Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia, sektori që pret investime deri në 5 miliardë euro

Shqipëria vlerësohet se i ka të gjitha potencialet për t’u kthyer në një nyje të rëndësishme të eksportit të energjisë së rinovueshme në rajon dhe Europë, pasi zotëron potenciale natyrore ende të pashfrytëzuara si dhe një klimë të përmirësuar të të bërit biznes. Këta tregues premtojnë që Shqipëria të kthehet në vend eksportues të energjisë, ndaj biznesi shqiptar është vënë në kërkim të “terrenit” për të përfituar maksimalisht nga ky sektor, duke vendosur për bashkime investimesh me krijimin e shoqërive aksionere. Të tilla janë firmat “Riviera”, “EHW, “Energji Project” dhe “Atlantik”, të cilave qeveria u ka dhënë të drejtën për të ndërtuar një hidrocentral në rrjedhën e lumit Mat, sipas formës “BOT” (Ndërtim, Operim dhe Transferim). Në këtë bashkim janë përfshirë biznese të natyrave të ndryshme si ndërtimi, sigurimi dhe agropërpunimi, me synim një sfidë tjetër, energjisë elektrike, me arsyetimin si një fushë që afron fitim të sigurtë. Pronarët e tre bizneseve besojnë tek klima e favorshme dhe lehtësitë që ka krijuar qeveria për ndërtimin e HEC-ve. Investimi që këto biznese do të fusin në ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Mat arrin vlerën 40 milionë euro për katër vjet. Këshilltarja për Ekonominë pranë Kryeministrit, Suzana Guxholli, e vlerëson këtë sektor me bilanc pozitiv, që vjen në kohë krize dhe tkurrjeje financiare ekonomike. “Falë këtyre investimeve, ekonomia shqiptare i ka shpëtuar recensionit dhe ka arritur të mbajë ritme rritjeje, por efekti i krizës ka qenë i pashmangshëm”, është shprehur Guxholli. Në Shqipëri, shfrytëzohen vetëm 53.9% e burimeve totale të energjisë ekzistuese, ndaj po punohet për përmirësimin e kuadrit ligjor për zhvillimin e energjisë së rinovueshme me prodhim nga impiante private dhe me koncesion, ç’ka krijon mundësi për objekte të reja prodhuese. Energjitë ujore, diellore dhe e erës, konsiderohen si sektorët me mundësi të mëdha të pashfrytëzuara për thithjen e investimeve të huaja, ndaj të cilave janë krijuar lehtësi fiskale dhe reduktim të barrierave. Një prej të cilave reduktimi i lejeve dhe licencave nga 22 në 12, në një qendër me një ndalesë, QKL për koncensionet në ndërtimin e HEC-ve.
Sektori i energjisë
Në strategjinë e sektorit të energjisë, qeveria i ka dhënë prioritet shfrytëzimit të potencialit të madh hidroenergjetik të pashfrytëzuar. Për të nxitur nismën private për investime në ndërtimin e HEC-ve të reja me koncesion me fuqi deri në 15 MW, qeveria ka autorizuar KESH-in që të blejë të gjithë energjinë elektrike të prodhuar prej tyre, me çmim të miratuar nga ERE. Që nga viti 2007, janë dhënë rreth 336 HEC-e të vogla dhe të mesme me koncesion me 140 kontrata, prej të cilave 72 janë lidhur në sistem, ndërsa 80 të tjerë në proces për të përfunduar brenda këtij viti. Me to, sasisë totale të energjisë së prodhuar nga burimet ujore pritet t’i shtohen rreth 125 MW. Gjithashtu 100 HEC-e të tjerë janë në proces. Parashikimet sipas kontratave të nënshkruara deri në fund të shtatorit, tregojnë një fuqi të instaluar prej 1520 MW. Projektet e paraqitura, ato në proces dhe të përfunduara llogarisin një vlerë investimi prej rreth 3 miliardë euro. Vetëm HEC-i i Devollit që do të nisë nga ndërtimi në vitin 2013, llogarit një vlerë investimi 1 miliard euro. Në tërësi rreth 5 miliardë euro investime që parashikohen për shfrytëzimin e burimeve të energjisë së rinovueshme. Investimet në përftimin e energjisë nga burimet hidrike në 80% vijnë nga kompanitë e huaja, si projekte të kushtueshme, që kërkojnë njohuri të plota dhe mundësi financiare, kryesisht nga banka të mëdha ndërkombëtare. Me përfundimin e pjesës më të madhe të hidrocentraleve dhe realizimit të projekteve për parqe eolike, pritet që jo vetëm të përballohen gjithë nevojat e vendit, por një pjesë e saj edhe të eksportohet.

Gazeta Rilindja Demokratike, 01.11.2012