Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Italianët e “Enel” kërkojnë me çdo kusht të bëhen aksionerë të TAP

Gjigantja italiane e energjisë, “Enel”, kërkon me çdo kusht të bëhet aksionere e projektit “Trans Adriatic Pipeline”. Për këtë ajo po vijon lotimin në instancat më të larta të shtetit italian, i cili nga ana e tij do të përdorë ndikimin e vet te palët partnere në projekt për të bërë të mundur që “Enel” të shtijë në dorë një përqindje të aksioneve të gazsjellësit. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia e lajmeve “Reuters”, sipas së cilës, bisedimet janë ende në vazhdim.
Në tetorin e vitit 2012, drejtori Ekzekutiv i ENEL, Fulvio Conti bëri të ditur se kompania është e gatshme të blejë një pjesë të gazsjellësit që do të furnizojë Europën me gazin e Azerbajxhanit.
Sipas burimeve të Reuters, ende nuk dihet sasia e aksioneve që synon të blejë kompania ENEL, por përflitet se italianët kërkojnë rreth 10-20% të aksioneve.
Drejtori i TAP-it për çështjet e jashtme, Michael Hoffman nuk ka pranuar të bëjë komente lidhur me këtë çështje, por ka thënë se tubacioni mbetet i hapur për të gjithë aksionerët e rinj.
Gazsjellësi TAP do ketë një gjatësi prej 800 kilometrash, ndër të cilat, 478 kilometra do të kalojnë në Greqi, 204 kilometra në Shqipëri, 105 kilometra në detin Adriatik dhe 5 kilometra në Itali. Pika më e lartë e tij do të jetë rreth 1800 metra, në malet e Shqipërisë, dhe ajo më e ulëta, 810 metra nën nivelin e detit, përgjatë kalimit të tij në Adriatik.
Gazsjellësi do të transportojë gaz nga Azerbajxhani në Greqi, Shqipëri, Itali dhe në Europë, fillimisht me një kapacitet prej 10-20 miliardë metra kub në vit, duke furnizuar 7 milionë familje. Dy stacionet kompresore për të siguruar transportin e gazit përmes tubacioneve, do të jenë ai i Komotinit në Greqi, pranë kufirit turk, dhe një tjetër në Fier.

www.balkanweb.com, 06.03.2013