Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Eksporti i energjisë, METE: 2 mld euro investime deri në 2015-ën

Energjia e prodhuar në vend deri në vitin 2015 do të dyfishohet, duke shkuar në 3 mijë megavat. Investimet që po kryhen në këtë sektor e mundësojnë rritjen e sasisë së energjisë së prodhuar, duke rritur mundësinë për eksport. Agim Bregasi, Drejtor i Politikave Elektroenergjetike në Ministrinë e Ekonomisë, në një intervistë për “AS”, tregon se Shqipëria do të kthehet në një vend eksportues të energjisë në rajon.
“Janë nënshkruar 127 marrëveshje koncesioni për ndërtimin e rreth 362 hidrocentraleve me një fuqi të instaluar rreth 1500 Më. Në qoftë se ndërtohen këto sipas afateve të përcaktuara, ne shkojmë në dyfishim të fuqisë së instaluar që do të thotë, plotësim të nevojave të Shqipërisë me energji elektrike, për të eksportuar energji në vendet e rajonit”,-thotë ai.
Projektet që janë në zbatim në ndërtimin e hidrocentraleve, linjave të trasmetimit të energjisë apo burimeve alternative shkojnë në miliarda euro.
“Në mos gaboj është diku te 2 mld euro”,-thekson Bregasi.
Prodhimi i energjisë nga era, dielli apo burime të tjera alternative, tashmë janë realitet në Shqipëri.
“Për energjinë e erës ka pasur interes dhe janë dhënë rreth 15 licenca nga ERE dhe nga METE. Edhe këto me një fuqi të konsiderueshme, të instaluar që natyrisht përbëjnë një alternativë për furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve. Gjithashtu edhe energjia e diellit është një burim shumë i rëndësishëm që përdoret jo vetëm në formën e saj të nxehtësisë, por edhe për të prodhuar energji elektrike. Perspektivë shumë e madhe është dhe përdorimi i gazit natyror që parashikohet të futet nëpërmjet projektit TAP”,-u shpreh Bregasi.
Sistemi elektroenergjetik në vend aktualisht prodhon një sasi energjie prej 1500 megavat. Në tre vitet e ardhshme vënia në funksion e projekteve në ndërtim do të dyfishojë prodhimin, duke e çuar në 3 mijë megavat.

TV Albanian Screen, 02.03.2013