill, ndërsa  Ministri Saraçini vuri në dukje edhe nevojën për subvencionimin e operatorëve turistikë që sjellin turistë nga e Republikës së Azerbajxhanit në Republikën e Maqedonisë.
Gjatë takimit u konkludua se zhvillimi i marrëdhënieve me Azerbajxhanin do të vazhdojë të karakterizohet nga një trend pozitiv dhe dinamikë më e madhe, në fushat me interes të përbashkët për të dy vendet.

energjia.al, 08.03.2013