Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

ERE rrëzon ankimimin e CEZ, në fuqi kamata ditore për faturat e papaguara ndaj OST

Enti Rregullator i Energjisë ka rrëzuar ankimimin e CEZ Shpërndarje për ndryshimet në marrëveshjen e transmetimit të energjisë elektrike CEZ-OST për vitin 2012, sipas së cilës, në rast kur CEZ Shpërndarje sh.a. nuk ka kontestime në lidhje me faturën, por vonon në kryerjen e pagesave ndaj OST sh.a., ajo do të paguajë një kamatëvonesë mbi vlerën e faturës, të barabartë me 0.5 % të vlerës së faturës për çdo ditë vonesë, por jo më shumë se vlera e vetë faturës.
Ndryshimet në këtë marrëveshje u miratua nga ERE më datë 19 korrik të këtij viti, por CEZ e ankimoi atë vetëm pak ditë më pas. Pas shqyrtimit të këtij ankimimi, më datë 29 gusht, ERE vendosi ta rrëzojë atë me arsyetimin se CEZ, nuk kishte çuar prova të reja që të bindnin bordin e komisionerëve për një vendim të ndryshëm nga ai i korrikut, lidhur me marrëveshjen për detyrimet që akuzohen nga mospagimi i faturave. Vendimi i ERE është botuar dje në Fletoren Zyrtare, ku thuhet tekstualisht: “Vendim Nr. 126, datë 29.8.2012 mbi ankimin administrativ të CEZ Shpërndarje sh.a., në lidhje me vendimin nr. 102, datë 19.7.2012 “Për miratimin e marrëveshjes së transmetimit të energjisë elektrike midis OST sh.a., dhe CEZ Shpërndarje sh.a., të Bordit të Komisionerëve. Në mbështetje të nenit 9 të ligjit nr. 9072, datë 22.5.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar dhe nenit 16 pika 3 të Rregullave të Praktikës dhe Procedurave të ERE-s, të miratuar me vendimin nr. 21, datë 18.3.2009, Bordi i Komisionerëve të ERE në mbledhjen e tij të datës 29.8.2012, pasi u njoh me relacionin e përgatitur nga Drejtoria Juridike dhe e Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Drejtoria e Licencimit dhe Monitorimit të Tregut, mbi ankimin administrativ të shoqërisë CEZ Shpërndarje sh.a., për vendimin nr. 102, datë 19.7.2012, vendosi të mos pranojë ankimin e shoqërisë CEZ Shpërndarje si të pabazuar në prova të reja që mund të çojnë Bordin e Komisionerëve të ERE në një vendim të ndryshëm nga ai i marrë në datën 19.7.2012 dhe lënien në fuqi të vendimit nr. 102, datë 19.7.2012 “Për miratimin e marrëveshjes së transmetimit të energjisë elektrike midis OST sh.a. dhe CEZ Shpërndarje sh.a”.
ERE rrëzon dhe ankimimin për gjobën
Vetëm pak ditë më parë, Enti Rregullator i Energjisë rrëzoi një tjetër ankimim të CEZ Shpërndarje. Kjo e fundit kishte ankimuar gjobën 430 milionë dollarëshe, që ERE kishte vendosur ndaj saj për shkelje ligji, duke mos importuar sasinë e energjisë së përcaktuar në kontratën e privatizimit. CEZ u gjobit më datë 11 shtator me 1 % të xhiros vjetore për shkak se nuk ka importuar energjinë për të mbuluar humbjet në rrjet për gjatë vitit 2012. Ndërkohë që, vetëm pak ditë më pas dorëzoi pranë ERE ankimimin ndaj penalizmit. Por, në vendimin e datës 20 shtator, ERE deklaroi mungesën e juridiksionit për ankimin e CEZ Shpërndarje “Mbi Vendimin nr. 128, datë 11.09.2012 “Për procedimin administrativ për vendosje gjobe ndaj Shoqërisë CEZ Shpërndarje sh.a”.

Gazeta Sot , 30.09.2012