Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministri Haxhinasto në Ministerialin e Komunitetit të Energjisë: Se shpejti Strategjia Rajonale e Energjise

Zv.Kryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Edmond Haxhinasto, mori pjesë në takimin e 10 Ministerial të Komunitetit të Energjisë që u zhvillua sot në Budva të Malit të Zi.
Sekretariati i Komunitetit të Energjisë është instrumenti më i rëndësishëm rajonal për çështjet e sigurisë të furnizimit të vendeve të rajonit me energji, si dhe për integrimin e tregut shqiptar me atë europian.
Në axhendën e mbledhjes së këtij Këshilli përfshiheshin raportime mbi veprimtarinë e këtij Sekretariati gjatë periudhës një vjeçare, si dhe miratimi i disa direktivave të rëndësishme për sektorin e energjisë.
“Hartimi i Strategjisë Rajonale të Energjisë dhe përcaktimi i projekteve prioritare, me interes shumëplanësh, është një arritje shumë e rëndësishme e këtij takimi”, tha Ministri Haxhinasto në fjalën e tij.
Kjo strategji është pika e referencës për strategjinë tonë kombëtare, e cila do të jetë në përputhje të plotë me direktivat e BE, – shtoi Ministri. Ai informoi Ministerialin për projektet e mëdha të që po planifikohen dhe po ndërtohen në Shqipëri në fushën e energjisë së rinovueshme, si ato mbi lumin e Vjosës, Osumit, Drinit të zi, si dhe projektet e HEC-eve të vogla që aktualisht programojnë një kapacitet të instaluar mbi 2000 MW.
Në përputhje të plotë me njërën nga direktivat që u miratuan sot, qeveria shqiptare, para pak ditësh, miratoi ligjin “Për Energjitë e Rinovueshme” që pritet shumë shpejt të miratohet në Parlament. Ndër të tjera, në këtë ligj parashikohen lehtësira dhe incentiva të rëndësishme për investitorët që janë të interesuar të investojnë në këto lloj energjish dhe që do të çojnë në realizimin e angazhimeve që ka marrë Shqipëria në kuadër të një vendi nënshkrues të Traktatit të Komunitetit të Energjisë.
Në fjalën e tij, Ministri Haxhinasto theksoi edhe projektet për lidhjen e të gjitha vendeve të rajonit me rrjetin Europian të gazit natyror, i cili do të krijonte hapësira të reja në diversifikimin e burimeve të energjisë.
“Shqipëria ka mbështetur iniciativën për ndërtimin e Unazave të Gazit të Ballkanit Perëndimor, si një mundësi e madhe për lidhjen e të gjitha vendeve të rajonit me rrjetin e gazit natyror, por ne kemi mbështetur njëkohësisht edhe projektin TAP”, shtoi Ministri. Vetëm para pak ditësh, Qeveritë e Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë nënshkruan edhe Marrëveshjen përkatëse për projektin TAP. 
Në fund të diskutimit të tij, z. Haxhinasto vlerësoi punën e bërë nga Sekretariati për implementimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, duke ndihmuar kështu në unifikimin e kuadrit ligjor dhe rregullator të rajonit me direktivat përkatëse të Bashkimit Europian.
Shqipëria, së bashku me Malin e Zi, Serbinë, Moldavinë, Bosnje Hercegovinën, Maqedoninë, Kosovën, Ukrahinën, Kroacinë dhe Bullgarinë janë vendet nënshkruese të Traktatit të Energjisë.

energjia.al, 18.10.2012