Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KESH ka para për importin edhe për nëntorin

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka shlyer një borxh prej 18 milionë eurosh, të cilin ka trashëguar në formën e detyrimeve të prapambetura ndaj furnitorëve. Paratë kanë dalë nga fondi prej 50 milionë eurosh që akordoi qeveria pak kohë më parë, të cilat kishin si destinacion importin e energjisë së pakryer nga kompania e shpërndarjes së energjisë. Ndërkohë nevojat e vendit për energji mbulohen nga importi. Fatura e importit të energjisë për konsum për 20 ditë të muajit tetor arriti në 14 milionë euro të tjera. Deri tani Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka nxjerrë nga fondi prej 50 milionë eurosh 32 milionë euro. Shuma e mbetur prej 18 milionë eurosh do të përdoret për blerjen e energjisë për konsum të tregun rajonal, ndërkohë që prodhimi në vend është në nivele shumë të ulëta për shkak të rënies së nivelit të hidrocentraleve në pikën e tyre kritike. Burime nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare bëjnë të ditur se, sipas përllogaritjeve paratë e mbetura mund të përballojnë faturën e importit maksimalisht deri në fund të muajit nëntor. Aktualisht Korporata blen nga jashtë 11 milionë kilovat orë ose 700 mijë euro energji në ditë. Mësohet se niveli i Fierzës ka arritur në nivelin minimal prej 276 metrash, me prurje të cilat nuk kalojnë më shumë se 30 m3/s, ndërkohë që Komani dhe Vau i Dejës shënojnë një nivel përkatësisht prej 172 dhe 74.5 metrash. Sektori i energjisë përgjatë këtij viti është përballur me një rënie të prodhimit nga ana e burimeve hidrike, çka ka përkeqësuar më tej bilancin e energjisë elektrike. Kështu sipas INSTAT për 6 muajt e parë të këtij viti prodhimi i energjisë ka shënuar një ulje me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ku rënia më e madhe prej 20% ka qenë për energjinë e prodhuar nga hidrocentralet, që përbën edhe pjesën kryesorë ku mbështetet sistemi elektroenergjitik në vend.

Gazeta Shekulli, 21.10.2012