Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bosnjë-Hercegovinë /Konflikti serbo-boshnjak për gazsjellësin “Rrjedha e Jugut”

Aleanca me “Gazprom” të Rusisë ndez konfliktin. Nuk pyetet Federata Boshnjake, ndërkohë që projekti është rival me “Nabucco”, që mbështetet nga Bashkimi Europian dhe SHBA-ja, synimi i të cilit është që të reduktojë varësinë e Europës nga energjia ruse

Presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik, ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë ruse “Gazprom”, për të ndërtuar një pjesë të rrjetit të gazsjellësit “Rrjedha e Jugut” dhe dy centrale me gaz në këtë njësi.
Dodik dhe përfaqësues të tjerë të Republika Srpska, njësia në Bosnjë që udhëhiqet nga serbët, ka nënshkruar së fundmi një memorandum mirëkuptimi në Rusi, me kompanisë ruse të gazit “Gazprom”.
Dodik tha se kontrata mundëson edhe ndërtimin e centraleve të gazit, që do t’i rriste ndjeshëm kapacitetet gjeneruese të energjisë në vend, duke e bërë Republika Srpska një nga prodhuesit më të rëndësishëm në rajon.
Ai shtoi se “Rrjedha e Jugut” është një projekt domethënës që do të zgjidhte çështjen e energjisë së qëndrueshme në të gjithë rajonin. “Rrjedha e Jugut” është një gazsjellës që do të transportojë gaz natyror nga Rusia, përmes Detit të Zi dhe Bullgarisë në Itali, Austri dhe disa shtete ballkanike.
Kreu i Departamentit të Energjisë në Ministrinë boshnjake të Tregtisë së Huaj dhe Marrëdhënieve Ekonomike, Mubera Bicakcic, tha për “Balkan Insight” se, ndërsa ishte pozitive që Republika Srpska kishte nënshkruar marrëveshje për gazsjellësin “Rrjedha e Jugut”, duhet të ishte konsultuar më parë me institucione të nivelit shtetëror ose me njësinë federative së pari.
Ajo shpjegoi se megjithëse ishte një gjë e mirë për vendin që gazsjellësi të kalonte përmes Bosnjës, duhet të ishin konsultuar institucionet e tjera të vendit, veçanërisht në një kohë që po merret në konsideratë një projekt tjetër – ai i “Nabucco”-s që mbështetet nga Bashkimi Europian dhe SHBA-ja, synimi i të cilit është që të reduktojë varësinë e Europës nga energjia ruse.
“Problemi është se ne nuk kemi një strategji në nivel shtetëror për energjinë, edhe pse kjo është një fushë prioritare për Bosnjën dhe Hercegovinën në procesin e integrimit në BE”, tha Bicackic, “Kjo ndodh për shkak se RS do që të jetë e pavarur në planifikimin e energjisë”.
Bicakcic shpjegoi se, sipas ligjit, një entitet si RS mund të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare, por në këtë rast specifik ajo duhet që të pyeste ministrinë përgjegjëse në nivel shtetëror, në mënyrë që të merrte miratimin.
“Ne nuk kemi marrë ndonjë njoftim në ministri”, tha Bicakcic.
Kryeministri i Republika Srpska, Aleksandar Dzombic, ka pohuar për median vendase se kontrata që ka nënshkruar Dodik është një investim kyç për zhvillimin e ardhshëm të njësisë.
“Gazprom” dhe qeveria e Republika Srpska do të formojnë një kompani të përbashkët vitin që vjen, pas të cilit do të përcaktohen gjurmët e gazsjellësit dhe do të fillojnë punimet e ndërtimit.
Dodik shpjegoi se kompania e përbashkët do të sigurojë një linjë kredie dhe para cash për projektin, duke shtuar se “Gazprom Bank” mund të ofrojë siguri shtesë për projektin, përmes një huaje.
Hamza Karic, i cili jep leksione për marrëdhëniet ndërkombëtare në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë, e mirëpriti faktin që Republika Srpska ka nënshkruar kontratën, por shtoi se dhe entiteti tjetër boshnjak duhet të ndjekë këtë rrugë, kur bëhet fjalë për politikat e energjisë.
“Në rast se ky projekt do të zbatohet, ai do të përfaqësonte një sukses për lidershipin politik të njësisë së Republika Srpska”, tha Karcic. “Është e rëndësishme që përfaqësuesit e federatës (entitetit tjetër) të bëhen më proaktivë në arritjen e marrëveshjes me ‘Gazprom’ dhe kompani të tjera në këtë sektor”.

Revista Monitor, 06.10.2012