Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Skandali i linjës me Kosovën, Gaçe: Aferë e madhe korruptive

Opozita akuzon Operatorin e Transmetimit se është zhytur në një aferë të madhe korruptive, të cilën po përpiqet ta fshehë, duke refuzuar të bëjë publik informacionin e detyrueshëm. “Në rastin kur donte të anulonte marrëveshjen për linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë dhe marrëveshjen e huas me bankën gjermane KfW i referohej legjislacionit shqiptar. Ndërkohë, për të dhënë informacion sipas Kushtetutës, një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, refuzon dhënien e informacionit duke iu referuar ligjit gjerman”, thotë deputeti socialist, Artan Gaçe. Deputeti Artan Gaçe thotë se anulimi i linjës së interkonjeksionit është i qëllimshëm për të dëmtuar interesat kombëtare dhe paralajmëroi se opozita do të nxjerrë të tjera fakte më të rënda.
Duket qartë edhe me dokumentet edhe nga veprimet e vazhduara të OST-së që këtu ka një tendencë sa korruptive aq edhe antikombëtare në anulimin e kësaj linje kombëtare. Kam frikë se kjo është vetëm maja e ajsbergut dhe ditët në vazhdim do të kemi edhe denoncime të tjera”, tha Gaçe.
Saga e linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës po shkon drejt një fundi të hidhur, duke rrezikuar të mbetet një projekt në letër edhe për disa vite të tjera. “Top Channel” zotëron dokumente zyrtare që dëshmojnë se qeveria nuk pranon të përmbushë një nga kushtet kryesore të vendosura nga Banka Gjermane KfW, si financuese e projektit, për t’i hapur rrugë ritenderimit. Kushti ka të bëjë me lëshimin nga Ministria e Financave e një garancie me shkrim, se do të njohë rezultatin e tenderit të dytë, një masë kjo që banka gjermane po e imponon si garanci, se qeveria nuk do e anulojë sërish tenderin, ashtu siç bëri herën e parë.
Por, në një letër të fundit që mban datën 9 tetor, Operatori Shqiptar i Transmetimit të Energjisë njofton zyrtarisht KfW-në se Ministria e Financave, në rolin e huamarrësit nuk mund të marrë pjesë si palë në tenderin e ri, duke mos e plotësuar kushtin. Sipas OST-së, interesi i Ministrisë së Financave është ruajtja e kriterit të çmimit më të ulët. Ky është refuzimi i disatë i Ministrisë së Financave, çka dëshmon se qeveria nuk ka ndër mend të tërhiqet dhe se marrëveshja e kredisë me bankën gjermane po shkon drejt anulimit.
Tenderi për linjën me Kosovën, me vlerë 75 milionë euro, u zhvillua në mars të vitit të kaluar. Sipas metodologjisë së paracaktuar të vlerësimit nga KFW dhe qeveria shqiptare, fituese u shpall një kompani kroate. Por pas rezultateve, qeveria edhe pse kishte rënë dakord me metodën e vlerësimit kërkoi të zëvendësonte fituesin, për shkak se çmimi i ofruar nga ai ishte 8 milionë euro më i lartë se vendi i dytë. Kjo nuk u pranua nga KfW. Mosmarrëveshjet mes palëve kulmuan kur disa muaj më parë qeveria vendosi zyrtarisht anulimin e tenderit, për ta ribërë atë. Por duket se edhe ky opsion do të dështojë, pasi banka gjermane ka paralajmëruar në më shumë se një rast se nëse qeveria nuk do japë garancitë se do njoh tenderin e dytë, ajo do të anulojë financimin.

Gazeta Shqip, 20.11.2012