Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Albpetroli kris aleancën Meta-Berisha, LSI: Privatizimi aventurë e PD

Shtohen arsyet e Ilir Metës për t’u larguar nga koalicioni qeverisës. Pas kryeprokurores dhe zgjedhjes së kreut të KQZ, privatizimi i Albpetrol ndan në qëndrime Ilir Metën dhe Sali Berishën, dy aktorët kryesorë të koalicionit në pushtet. Nga ky privatizim Berisha ka marrë 850 milionë euro në dorë për t’i përdoruar për zgjedhje, ndërsa Meta ka dalë jashtë loje bashkë me kompaninë e tij, “Bankers Petrolium”, e cila u rendit e treta.
Meta ishte investuar fort që të fitonte “Bankers Petrolium”, por çdo plan u prish pas ndërhyrjes së amerikanëve. Ndërkohë, krisja PD-LSI tashmë duket e pashmangshme. Ditën që Komisioni i Vlerësimit të Ofertave shpalli fituese kompaninë amerikane “Vetro Silk Roud Equity”, ka ardhur edhe reagimi i LSI, e cila u shpreh se privatizimi i Albpetrol është një aventurë. Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, deklaroi se kompania nuk ka eksperiencë në këtë fushë. Sipas Vasilit, ky privatizim nuk garanton qëndrueshmëri dhe zhvillim. “Do thosha se kjo është një nga deklaratat publike më vizionare, ku pohon që partnerët e paqëndrueshëm nuk lejojnë qëndrueshmërinë dhe vijueshmërinë ekonomike të një vendi. Ju e dini fare mirë se çfarë do të thotë një partner strategjik sesa një partner aventurier. Në momentin kur në një privatizim madhor bashkohen të dy elementet, vendi ka përftime dyfishe, jo vetëm të momentit, por dhe të shtrira në kohë. Ne mund të themi se në këtë privatizim të gjatë, i cili nuk është ndërtuar në një ditë të vetme, por është ndërtuar ndër vite. Në mënyrë të veçantë ka qenë në një intensitet të jashtëzakonshëm. Dihet që përgjegjësia politike e drejtimit të atij institucioni, e atij dikasteri ka qenë i LSI dhe atje ka kontribute të mjaft personaliteteve që kanë drejtuar këtë dikaster, dhe në fund fare ne kemi finalizimin e një privatizimi të pakontestuar”, theksoi Vasili. Po ashtu, edhe Ilir Meta, ka deklaruar se vlerësimi i privatizimit nuk duhet të niset nga oferta por nga serioziteti dhe investimi i kompanisë.
Lufta Berisha-Meta për Albpetrolin
Për muaj me radhë, Meta dhe Berisha punuan paralel për të diktuar pronarin e ri kompanisë së vetme shtetërore të naftës në Shqipëri dhe pasurisë më të madhe të shqiptarëve. Berisha e fuqizoi Albpetrolin duke i dhënë të drejta për kërkim nafte, licencë për shpërndarjen dhe tregtimin e gazit që do të vijë nga gazsjellësi, të drejtën për shitje dhe shpërndarje energjie. Në prag të zgjedhje të 2013, Berisha i rriti vlerën Albpetrolit, ndërsa nisi lëvizjet për ta kaluar në dorën e sekserëve të tij. Nga ana tjetër, Ilir Meta, duke pasur nën kontroll Ministrinë e Ekonomisë, tentoi që pronari i ri i Albpetrol, të ishte kompania kanadeze “Bankers Petroleum”, me të cilën ka lidhje të shumëfishta klienteliste. Por, futja e amerikanëve në lojë, me një ofertë tronditëse 1 miliard USD, e nxori procesin e privatizimit të Albpetrolit si nga duart e Berishës ashtu edhe të Metës. Kompani amerikane “Vetro Silk Roud Equity” vuri në tryezë plot 850 milionë euro, duke kapur në befasi qeverinë. Ndonëse ishte kundra që tenderin ta fitonte kompania amerikane “Vetro Silk Roud Equity”, Berisha u josh nga oferta 850 milionë euro, para të cilat do t’i përdorë për t’u ricikluar në pushtet në 2013. Nga ana tjetër, Meta doli më jashtë loje. Kompania e tij, “Bankers Petrolium”, u rendit e tjera në klasifikim. “Bankers Petrolium”, ofroi 303 milionë euro, aq sa e kishte parashikuar vlerën qeveria. Megjithatë, kompania pranë Metës u vlerësua me 9.35 pikë për ofertën financiare dhe 21.48 pikë për ofertën teknike.
