Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Policia, monitorim 24 orë nënstacioneve

Që nga ndërprerja e energjisë për ujësjellësit, policia bën patrullime në zonat problematike.
Ndonëse policia nuk ka instaluar grupe të posaçme të forcave të rendit pranë nënstacioneve elektrike që furnizojnë me energji stacionet e pompimit të ujit, ato janë monitoruar nga policia e rendit, vetë drejtuesit e ujësjellësve, apo ata të pushtetit vendor, që nga momenti i përplasjes për ndërprerjen e dritave. Policia e Shtetit, por edhe vetë drejtuesit e kësaj strukture në qarqet, ku janë shfaqur problemet prej dy ditësh, kanë pohuar për gazetën se janë marrë të gjitha masat për parandalimin e stakimeve të tjera të energjisë elektrike nga ana e punonjësve të CEZ.
Masat
Burimet e policisë pohojnë se grupeve të caktuara të forcave të rendit, në gjithë qarqet e Shqipërisë u është lënë detyrë që të kryejnë patrullime të herëpashershme gjatë 24 orëve të çdo dite pranë nënstacioneve elektrike. Ndërkaq, mësohet se edhe drejtuesit e njësive vendore ku ndodhen këto nënstacione kanë angazhuar policitë e tyre për të bashkëpunuar me forcat e Policisë së Shtetit dhe punonjësit e ujësjellësve. Sipas burimeve, puna për monitorimin e këtyre nënstacioneve është koordinuar me qëllim marrjen e çdo informacioni për ndonjë tentativë të mundshme të shkëputjes së energjisë nga ana e CEZ. Kjo, me qëllim parandalimin edhe të protestave masive nga ana e banorëve, të cilët dy ditë më parë u ndodhën përballë rrezikut të mungesës së ujit të pijshëm për një afat kohor të pacaktuar. Zyrtarët e policisë kanë siguruar se situata është nën kontroll dhe se nuk do të lejohet përsëritja e tentativës së dy ditëve më parë të punonjësve të CEZ, për stakimin e energjisë elektrike në nënstacione që furnizojnë ujësjellësit. Ndërkaq, drejtoritë rajonale të ujësjellësve në gjithë qarqet janë duke verifikuar dëmet e shkaktuara, si pasojë e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike.
Dëmet në Fier
Kështu, ndërprerja e paparalajmëruar e energjisë elektrike në nënstacionin e Kafarajt në Fier ka lënë pa ujë të pijshëm, banorët e tri komunave. Mësohet se prej dy ditësh, mijëra banorë të komunave Dërmënas, Qendër dhe Topojë të Fierit janë pa ujë të pijshëm. Sipas burimeve pranë Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve, shkaku i mosfurnizimit me ujë të pijshëm të banorëve të këtyre komunave është dëmtimi i pompave të stacionit të pompimit në fshatin Poro të Komunës Levan, që furnizon me ujë këtë zonë. Gjithçka ka ndodhur pas ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike paraditen e të premtes të kryer nga specialistët e kompanisë CEZ. Drejtori i Ujësjellësit në Fier, Ibrahim Nallbani, ka deklaruar për mediat se po punohet për riparimin e dëmit të shkaktuar nga ana e kompanisë CEZ. Ai theksoi se ujësjellësi ka depozituar një kallëzim penal ndaj drejtuesve të CEZ dhe se po verifikohen dëmet e shkaktuara.
Kruma, pa ujë
Nga ana tjetër, të gjitha banesat, institucionet shëndetësore dhe arsimore të qytetit të Krumës nuk furnizohen me ujë që nga dita e premte. Borxhi që ujësjellësi i ka kompanisë CEZ dhe pamundësia për ta shlyer atë ka sjellë ndërprerjen e energjisë elektrike. Fatura që ujësjellësi i detyrohet CEZ-it është 12.5 milionë lekë, ndërkohë që i gjithë buxheti vjetor i bashkisë është 30 milionë lekë. “Ne duke qenë një ujësjellës që në juridiksionin tonë kemi në varësi për të furnizuar një bashki dhe dy komuna me një popullatë, që aktualisht 90% e saj trajtohet me ndihmë sociale, ne nuk kemi mundësi të vjelim para, as për paga, le më për energji elektrike”, tha Hajredin Cahani, specialist i Ujësjellësit në Has. Banorët e qytetit kërkojnë zgjidhjen e problemit, pasi janë pagues të rregullt të faturave të ujit dhe të energjisë elektrike. Ndërprerja kolektive, sipas tyre, është e papranueshme. Ujësjellësi nuk mund të shlyejë borxhin ndaj CEZ-it, pasi të gjithë konsumatorët e fshatrave nuk e paguajnë ujin.
Reagon CEZ: Mos na pengoni dhe policia të ndalojë çdolloj veprimi ndaj punonjësve tanë
Gjykata, CEZ-it: Stop ndërprerjes së energjisë
Gjykata e Tiranës ka ndaluar Kompaninë CEZ Shpërndarje, që të shkëpusë energjinë elektrike ndaj institucioneve publike. Togat e zeza të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë kanë vendosur që të pranojnë kërkesën e Avokaturës së Shtetit, duke ndalur shkëputjen e energjisë elektrike ndaj çdo autoriteti publik, institucioneve dhe shërbimeve deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare dhe ligjore të mosmarrëveshjeve mes palëve. Në të kundërt kompania çeke, në rast se shkel vendimin e gjykatës, do të penalizohet me një shumë prej 1 miliard lekësh të vjetra për çdo orë ndërprerje të energjisë në vend.
