Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qeveria do t’i ndërtojë 5 hidrocentrale në Grykën e Rugovës

Qeveria e Kosovës ka filluar fazën e studimit të kushteve dhe mundësive për investimin e një projekti të rëndë mbi 100 milionë euro për ndërtimin e 5 hidrocentraleve përgjatë Grykës së Rugovës që pritet të prodhojnë 60 deri në 68 megavat energji elektrike, kanë bërë të ditur zyrtarët e Komunës së Pejës. Kompania “KEL-KOS” nga Austria, e specializuar në fushën e energjisë, do të jetë realizues i projektit, shkruan sot Koha Ditore.
Nga Komuna e Pejës është kërkuar që të kryhen të gjitha procedurat e parapara ligjore dhe të ndahen lokacionet përgjatë Grykës së Rugovës, ku duhet të vendosen hidrocentralet. Kërkesës së qeverisë për dhënien e pëlqimit, fillimisht u është përgjigjur Komiteti për politikë dhe financa, i cili në një mbledhje të mbajtur të premten e ka dhënë pëlqimin, ndërsa pritet që në mbledhjen e ardhshme të procedohet edhe në kuvendin komunal.
“ Është shqyrtuar dhe është aprovuar për procedim të mëtutjeshëm kërkesa për dhënien e pëlqimit për regjenerimin e kapaciteteve për ripërtëritjen e energjisë nga uji në lokacionin e Rugovës me 5 hidrocentrale, me kapacitet rreth 60 megavat ”, ka bërë të ditur zyra e kryesueses së KK, Arbëresha Ajdini-Nallbani.
Ndërkaq, Arianit Demaj, zyrtar për informim në Komunë, ka thënë se projekti është në fazën fillestare dhe po procedohet sipas kërkesës së qeverisë. Ai ka sqaruar se ky projekt është në fazën e studimit të kushteve për ngritje të tyre, e më pas qeveria do të fillojë investimin.
“Investimi do të kushtojë mbi 100 milionë euro dhe do të ketë kapacitet prej 60 deri në 68 megavat energji elektrike”, ka thënë Demaj.
Ai nuk ka bërë të ditur se kur pritet të përfundojë projekti në tërësi, por ka thënë se ky projekt do të zgjasë, ngase tani është në fazën e studimit të kushteve, relievit dhe rrethanave të tjera.
“Energjia që do të prodhohet parashihet të shfrytëzohet për nevoja të konsumit vendor apo edhe për shitje në vendet e tjera fqinje. Kjo krijon zhvillim ekonomik ”, ka thënë Demaj.  

Gazeta Koha, 18.11.2012