Amerikanët janë vetëm një hap larg marrjes së Albpetrol, kompanisë së vetme shtetërore të naftës në Shqipëri dhe pasurisë më të madhe të shqiptarëve. Pas një heshtjeje dhe dyzimi prej tre javësh, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka shpallur rezultatet paraprake në garën për privatizimin e Albpetrol, duke renditur të parën kompaninë amerikane Vetro Silk Roud Equity”. Kryetari i komisionit të vlerësimit të ofertave, Sokol Dervishaj, tha pardje para mediave se “Vetro Energy” është kompania që nga konsulenti “Patton Boggs” është vlerësuar me pikët më të larta. Oferta 850 milionë euro ka rezultuar joshëse për qeverinë, në një kohë të tillë kur paratë i duhen më shumë se kurrë, kurse për konsulentin kjo ka qenë edhe oferta më e mirë, duke u vlerësuar me 97.78 pikë në total. Konsulenti i qeverinë për këtë privatizim ka renditur si të dytin konsorciumin “Win Bussines Energy Limited”, pjesë e grupit “Bright Oil”, që paraqiti një ofertë prej 297.6 milionë euro. Pikët që ka marrë ky konsorcium shkojnë në 44.39, ku pikët dukshëm i ka fituar në pjesën e kritereve teknike. E treta është renditur oferta e kanadezëve të Bankers Petroleum.
Lidhjet e Metës me Bankers Petrolium
Kompania kanadeze e naftës, për shkak të lidhjeve politike, nuk ka paguar asnjëherë tatim-fitim që kur ka filluar të punojë në Shqipëri. Ajo ka lidhje të forta me qarqet e politikës, por më pranë saj është Ilir Meta. Kreu i LSI i dha Bankersit dy puse shumë të vlefshëm sa i përket rezervave në fushën naftëmbajtëse Patos- Marinëz. Ndërkohë, njerëz paranë Metës madje edhe vetë Meta, fshihet pas kompanive të krijuara me autorizim të Bankers Petrolium. Një kompani e krijuar në vitin 2010, e quajtur Sherwood International Petrolium, e autorizuar nga Bankers, me qendër në Sheq në Fier, dhe me përfaqësues ligjor një shtetas shqiptar, është në pronësi të Abdel Fatah Zaki Badëi, i cili praktikisht është në detyrë funksionale zëvendëspresident i kompanisë Bankers. Badëi është me profesion gjeolog me një përvojë mbi 35 vjet në fushën e kërkimit të naftës dhe është CEO i Bankers në filialin shqiptar. Kompania e krijuar prej tij, pasi Bankers kishte disa vite në Shqipëri, është bërë pasi Ministria e Ekonomisë e LSI i ka ofruar atij dy vendburime nga më të mirat e naftës në zonën e Patoz Marinzës, në emër të kompanisë së re. Duke qenë edhe zëvendësdrejtor i Bankersit, në Bordin e Drejtorëve të saj, dhe CEO i Bankers në Shqipëri, dhe po ashtu pronar i një kompanie tjetër nafte në Shqipëri me njerëz të LSI, duket se ky është person kyç influent që lidh LSI me Bankers. Nëse u hedh një sy ekstrakteve të Bankers dhe kompanisë së formuar nga CEO i Bankers dhe njerëz të LSI, shihet qartë se puset që Bankers u ka kërkuar qysh më 2008, u janë dhënë më 2011 njësoj në të njëjtën kohë dhe Bankers dhe CEO së Bankers, në kohën që Ministria drejtohej nga LSI.
Ja si u fuqizua Albpetroli
Pasi i dha licencën për shpërndarjen dhe tregtimin e gazit që do të vijë nga gazsjellësi (TAP) në Shqipëri, qeveria e pajisi Albpetrolin edhe me dy licensa për sektorin e energjetikës. Më 26 shkurt të 2012, Enti Rregullator i Energjisë, i ka dhënë Albpetrolit licencën për tregtimin e energjisë elektrike. Po ashtu, një tjetër licencë ERE ia ka dhënë Albpetrolit për shpërndarjen e energjisë elektrike. Pra, pas blerjes nga amerikanët, Albpetrol mund të dublojë CEZ, pasi nisur nga oferta e dhënë, Silk Road Equity rezulton një kompani shumë e fuqishme. Nga ana tjetër, CEZ është zhytur në një vorbull borxhet me miliarda lekë dhe po shkon drejt falimentimit. Kështu, menjëherë pasi Albpetrol të bie në dorë të pronarit të ri, komani mund të fitojë terren në sektorin e energjetikës. ERE ka filluar gjithashtu procedurat e licencimit të kompanisë Albpetrol për aktivitetin e furnizuesit të energjisë elektrike.
Zef Preçi: Paratë e Albpetrolit shkojnë për borxhe
Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi tha se paratë që do të sigurohen nga privatizimi i kompanisë Albpetrol duhet të shkojnë për investime dhe zbutjen e borxhit publik. “Është një proces që ka tërhequr vëmendjen e kompanive serioze nga vendet më të rëndësishme të botës, gjë që ka çuar në një vlerësim të konsiderueshëm, normal do ta konsideroja, të atij aseti që është ofruar për privatizim. Nëse kjo shumë, prej 850 milionë eurosh do të derdhet në “cash” në buxhetin e shtetit, formon një “bum”, në kuptimin e mirë të fjalës, gjë që do ta bëjë të detyrueshme rishikimin e buxhetit, por kësaj radhe jo për të shkurtuar shpenzimet publike, por për të rialokuar këto burime”, thotë Preçi. Nëse qeveria do të shpallë fituese kompaninë e renditur të parën nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave dhe konsulenti ndërkombëtar, Vetro Energy me ofertën më të lartë, qeveria duhet të menaxhojë me kujdes këto të ardhura, duke mos harruar projekte që hapin vende të reja pune.

Gazeta Sot, 30.09.2012