Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Masterplan per perdorimin e gazit natyror

Ministria e Ekonomisë po përgatitet të nisë hartimin e një masterplani për gazifikimin e vendit, në kushtet kur mungon plotësisht një rrjet i brendshëm gazi, prej nga pritet të vlerësohen  dinamika kërkesë-ofertë, ndërtimi i infrastrukturës dhe diversifikimi i mënyrave për financime.  
Së bashku me ERE-n punohet për hartimin e kuadrit të nevojshëm ligjor, bazë për këtë masterplan zhvillimi të sektorit të gazit në Shqipëri, ku rrugët nga pritet furnizimi me gaz janë Lindja e Mesme, gazsjellësi IAP që lidhet me Kroacinë dhe zbulimi i vendburimeve të reja të gazit në vend.
Për zhvillimin e tregut dhe gazifikimit të vendit, objektivi i qeverisë shqiptare është lidhja me rrjetin rajonal të gazit, përmes projekteve TAP, IAP dhe zhvillimi i sektorit të gazit që sot menaxhohet nga “Albpetrol”, jo vetëm për transmetimin, por dhe shpërndarjes së tij.
Burime të METE-s bëjnë të ditur se kuadri rregullator në sektorin e gazit është bërë në përputhje me direktivat e BE-së dhe po punohet për plotësimin e kuadrit teknik. Gjithashtu, ERE po punon për hartimin e kuadrit rregullator për zhvillimin dhe menaxhimin e tregut të gazit në Shqipëri.
Ndërkohë, Qeveria po synon dhe rrugët për zbulimin e vendburimeve të reja të gazit në vend përmes thithjes së investimeve të huaja, si mundësi përfitimi për gaz në të ardhmen. Zhvillimi i sektorit të gazit lidhet dhe me mundësitë që ofron vendi për depozitat nëntokësore, ku ekspertë të TAP llogarisin në zonën e Dumresë një kapacitet deri në 2 miliardë m/3 gaz. Kërkimet dhe konsumi i i gazit përbëjnë objektin e masterplanit të zhvillimit të këtij sektori në Shqipëri.
Sot, në ekonominë shqiptare nënproduktet e naftës, kryesisht mazut, naftë dhe gaz të lëngët zënë rreth 60% të furnizimit me energji dhe 28% nga HEC-et. Konsumatorë të mëdhenj të energjisë vlerësohen TEC-et, ku sot gati për prodhim është ai në Vlorë, industritë e çimentos, çelikut, mineraleve, metaleve, etj.
Nisur nga ky përpjestim, sektori i industrisë ka nevoja të mëdha për t’u furnizuar nga burime të tjera, sikurse është gazi natyror, vlerësojnë ekspertët.
Në Shqipëri, ekspertët parashikojnë se kërkesa fillestare për gaz të jetë nga 300-500 milionë m3/vit dhe me zhvillimin e tregut të gazit, deri në vitin 2020, të arrijë nga 1.3-1.5 miliardë m3/vit gaz natyror.
Avantazhet e Shqipërisë për të sjellë gaz në tregun e Europës Perëndimore me kosto më të ulët lidhen me pozicionin e favorshëm gjeostrategjik, i përshtatshëm për nyje rajonale të rrjeteve të gazit, treg të mundshëm për konsum, kapacitete të konsiderueshme për depozitime nëntokësore, legjislacion tërësisht në pajtueshmëri me atë të Bashkimit Europian, etj.
Ndërsa sot tregu i gazit është inekzistent, Shqipëria prodhonte para viteve ’90-të gaz deri në 1 miliard m3/vit. Në  qytetet e Kuçovës, Patosit dhe Korçës kishin të instaluar, edhe pse jo plotësisht, një rrjet të brendshëm shpërndarës, që furnizonte kryesisht sektorin e industrisë, TEC-et si dhe një pjesë të banesave qytetare. Me kalimin e viteve, burimet e gazit  në Shqipërinë e Mesme shteruan prodhimin dhe sot ka vetëm prodhim minimal, kryesisht për nevoja teknologjike.

ATSH, 11.02.2013