Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rritet prodhimi i naftës, Bankers Petroleum garanton siguri dhe mbrojtje mjedisore

Gjiganti kanadez Bankers Petroleum po përjeton një rritje pozitive të nxjerrjes se naftës në Shqipëri duke gjeneruar të ardhura të konsiderueshme nga të cilat përfiton edhe vendi ynë. Mjafton të përmendim se vetëm gjatë vitit 2011, ajo arriti që të realizojë një investim total prej 243 milionë dollarësh, shoqëruar edhe me rritje ne sektorin e prodhimit të naftës, prej 33% krahasuar me vitin e mëparshëm 2010. Nga ana tjetër, kompania garanton se mbetet e angazhuar në rritjen e punësimit, sigurisë dhe mbrojtjes mjedisore. Të dhënat e vitit të shkuar tregojnë se vetëm në Shqipëri, kompania siguroi një punësim të drejtpërdrejtë për 320 shqiptarë dhe punësim indirekt nga nënkontraktorë për 1.924 të tjerë. Drejtuesit e Bankers Petroleum njoftojnë se në të ardhmen këto shifra do të shtohen aty ku do të jetë e mundur, por një vëmendje e veçantë do të tregohet në trajnimin dhe zhvillimin profesional të të punësuarve aktualë. Për sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes mjedisore, drejtuesit e Bankers Petroleum sqarojnë se kompania vepron në bazë të standardeve të rrepta mjedisore dhe të sigurisë që aplikohen në mbarë botën të cilat zbatohen gjatë gjithë praktikave operacionale. Në këtë mënyrë, Bankers Petroleum që mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e punonjësve të tij, komunitetit lokal dhe mjedisit dhe nëpërmjet investimeve në rritje synon të përmirësojë kushtet lokale mjedisore, shëndetësore dhe standardet e sigurisë. Të dhënat mbi tremujorin e tretë të 2012 të publikuara nga Bankers Petroleum tregojnë se shifra e prodhimit mesatar të naftës nga fusha e Patos-Marinzës gjatë kësaj periudhe ka qenë 15.616 fuçi naftë në ditë, ose 10% më e lartë se mesatarja e tremujorit të dyte 2012. Ndërsa sa u përket shitjeve të naftës mësohet se ato kanë qenë në nivelin prej 11% më të larta se mesatarja e tremujorit të dytë të këtij viti. Kujtojmë ndërkaq, se për këtë tremujor të fundit, kompania kanadeze Bankers Petroleum, raportoi serish një rritje të të ardhurave, në nivelin rreth 3.7%. Të dhënat në fjalë tregojnë se treguesit financiarë dhe operacionalë të kompanisë janë në rritje dhe drejtuesit e kompanisë ndërkaq premtojnë se ky trend do të vazhdojë edhe në vitin 2013. Nga ana tjetër, gjiganti kanadez ka njoftuar se gjatë kësaj periudhe janë kryer 35 shpime të puseve, ndërsa ekspertët e saj kanë vazhduar me programet e kontrollit të ujit. Këto programe tregojnë përmirësim në praninë e normës së naftës dhe reduktim te ujit. Për sa i përket të ashtuquajturit Bllokut “F”, bëhet me dije se eksplorimet për naftë pranë tij, parashikojnë shpime në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Më herët gjatë këtij viti, Bankers Petroleum ka qenë e interesuar edhe për privatizimin strategjik të kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol, duke qenë njëra nga 14 kompanitë e listuara fillimisht për pjesëmarrje në këtë proces të rëndësishëm për sektorin e hidrokarbureve në vendin tonë.

Gazeta Standard, 15.11.2012