Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Strategjia Rajonale e Energjisë jo-transparente dhe nuk siguron qëndrueshmërinë mjedisore

Organizatat e Shoqërise Civile të Evropës Jug Lindore mirëpresin përfundimet e Parlamentit Evropian mbi mangësitë e Strategjisë Rajonale të Energjisë për Evropën Jug Lindore.
Organizatat e shoqërisë civile të Evropës Juglindore shprehin vlerësimin për Komisionin E Punëve të Jashtmë të Parlamentit Evropian për organizimin në 21 Shkurt të dëgjesës publike në Parlamentin Evropian për Strategjinë Rajonale të Energjisë (SRE) të aprovuar në 18 Tetor 2012 në Malin e Zi, nga ministrat e energjisë të rajonit, dhe për mundësinë e dhënë për të diskutuar hapur mbi këtë dokument të rëndësishëm. Ky grup organizatash ku bëjnë pjesë edhe partnerët shqiptarë nga Qendra EDEN dhe Qendra “Grupimi Ekolëvizja” shpresojnë që ky event të shërbejë si një shembull pozitiv për Komisionin Evropian, Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë dhe autoritetet kombëtare në vendet respektive Evropës Jug Lindore për të gjithë konsultimet e ardhshme për këtë çështje.
Organizatat bien plotësisht dakort me përfundimet kryesore të dëgjesës publike, veçanërisht me përfundimin se Strategjia Rajonale e Energjisë (e Komunitetit të Energjisë) nuk siguron qëndrueshmërinë mjedisore të sektorit të energjisë në Evropën Jug Lindore dhe nuk duhej të ishte përgatitur në një mënyrë jo-transparente.
Duke shpresuar se Strategjia Rajonale e Energjisë do të përmirësohet (siç u rekomandua në dëgjesën publike të Parlamentin Evropian) dhe do të përditësohet sistematikisht (siç u deklarua edhe në njoftimin për shtyp që shoqëroi miratimin e Strategjisë) grupi i organizatave shpreh gadishmërinë për të marrë pjesë në proçes në mënyrë konstruktive dhe efektive.
Zhvillimi i sektorit të energjisë është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e të gjithë sektorëve në vendin tonë e në rajon, duke patur parasysh edhe aspiratën e vendit tonë për tu integruar ne BE. Duam të përmendim disa nga problematikat/shqetësimet tona kryesore që kanë të bëjnë me interesat e mbi 20 milion qytetarëve dhe konsumuesve të energjisë në rajon, si vijon:
-Dokumenti i Strategjisë Rajonale te Energjisë nuk është përgatitur në konsultime me qytetarët, megjithë impaktin shumë të madh që ka në jetët e tyre.
-Dokumentit i mungon fokusimi mbi kursimin e energjisë dhe efiçencën e energjisë, që kanë edhe impaktin më të madh tek qytetarët në pikëpamjen ekonomike dhe sociale, sidomos në kontekstin e liberalizimit të tregut të energjisë pas vitit 2015 që pritet të sjellë për rrjedhojë rritjen e çmimeve.
-Shqetësim kryesor përbën fakti se 28.8 miliard Euro, po planifikohen për tu harxhuar në kapacitete të reja gjeneruese të energjisë me fokus qymyrin e linjitin (mbi 6000 MH ose përafërsisht gjysma e gjithë kapaciteteve të reja!). Ndërkohë që vendet e Bashkimit Evropian po synojnë drejt një sektori energjitik të pastër e pa karbon, janë brezat pasardhës ata që do të vuajnë pasojat negative në shëndet dhe ekonomi në qoftë se këto plane bëhen realitet. Raporti më i fundit i Bankës Botërore flet për 900 vdekje dhe 11.000 të sëmurë me sëmundje respiratore çdo vit (kryesisht fëmijë) si pasojë e përdorimit të qymyrit në Kosovë. Gjithashtu ndikimi ekonomik i këtyre projekteve, në kontekstin e adaptimit të legjislacionit të BE-së, në fushën e energjisë dhe klimës në rajon,  do të jetë  shkatërrues.
Rajoni ka pasuri të shumta natyrore, potenciale për energjitë e rinovueshme dhe efiçencën e energjisë dhe këto janë shumë të rëndësishme për të arritur integrimin në BE. Grupi i organizatave po planifikon që nëpërmjet këtij projekti të ri (projekti për Politika të Qëndrueshme Mjedisore për Evropën Jug-Lindore) të ketë një rol konstruktiv në shoqëri dhe shpreson se të gjithë aktorët e përfshirë do ta mirëpresin dhe do të marrin pjesë në zhvillimin e një modeli energjitik pa karbon.
Artikull vjen si një nismë e projektit për Politika të Qëndrueshme Mjedisore për Evropën Jug-Lindore (ku bëjnë pjesë 15 organizata nga Shqipëria, Kosova, Bosnjë Hercegovina, Kroacia, Macedonia, Mali i Zi dhe Serbia). Objektiv i projektit është rritja e bashkëpunimit ndërmjet organizatave dhe fuqizimi i qytetarëve për t’u angazhuar në dialogje me vendimarrësit duke ndikuar në politika dhe praktika për një sistem energjitik më të qëndrueshëm në Evropën Jug-lindore, në përputhje me politikat dhe direktivat kyçe të Bashkimit Europian.

energjia.al, 01.03.2013