Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Enel kërkon me çdo kusht të bëhet aksionere e TAP

Gjigantja italiane e energjisë, “Enel”, kërkon me çdo kusht të bëhet aksionere e projektit “Trans Adriatic Pipeline”. Për këtë ajo po lobon në instancat më të larta të shtetit italian, i cili nga ana e tij do të përdorë ndikimin e vet te palët partnere në projekt për të bërë të mundur që “Enel” të shtijë në dorë 10%-20% të aksioneve të gazsjellësit. Media italiane “Milano Finanza” vërente në një artikull, se qeveria po parashikon tashmë shtënien në dorë nga ana e “Enel” të një kuote aksionesh në projektin “Trans Adriatic Pipeline” (Tap), i cili do të transportojë gazin azerbajxhanas në Itali përmes Greqisë e Italisë. “Nuk shoh përse ‘Enel’ nuk duhet të ketë një kuotë aksionesh te projekti TAP”, pohonte në artikull, zëvendëssekretari italian për zhvillimin Ekonomik, Claudio De Vincenti.
Bindja e partnerëve
Më tej, në artikull shkruhej se Vincenti kërkonte që qeveria të ushtronte “bindjen morale” te partnerët, që kjo të bëhej e mundur, duke specifikuar gjithsesi se u takon palëve të përfshira në projekt të pranojnë ose jo përfshirjen e ‘Enel’-it në projekt. Aksionerët e projektit TAP janë aktualisht norvegjezja ‘Statoil’, gjermania ‘E.On’ dhe zvicerania ‘Egl’. “Milano Finanza” citonte më tej në artikull një burim, i cili kishte bërë me dije gjatë kësaj vere, se ‘ENEL’ ishte e interesuar për një kuotë aksionesh nga 10% deri 20%. “Interesimi nga ana e ‘ENEL’ mund të bëhet publik në vjeshtë, pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërministrore mes Italisë, Greqisë e Shqipërisë”, kishte pohuar në atë kohë burimi për “Milano Finanza”.
Nga ana tjetër, shkruan “Milano Finanza”, kreu i ‘Enel’, Fulvio Conti, shpreson të mbyllë para fundit të vitit, rinegocimet e kontratave të furnizimit me gaz, të njohura si “take or pay” (merr ose paguaj) me tre furnizuesit kryesorë, kompaninë algjeriane të naftës “Sonatrac”, kompaninë shtetërore nigeriane, si dhe shoqërinë e përbashkët algjeriane “In Salah Gas”, ku përfshihen “Sonatrac”, “Bp” e “Statoil”.
TAP
Gazsjellësi do ketë një gjatësi prej 800 kilometrash, ndër të cilat, 478 kilometra do të kalojnë në Greqi, 204 kilometra në Shqipëri, 105 kilometra në detin Adriatik dhe 5 kilometra në Itali. Pika më e lartë e tij do të jetë rreth 1800 metra, në malet e Shqipërisë, dhe ajo më e ulëta, 810 metra nën nivelin e detit, përgjatë kalimit të tij në Adriatik. Gazsjellësi do të transportojë gaz nga Azerbajxhani në Greqi, Shqipëri, Itali dhe në Europë, fillimisht me një kapacitet prej 10-20 miliardë metra kub në vit, duke furnizuar 7 milionë familje. Dy stacionet kompresore për të siguruar transportin e gazit përmes tubacioneve, do të jenë ai i Komotinit në Greqi, pranë kufirit turk, dhe një tjetër në Fier.

www.balkaweb.com, 15.12.2012