Në vendim thuhet se nëse ka kundërshtime nga kompania, për vendimin e dhënë nga gjykata, atëherë ajo ka të drejtë që të ankohet në Gjykatën e Apelit Tiranë, brenda pesë ditëve, duke nisur nga dita e sotme pas zbardhjes së vendimit. Menjëherë pasi CEZ-i është njoftuar për vendimin e gjykatës, deklaroi se ka nisur rilidhjen e energjisë elektrike për drejtoritë e ujësjellësve në vend. Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i CEZ Albania, Jaroslav Macek, në një prononcim për shtyp ka folur në lidhje me veprimet e ndërmarra nga CEZ Shpërndarje, me datën 16 nëntor 2012. Sipas tij, kompania ka vepruar në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator dhe se është e legjitimuar të realizojë ndërprerjen e energjisë elektrike, për të gjithë ata klientë, të cilët nuk paguajnë për konsumin e energjisë. “Më datën 16 nëntor, punonjësit tanë janë penguar në mënyrë arbitrare nga ana e strukturave të policisë së komisariateve në disa qytete, për të kryer detyrën e tyre funksionale dhe ligjore. Ata janë kërcënuar se duhet detyrimisht të lidhin energjinë elektrike për ujësjellësit, e në disa raste janë shoqëruar në komisariat. Disa prej tyre, në mënyrë arbitrare janë arrestuar në kundërshtim të plotë me ligjin. Kompania mbështet plotësisht punonjësit e ndaluar arbitrarisht, si dhe familjarët e tyre në të gjitha aspektet, ligjore dhe morale”, është shprehur Macek. Njëkohësisht, ai u ka bërë thirrje punonjësve të policisë që të pushojnë çdolloj veprimi apo procedure të filluar ndaj punonjësve te CEZ Shpërndarje, duke shtuar se ndaj uniformave blu do të ndërmarrë procedurat ligjore me kallëzim penal, për shpërdorim detyre dhe ndërhyrje të paligjshme në rrjetin e shpërndarjes.
Reagimet
Ahmetaj: Jo pranga për punonjësit e CEZ-Shpërndarjes, por për krerët e ERE-s
Braçe: Sistemi energjetik është kthyer në piramidë financiare
Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, deklaroi dje se sistemi energjetik është kthyer në një piramidë borxhesh financiare, duke fajësuar qeverinë për situatën monopol. Duke folur në një intervistë për “Top Channel”, Braçe deklaroi se situata e krijuar në tregun energjetik i ka rrënjët pas, në vitin 2009 kur qeveria vendosi të privatizonte monopolin e shpërndarjes. “Pikërisht atëherë ne kundërshtuam me forcë privatizimin e kompanisë, duke i thënë Sali Berishës që nuk mundet që një monopol natyral të transferohet po si monopol te një kompani private; që siguria kombëtare e do që qeveria e Shqipërisë të mbante shumicën e aksioneve; e kundërshtuam për shkak të procedurave që po ndiqeshin; e kundërshtuam për shkak të çmimit me të cilin u shit; e kundërshtuam për një arsye akoma edhe më të fortë, mungesën totale dhe dramatike të transparencës të procesit të privatizimit”, tha nënkryetari i grupit parlamentar të opozitës. Braçe akuzon se qeveria heshti edhe atëherë kur opozita paralajmëroi se sistemi energjetik po zhytej në kolaps financiar, duke kërcënuar ekonominë kombëtare. “Ju kam thënë para shtatë muajsh, që i gjithë sistemi elektroenergjitik shqiptar po hyn në mes të një zinxhiri borxhesh, që po e kthen sistemin në një piramidë shumë të madhe financiare. Një zinxhir i tërë borxhesh që e kalon vlerën e 1.2 miliardë dollarëve”, tha deputeti socialist. Sipas tij, privatizimi i shpërndarjes për qëllime politike dhe në rrethana të dyshimta ka nga pas faturën, pjesa më e madhe e së cilës duhet ende të vijë. “Shifra që CEZ pretendon nga qeveria e Republikës së Shqipërisë për t’u larguar nga Shqipëria është me tetë zero dhe janë para që nuk i ka të vetat as Sali Berisha, as ministri i Ekonomisë janë para që do të dalin nga xhepat e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Ta dëgjojnë sot mirë të gjithë shqiptarët se do të paguajnë një kosto si pasojë e veprimeve kriminale të Sali Berishës që prej vitit 2008 me tetë zero”, tha Braçe.
Deputeti tjetër socialist, Arben Ahmetaj, deklaroi se në këto kushte Sali Berisha dhe drejtuesit e Entit Rregullator të Energjisë duhet të japin dorëheqjen, pasi janë ata përgjegjësit e kësaj situate. Ahmetaj, theksoi se prangat e policisë nuk duhet t’u shkojnë elektricistëve të thjeshtë. “Policia nuk mund të shkojë të arrestojë punonjës të një ndërmarrjeje, të cilët gjithsesi janë në detyrën e tyre. Do të duhej të ndalonte Entin Rregullator të Energjisë, komisionerët e Entit Rregullator të Energjisë për moskryerje detyre. Qeveria shqiptare nuk ekziston më, ka dështuar. Shqiptarët e panë, ajo dje mungonte, e ndërkohë që mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë kishin mbetur pa drita dhe pa ujë e vazhdojnë po kështu, ndërkohë qeveria dhe Kryeministri heshtin”, tha Ahmetaj.

Gazeta Shqip, 18.11.2012