Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gazsjellësi TAP, më 13 shkurt nënshkruhet marrëveshja në Athinë

Marrëveshja Shqipëri-Greqi-Itali për gazsjellësin TAP do të nënshkruhet në 13 shkurt, në Athinë.
Lajmi bëhet i ditur pas takimit që ministri i Jashtëm grek Avramopulos zhvilloi sot në Mynih me Ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit, Elmar Mammantiarof.
Greqia, Italia dhe Shqipëria do ta nënshkruajnë marrëveshjen ndërqeveritare për ndërtimin e tubacionit Transadriatic (TAP) më 13 shkurt, në Athinë dhe në ceremoninë e nënshkrimit do të marrin pjesë edhe përfaqësues të qeverisë së Azerbajxhanit.
Sipas burimeve në Ministrinë e Punëve të Jashtme greke, të cilave iu referohen mediat greke, mbrëmë zoti Avramopulos ka pasur biseda telefonike me homologun e tij italian, Giulio Terzi dhe atë të Shqipërisë, Edmond Panariti për të përcaktuar detajet, ndërkohë që diskutimet do të vazhdojnë mes tre vendeve për tekstin e Marrëveshjes.
Ministri i Jashtëm grek Dimitris Avramopulos ndodhet në Mynih, për të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë, ku ka patur kontakte dypalëshe me homologë dhe liderë nga e gjithë bota.
Gazsjellësi TAP
Tubacioni TAP do të transportojë gazin natyror nga Azerbajxhani në Evropë, në mënyrë që të reduktohet varësia nga Rusia për furnizimin me gaz. Kapaciteti fillestar i tubacionit TAP do të jetë 10 miliardë metra kub në vit me synimin për të shkuar deri në 20 miliardë metra kub në vit. Aksionerët e TAP janë EGL zvicerane, Statoil norvegjeze dhe E.ON Rurgas gjermane. Në projekt bashkëpunon edhe kompania italiane e energjisë, “Enel”.
TAP do të shfrytëzojë fushat e mëdha të gazit të Shah Deniz II në Kaspik. Shah Deniz është çelësi i strategjisë së BE për rritjen e sigurisë së vet energjetike, sepse do të bëjë realitet shpresat për një korridor gazi në një prej rajoneve më të pasura të burimeve në botë.

www.balkanweb.com, 02.02.2013