Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bullgari, protestat për çmimin e energjisë, dorëhiqet qeveria ‘Borisov’

Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij, bëjne te ditur mediat bullgare.
Shkak i këtij vendimi janë protestat e dhunshme që kanë përfshirë prej disa ditësh Bullgarinë të cilat kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë.
Duke paraqitur dorëheqjen para parlamentit në Sofje, Borisov ka thënë se nuk mund të përballojë dhunën e policisë ndaj popullit.
“Çdo pikë gjaku, kolegë të dashur, është njollë jona. Pushteti nuk është qëllimi ynë, dhe nuk do të përfitojmë nga pushteti, nëse ne duhet ta mbrojmë veten nga populli. Kam ardhur sot për t’iu thënë personalisht se nëse ka kërkesa që qeveria të japë dorëheqje, shteti duhet të ripërtërijë votëbesimin e saj, në mënyrë që populli të vendosë se si të vazhdojë qeveria tani e tutje. Demokracia është e bazuar në zgjedhje. Ne nuk do të marrim pjesë në qeverinë e përkohshme”, – është shprehur Borisov.
Protestat kanë nisur fillimish kundër çmimeve të larta të energjisë elektrike, por tani janë shndërruar në protesta kundër qeverisë së qendrës së djathtë. Disa protestues janë plagosur gjatë përleshjeve me policinë në Sofje të Bullgarisë.
Rreth 2 000 protestues janë mbledhur në qendër të Sofjes të martën, duke bërë thirrje për dorëheqjen e qeverisë.
Protestuesit kanë bllokuar bulevardin qendror dhe kanë hedhur gurë në drejtim të autoritete policore, të cilat më pas kanë përdorur shkopinjtë për të shpërndarë turmën.
Protestat janë më të mëdhatë në 15 vjet dhe ndodhin vetëm disa muaj para zgjedhjeve parlamentare, të parashikuara për në korrik.
Ndërkohë, një ditë më parë qeveria bullgare vendosi t’i heqë licencën kompanisë CEZ, pakënaqësia ndaj të cilës shënoi edhe pikënisjen e protestave në vend.

Gazeta Shqip, 20.02.2013