Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministri Haxhinasto merr pjesë në Forumin Botëror të Energjisë në Dubai

Nga datat 22 – 24 Tetor në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe zhvillohet Forumi Botëror i Energjisë, me pjesëmarrjen e mbi 80 liderëve botërorë dhe mbi 100 Ministrave të energjisë dhe mjedisit, si dhe ekspertëve të fushës nga e gjithë bota.
Shqipëria u përfaqësua në këtë Forum Botëror nga një delegacion i kryesuar nga  Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani dhe me pjesëmarrjen  e Zv.Kryeministrit dhe ministrit të METE, z. Edmond Haxhinasto dhe ministrit të Mjedisit, z. Fatmir Mediu.
Fokusi i këtij Forumi ishte trajtimi i sfidave të energjisë në nivel global, nevoja gjithmonë e në rritje për furnizmin me energji, në një kohë ku konsumi energjetik botëror kërkon eksplorimin e resurseve të reja, si dhe promovimin e energjive të rinovueshme dhe implementimin e iniciativës globale të Kombeve të Bashkuara “Energji të qëndrueshme për të gjithë”.
Gjatë këtij Forumi, Zv.Kryeminstri dhe ministri i METE, z. Haxhinasto mori fjalën në sesionin ministerial kushtuar energjisë së rinovueshme, ku prezantoi mundësitë dhe kapacitetet energjetike të Shqipërisë, si dhe bëri një ekspoze të reformave të qeverisë shqiptare për të rritur prodhimin e energjive të rinovueshme në vend, dhe rritjen e sigurisë të furnizimit të saj.
Z. Haxhinasto iu referua dokumenteve strategjikë për reformat e sektorit, duke përmendur Strategjinë e BE për vitin 2020, si dhe objektivat e Traktatit të Energjisë për Evropën Juglindore ku Shqipëria ështe palë, për realizimin e totalit të konsumit të energjisë së rinovueshme deri në rreth 40 për qind, në vitin 2023.
Ministri z. Haxhinasto, pasi radhiti një sërë oportunitetesh në projekte të ndryshme hidro-energjetike, në ndërtimin e parqeve eolike, apo paneleve diellore, ftoi homologët e tij dhe kompanitë e huaja pjesëmarrëse të vijnë në Shqipëri dhe të investojnë për realizimin e këtyre projekteve.
Në fjalën e tij, z. Haxhinasto vuri theksin mbi rëndësinë e madhe që kanë projektet e energjisë së rinovueshme për të përballuar me sukses në të ardhmen sfidat e zhvillimit ekonomik. Në këtë kontekst, ministri i METE vlerësoi se është vitale intensifikimi i investimeve, financimeve dhe bashkëpunimit publik privat, zhvillimi i projekteve të përbashkëta për të rritur eficencën e burimeve energjetike, si dhe për të siguruar furnizim më të sigurt e me kosto të ulët për qytetarët. Z. Haxhinasto vlerësoi se angazhimi i institucioneve ndërkombëtare financiare në realizimin e këtyre projekteve strategjike është i mirëpritur.
Gjatë punimeve të Forumit, Zv.Kryeministri z. Haxhinasto pati mundësinë të takonte homologët e tij dhe shumë përfaqësues të organizatave ndërkombtare të energjisë, ku u shkëmbyen eksperienca dhe ide konkrete për të avancuar projekte në fushën e energjisë së rinovueshme.

energjia.al, 23.10.2012