Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Renta minerare përçan METE-n me Boden

Një udhëzim i datës 22 janar 2013 “Për taksat kombëtare” duket e ka shërbyer për krijimin e përplasjes së radhës mes ministrive kryesore në kabinetin “Berisha”. Ministria e Financave ka lëshuar udhëzimin në fjalë, me nr.3, ku në thelb u vendos kushte të forta pushtetit vendor për të përfituar nga renta minerare. Ndryshimet e miratuara nga kreu i Financave, Ridvan Bode, prekin disa nene të udhëzimit, në bazë të cilit komunat dhe bashkitë nuk do të marrin rentën minerare sipas një përqindjeje të caktuar, por në bazë të buxhetit që u cakton qeveria (me grantet). Në të tria modelet e propozuara nga ministri në udhëzim rezulton se komunat të marrin shumë më pak se udhëzimi i mëparshëm.
Kjo formulë duket se nuk i ka shkuar për shtat ministrit aktual të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), Edmond Haxhinasto, i cili përfaqëson LSI-në në qeverinë “Berisha”, duke e konsideruar zbatimin e ligjit në nivele jo korrekte. “Përftimi nga pushteti vendor i rentave sipas legjislacionit në vend, për hir të vërtetës ka pasur vështirësi në realizimin konkret të tij. Mendoj se kjo është një punë që duhet bërë, ne e dimë që 25 për qind e rentës minerare në ligj duhet t’u kalojë autoriteteve vendore”, u shpreh ministri Haxhinasto gjatë një seminari me temë “Përgjegjshmëria sociale e korporatave në industrinë nxjerrëse në Shqipëri”, organizuar nga OSBE. Këto kritika të ministrit të LSI-së shkojnë direkt për ministrin Bode të PD-së, në kushtet kur fushata elektorale po afron.
Të ardhurat nga renta shkojnë kryesisht për komunat e majta në Fier dhe Vlorë, ndaj dhe shqetësimi i ministrit lidhet me situatën aktuale, ngarkuar nga fushata, por edhe për shkak të krizës në buxhetin e shtetit. “Mbetet akoma një detyrë, një objektiv që duhet realizuar në tërësinë e tij, veçanërisht në ato zona që kanë intensitet të lartë të këtij sektori dhe ku komuniteti ka edhe më shumë nevojë për të administruar këtë të ardhur të rëndësishme”, vijoi më tej ministri Haxhinasto.
Bëhet fjalë për miliarda lekë, nga renta minerare, nivele këto që vijnë në rritje nga njëri vit në tjetrin për shkak të zhvillimit të sektorit të karburanteve dhe minierave në vend. Sa më shumë ka prodhime dhe importe, aq më shumë të ardhura shkojnë për komunat, në territoret e të cilave zhvillohen këto aktivitete.
Po çfarë përmban formula e ministrit të Financave? Sipas saj, njësitë e qeverisjes vendore përfitojnë +50 për qind rentë minerare mbi transfertën e pakushtëzuar, pasi transferta dhe renta të jenë barazuar.
Për shembull: njësia vendore “X” sipas tabelës përfiton 10 000 mijë lekë transfertë të pakushtëzuar për vitin 2013. Struktura përgjegjëse në Ministrinë e Financave për disbursimin e rentës për njësitë vendore, kryen përllogaritjet e mëposhtme:
a) Nëse sipas informacioneve që vijnë në Ministrinë e Financave nga drejtoritë rajonale të tatimeve dhe të doganave, rezulton që njësia “X” përfiton 9000 mijë lekë rentë minerare, atëherë meqenëse renta minerare është më e vogël sesa transferta e pakushtëzuar (9 000<10 000), kjo njësi nuk përfiton pjesë nga renta minerare. b) Nëse sipas informacioneve që vijnë rezulton se njësia  “X” përfiton 10 000 mijë lekë rentë minerare, atëherë meqenëse renta minerare është e barabartë me transfertën e pakushtëzuar (1 000=10 000), kjo njësi nuk përfiton pjesë nga renta minerare. c) Nëse përfiton 15 000 mijë lekë rentë minerare, atëherë sipas aneksit nr. 1 të ligjit nr. 119/2012, datë 17.12.2012 “Për buxhetin e vitit 2013”, njësisë “X” i takon t’i disbursohen deri në +50 për qind rentë minerare mbi transfertën e pakushtëzuar, pasi transferta dhe renta janë barazuar. Pra 0.5 x 10 000 mijë lekë=5000 mijë lekë sipas kushtit që renta është 15 000 mijë lekë (15000 – 10000 = 5000 = +50 për qind). ç) Nëse sipas informacioneve që vijnë në Ministrinë e Financave  nga drejtoritë rajonale të tatimeve dhe të doganave rezulton që njësia “X” përfiton 20 000 mijë lekë rentë minerare, atëherë kësaj njësie duhet t’i transferohen vetëm 5 000 mijë lekë, sepse kjo përfiton +50 për qind mbi transfertën e pakushtëzuar, pasi kjo të jetë barazuar me rentën. Shuma 20 000 mijë lekë plotëson kushtin e parë që është mbi nivelin e transfertës për 10 000 lekë dhe së dyti transferohen vetëm +50 për qind mbi transfertën, që në rastin tonë është 5 000 mijë lekë.
Të ardhurat nga renta minerare, ose taksa që mblidhet nga aktiviteti i naftës dhe i minierave shënoi rritjen më të madhe të 5 viteve të fundit, gjatë 2012-ës. Të dhënat më të fundit të Drejtorisë së doganave tregojnë se për vitin që lamë pas të ardhurat u rritën me 65 për qind, krahasuar me një vit më parë.
Në fund të 2012-ës, renta minerare arriti në 5.2 miliardë lekë. Sipas portalit “energjia.al”, një kontribut të konsiderueshëm ka dhënë eksporti i mineraleve, produkte, të cilat kaluan në vendin e parë të eksporteve gjatë vitit që lamë pas. Pesha më e madhe i takon pikërisht naftës, e cila ka rritur ndjeshëm eksportet në vitin e kaluar. Këto eksporte janë realizuar nga kompania kanadeze e kërkimit të naftës, “Bankers Petroleum”.

Gazeta Shqip, 21.02.2013