Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Investitorët e huaj arratisen, qeveria bën hesape me arbitrazhin

Largimi i CEZ nga Shqipëria konsiderohet nga zyrtarët e qeverisë si “rast i veçantë”, që nuk ka lidhje me klimën e biznesit në vend. Grupi çek është ndër investitorët strategjikë në Europë, ndërsa në vendin tonë kishin planifikuar të hidhnin për katër vjet rreth 200 milionë euro, të cilat nuk u realizuan plotësisht. Shoqëria do të ikë dhe vendin e saj do ta zërë shteti deri në gjetjen e një tjetër shoqërie, vendase, ose më e shumta rreth Ballkanit. Ajo çfarë po i ndodh CEZ-it (gjoba dhe vendime të rrëzuara në gjykata), të parë nga investitorët e huaj, vështirë se do të afrojë kompani strategjike.
Një vëzhgim i lehtë tregon se si ka përfunduar shoqëria e shpërndarjes së energjisë si dhe të tjera kompani nga sektorë të ndryshëm, për shkaqe që lidhen me krizën dhe klimën në vend (pronat, taksat, drejtësia). Duke mbetur te sektori energjetik, gjejmë raste me probleme në fushën e naftës. Tri kompani greke janë larguar (e fundit para një muaji). Gjiganti “Hellenic Petroleum”, i cili kishte disa pika të shitjes me pakicë dhe shumicë të karburanteve, sipas standardeve të larta të BE-së nuk do të jetë më në tregun tonë dhe këtë aktivitet e ka blerë një vendas. Dy nga këto kompani kanë hedhur shtetin shqiptar në Gjykatën e Arbitrazhit, duke kërkuar dëmshpërblim, në shifra disa dhjetëra milionë euro për mosrespektim të kontratave. Në sektorin e karburanteve, një tjetër shoqëri në fushën e kërkimit, “Sky Petroleum”, u largua nga vendi dhe tashmë kërkon edhe ajo dëmshpërblim 1 miliard dollarë, për shkak të prishjes së njëanshme të kontratës nga pala shqiptare. Kompania fitoi të drejtën për të investuar dhe operuar në disa zona naftëmbajtëse, por licenca u hoq. ENEL, gjiganti tjetër italian, u tërhoq nga dy sipërmarrje private: e para, me privatizimin e OSSH-së (në çastet e fundit), e dyta me investimin 2 miliardë euro për ndërtimin e TEC-it 800 MW në Porto Romano, Durrës. Italianët e njohin mirë sektorin shqiptar të energjisë, pasi operojnë prej disa vitesh në vendin tonë, por në momentet e fundit ata nuk paraqitën ndonjë interes për të blerë OSSH (që më pas iu shit CEZ-it), pasi ndoshta kuptuan se si “funksiononte” sistemi, pasojat e të cilit po i vuajnë çekët.
Sërish duke qëndruar në sektorin energjetik, konkretisht në atë të minierave. Grupi austriak DCM operon prej disa vitesh në vend, në zonën e Bulqizës dhe në fabrika të përpunimit të mineralit krom, por sot ata po shikojnë drejt shitjes së degës së tyre në Shqipëri, ACR-së. Burime nga fusha e biznesit në vend thonë për “Shqip” se kjo degë i është shitur një investitori vendas, por ACR thotë se “nuk është e vërtetë, jemi në negocime me palë të ndryshme”. Austriakët kishin plane zhvillimi të rëndësishme, por problemet e shumta në galeritë e Bulqizës, duke përfshirë edhe krizën, duket se po i detyrojnë të ndërmarrin plane të tjera.
Në sektorin e tregtisë, lajmi i fundit vjen nga shoqëria sllovene e rrjetit të supermaketeve “Mercator”, e cila nuk do të operojë në tregun tonë prej janarit 2013. Ky grup erdhi në Shqipëri me synim për të futur konkurrencën dhe për t’u zhvilluar më tej, me hapjen e pikave, por nuk i eci dhe tashmë do ta mbyllë. Të njëjtin fat pati edhe grupi gjerman “Praktiker” (pajisje pune, shtëpie, etj.), i cili erdhi me jehonë të madhe në Shqipëri, por nuk zgjati shumë për shkak të “zhgënjimit”. Të tjera lajme jo të mira për vendin vijnë sërish po nga tregu i retail-it, ku grupi belg “Delhaize” që zotëron “Euromax”-in kërkon ta shesë aktivitetin, ndoshta atij që ia bleu dy vite më parë, investitor vendas.
Të tjera largime të bujshme prekin edhe sektorin e turizmit, si me fshatin Kakome, ku francezët prestigjioz të “Club Med” u tërhoqën nga investimi, për shkak të problemeve me pronën dhe mungesën e mbështetjes nga qeveria shqiptare. Te ky sektor duket se janë tërhequr edhe dy projekte të tjera, me vlerë investimi mbi 1 miliard euro, për rezorte dhe fshatra turistikë në Durrës dhe Kavajë.
Faktet janë të shumta, për motive të ndryshme të largimit të investitorëve të huaj nga Shqipëria. Ambasadorët e vendeve të BE-së pohojnë se Shqipëria ka ligje të mira, por problemi është zbatimi i tyre. Ata shqetësohen për nivelin e korrupsionit, mosrespektimin e së drejtës së pronës dhe madje së fundmi me nivelin e kriminalitetit në vend. Duket se as taksa e sheshtë nuk po bën punë, pasi Banka Botërore na klasifikon në vend të fundit në rajon për nga niveli i barrës tatimore, gati 38.7 për qind, ose të 160-t mes 180 shteteve.
Ajo çfarë na mbetet pas janë faturat e kripura të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, ku përvoja tregon se shteti shqiptar i ka humbur si çështje dhe pritet ta pësojë edhe më tepër.
Problemi: Privatizimet nuk tërheqin kompani VIP strategjike
Privatizimi i sektorëve strategjikë është rasti i mirë i shteteve për të tërhequr investitorë potencialë. Në vendin tonë duket se ka ndodhur e kundërta. Shitja e katër HEC-eve dëshmoi se askush nga të interesuarit perëndimorë (austriakë dhe francezë) nuk pati mundësi të fitonte në tender. E njëjta situatë paraqitet me shitjen e kompanisë së naftës “Albpetrol”, ku e vetmja shoqëri ndërkombëtare ishte “Gazprom”, që bëri ofertën më të ulët. Në garë për ta fituar është një shoqëri, me kapital 51 për qind shqiptar, ose kinezët, të cilët kishin si përvojë shpimin e dy puseve. Rafineria e naftës ARMO u ble nga një kompani shqiptare dhe asnjë prej kompanive të njohura nuk u afrua. E njëjta gjë edhe me INSIG-un, ish-gjigantin shtetëror të sigurimeve, i cili vijon të dështojë si privatizim. Ishte në prag të shitjes nga një kompani amerikane, që më pas rezultoi blof dhe aspak serioze.
Pesimiste: Klima e biznesit
Investitorët e huaj, në jo pak raste përballen me vendime të padrejta të gjykatave, të administratës tatimore, apo me konflikte të pronësisë. Nuk e thonë hapur për nivelin e korrupsionit në vend, por në takime informale pranojnë se paraqitet tejet shqetësues. Ambasadorët duket se kanë qenë më të drejtpërdrejtë me faktorët, kur janë shprehur se korrupsioni, respektimi i kontratave dhe zbatimi i ligjit mbetet shqetësimi kryesor i biznesit të huaj në vend.

Gazeta Shqip, 28.12.2012