Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Si zhvlerësohet kromi duke u eksportuar i papërpunuar

Një shqetësim i madh që Top Story mori në konsideratë për ta trajtuar është zhvlerësimi e kromit nga pronarët e minierave. Kjo bëhet për të ulur sa më pak rentën, një taksë që derdhet në buxhetin e shtetit. Në Porto-Romano, shihen stoqe të mëdha kromi të papërpunuar janë të gatshme për eksport. Subjektet, i mbajnë sasitë e mineralit të gatshme deri në momentin kur çmimi në bursa është favorizues. E njëjta situatë paraqitet edhe në Portin e Durrësit, me stoqe të shumta minerali. Nëse i gjithë ky krom do të sillej në këtë fabrikë përpunimi, atëherë vlera e këtij minerali do të 8 fishohej. Shpesh, kjo industri vuan për lëndën e parë pasi kromi bruto eksportohet.

Pra, duket e njëjta skemë si me naftën bruto… eksportohet me çmim të lirë, përpunohet jashtë vendit e më pas vjen sërish me çmim të kripur. “Kemi impiantet e përpunimit, copëtimit të kromit që ndahet në fraksione të veçanta. Kemi procesin e dorëzimit, kemi furrën që bën shkrirjen e mineralit. Pastaj kemi produktin që del ferrokrom që del sipas disa cilësive”, tha Inxhinieri Besmir Daci. Ferrokromi përdoret kryesisht për çeliqet speciale dhe industrinë ushtarake. Thuajse i gjithë produkti shkon për eksport. Çmimi varion sipas kërkesës në bursë, nga 1200 deri në 1500 dollarë për ton.“Nga ana ekonomike është më mirë të përpunohet në vend, është përfitimi, punësohen njerëz, përpunohet, fitimi është më i mirë po ta shesësh ferrokrom”, tha Inxhinieri Besmir Daci.

Në kohën e komunizmit, Bulqiza ishte një prej motorëve kryesorë ekonomikë në vend. Nga viti 1997 deri në vitin 2017 nga Bulqiza janë nxjerrë 3 milionë e 230 mijë ton krom. Më çmimin e sotëm prej rreth 200 dollarësh për ton, kjo sasi do të vlente 646 milionë dollar. “Nga Bulqiz, Bartra janë nxjerrë 24 mln ton deri tani, në Bulqizë rezerva të llogaritura në blloqe të pacënuara janë në Bulqizën veriore, 2.5 mln ton, pjesa tjetër nuk llogariten, lidhen me mbetjet teknologjike apo kolonat për efekte sigurie”, tha Martin Cukalla, ish – Drejtor i Minierës Bulqizë.

“Aktualisht me bilancin e rezervave në minierën veriore, jetëgjatësia e saj do jetë mbi 20 vjet”, tha Ismail Mema, ish – Drejtor i Minierës Bulqizë. Minerali ka ikur jashtë Shqipërisë i pavlerësuar siç duhet. Pavarësisht kësaj, përgjatë këtyrë 2 dekadeve të fundit, janë mbushur xhepat e pushtetarëve me miliarda lekë….ndërsa për qytetin nuk kanë lënë çikërrimat. Rrugët e Bulqizës, ku klima është mjaft e egër, duken të zbehta dhe pa jetë. Aktivitet kulturore dhe sociale janë thjesht kujtime të së shkuarës ndërsa jeta në këtë qytet ndalet sapo nis të errësohet. I vetmi vend ku nuk ka dallim mes ditës dhe natës, është miniera..Aty puna vijon pandërprerë edhe kur qyteti duket i fjetur nga errësira.

Gazeta Shqip,  14.02.2019