Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ, si i shpenzoi paratë Ismailaj

Shkon në prokurori raporti i ekspertëve kontabël për paratë që ka marrë Kastriot Ismailaj nga CEZ, në vitet 2010 dhe 2011. Ashtu si në raportet e mëparshme, detajohen lëvizjet e rreth 5 milionë eurove jashtë vendit, apo për pagesat ndaj disa shoqërive të tjera. Hetimet për marrëveshjen CEZ-DIA janë drejt fundit, për sa i përket çështjes ndaj Ismailjat, ndërsa do të vazhdojnë verifikimet për Josef Hejsek. “Në Prokurorinë e Tiranës ka shkuar raporti final i shpenzimeve të parave që ka bërë Kastriot Ismailaj. Rreth 5 milionë euro, të marra nga marrëveshja CEZ-DIA janë shpenzuar të gjitha, apo janë transferuar jashtë vendit. Ekspertët i kanë dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve të prokurorëve”, pohojnë burimet nga akuza qendrore.

Disa javë më parë, prokuroria kontraktoi disa ekspertë privatë që do të bënin evidencat e llogarive bankare të shoqërisë DIA, e cila mori nga marrëveshja me CEZ-in rreth 5 milionë euro. I gjithë ky përfitim është boshatisur nga llogaritë bankare, ndërsa Ismailaj ka pretenduar se ka bërë pagesa të ndryshme. Akuza ka marrë nga disa banka të nivelit të dytë të gjitha gjurmët e këtyre të hollave, të transferuara nga njëra llogari në tjetrën apo në drejtim të shoqërive të tjera. Këto dokumente u janë servirur ekspertëve kontabël, për të parë se ku shkuan 5 milionë eurot. Nga të dhënat që kanë shkuar në prokurori mësohet se rreth 110 milionë lekë (të reja) biznesmeni i ka tërhequr kesh nga banka të ndryshme dhe një pjesë nga kjo shumë është përdorur për udhëtime dhe pushime luksoze. Rreth 750 mijë euro nga paratë e CEZ-it, ekspertët pohojnë se Ismailaj ka paguar studion ligjore gjermane që përfaqëson atë në Arbitrazh. Mësohet se Ismailaj ka paguar rreth 300 mijë euro si pagesë për nisjen e procedurave të procesit gjyqësor në Gjykatën e Arbitrazhit. Mësohet se 335 milionë lekë janë tërhequr nga bashkortaku i tij, A.L. Një shumë prej rreth 300 milionë lekësh kompania DIA e ka transferuar në llogaritë e një shoqërie nga Durrësi, në formë detyrimesh. Një shumë tjetër rreth 165 milionë lekë, Ismailaj ia ka transferuar një shoqërie ku kishte blerë disa motorë. Për këtë pagesë, mësohet se ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ka akuzuar deputetin e Shkodrës, Agron Çela, se ka përfituar, ndërsa ky i fundit e ka paditur për shpifje. Sipas raportit të dorëzuar në prokurori, mësohet se DIA ka bërë një pagesë prej 65 milionë lekësh në kompaninë e ish-kryeministrit Vilson Ahmeti, pasi shoqëria e tij kishte bërë disa projekte për DIA-n. Një tjetër shumë e ngjashme i është paguar një kompanie në Tiranë, por kësaj here pa ndonjë argumentim. Pagesa janë bërë edhe në drejtim të 120 punonjësve të kësaj shoqërie, por që në realitet shifrat kanë qenë fiktive, vetëm për të rritur shumat e paguara.

Ndërkohë, Ismailaj, personazhi kryesor i aferës CEZ-DIA, ka qenë mjaft aktiv për sa u përket transfertave të parave nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së e në SHBA, si dhe anasjelltas. Veprimtaria e tij ka filluar të paktën që prej vitit 2006, kur dhe ka marrë milionat e para të dollarëve, të ardhura nga Amerika, për të bërë disa lëvizje të dyshimta. Përgjatë nëntë viteve, 2006 e deri në ditët e sotme, ai është denoncuar disa herë në prokurori, por asnjëherë më parë nuk është marrë i pandehur. Drejtësia u kujtua vetëm në momentin që Ismailaj bëri padi në Gjykatën e Arbitrazhit, duke i kërkuar shtetit 130 milionë euro, që nuk i ka pasur asnjëherë.

Gazeta Shqip, 18.11.2015