Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Berisha me gazetarët (pjesa energjise & naftes)

Kryeministri Berisha zhvilloi dje një bashkëbisedim me gazetarë, ku bëri të njohur detajet e paketës më re të reformave fiskale, të sapo miratuar nga qeveria.
Ne jemi një vend me specifikë të veçantë. I pasur në ujëra. Në Shqipëri ka një garë të paprecedentë për një vend, për ndërtimin e hidrocentraleve. Janë firmosur me sektorin privat kontrata për ndërtimin e mbi 330 hidrocentraleve. Dhjetëra prej tyre kanë përfunduar dhe dhjetëra e dhjetëra të tjerë janë në ndërtim. Ne duam ta nxisim këtë proces. Aktualisht hidrocentralet janë një gjenerator i rëndësishëm i vendeve të punës. Për nxitjen e saj, përveç heqjes së TVSH-së për makineritë, për turbinat, ne heqim TVSH-në për hekurin e çimenton, qoftë e prodhuar në vend apo e importit, që do të përdoren për ndërtimin e hidrocentraleve.
Pyetje: A do të përdoren paratë e HEC-eve për këtë gjë në buxhet?
Kryeministri Berisha: Ju e dini që paratë e HEC-ve dhe paratë e Albpetrolit, që oferta ishte 1 miliardë, asnjë qindarkë prej tyre nuk është e parashikuar në buxhetin e shtetit. Ne jemi zotuar se po ndodhën, ato do të kenë destinacionin e tyre, nëpërmjet parlamentit. Do të respektojmë rregullat. Por në buxhet nuk i parashikuam me qëllim, në mënyrë që suksesi ose mossuksesi i tyre të mos kishte ndikim në parashikimet tona. Pa diskutim që paratë e HEC-e do të përdoren për këto borxhe. Është Ministria e Financave që po i programon. Por nuk ka diskutim që do të përdoren për këto borxhe.
Pyetje: Ju keni deklaruar kohë më parë se në prag zgjedhjesh, nuk do të bëni as shitje e as privatizime. Përse nuk e zbatuar këtë parim, në rastin e shitjes së 4 HEC-eve, në kushtet kur ato u miratuan edhe me kundërshtime të forta?
Kryeministri Berisha: Unë i jam përmbajtur premtimit tim. Deklarata ime është se nuk do bëjmë privatizime 6 muaj para zgjedhjeve. Por kur është shpallur tenderi i HEC-eve? Ai është shpallur verën që kaloi, në mos gaboj në korrik apo gusht, pra pothuajse 1 vit para. Arsyeja se përse po bllokohet Albpetroli është pikërisht se jemi 6 muaj para zgjedhjeve. Ndërsa në rastin e HEC-eve, tenderi është shpallur 9 muaj para, është riaxhustuar, në përputhje me kërkesat e konsulentit që është Korporata Ndërkombëtare Financiare dhe çdo gjë ka përfunduar në muajin dhjetor. Nuk mund ta ndërpresësh atë, sepse ai që ka marrë pjesë në tender dhe që ka fituar tenderin, ka të gjithë të drejtat e tij ligjore, për të pretenduar për shkelje të rregullave nga qeveria. Do të ishte ashtu siç thoni ju, nëse tenderi do të shpallej në janar dhe do të vazhdohej procedura. Por nuk ka asnjë tender të shpallur në janar dhe nuk do të ketë. Unë i përmbahem me rigorozitet rregullit që qeveria në 6 muajt e fundit nuk duhet të ndërmarrë privatizime të mëdha.

energjia.al, 08.03.2013