Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjermanët e KfW heqin dorë nga projektet energjetike, do merren me arsim dhe ujitje

Qeveritë gjermane, përmes institucioneve të tyre të financimit, janë treguar shumë bujare me vendin tonë. Ishin të parët që nisën të jepnin kredi për nga Perëndimi. Prej vitit ’88, dhe deri më sot, kanë akorduar afro 1 miliard euro në disa sektorë, kryesisht në energji. Problemet e fundit me projektin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën, duket se i ka venitur raportet mes dy vendeve. Si nga pala gjermane e bankës KfW, ashtu edhe nga ajo shqiptare, nuk ka informacion se çfarë po ndodh me projektin 75 milionë euro, ndërsa në muajin nëntor mbush një vit nga anulimi i tenderit dhe bllokimi i gjithë projektit.
Ndoshta duhet të presim deri javës tjetër, për të mësuar më konkretisht për projektet, pasi në zyrën e Kryeministrit Sali Berisha do të zbarkojë një ekip nga Ministria gjermane e Ekonomisë. Aty do të diskutohen shumë çështje, madje edhe fati i projekteve të ardhshme, ndërsa do të vendoset edhe për shumën e financimeve të mëtejshme.
Zyra e shtypit pranë ambasadës gjermane në Tiranë konfirmon takimin, ditën e martë, datë 25 shtator, për nisjen e bisedimeve qeveritare 2012 rreth bashkëpunimit për zhvillim mes qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
Qeveria gjermane ka vendosur në dispozicion një fond, por se cila është vlera, varet nga diskutimet e javës së ardhshme. Por cilët mund të jenë sektorët që do të përfitojnë financim? “Fondet e reja të miratuara përqendrohen në përmirësimin e furnizimit me ujë, nxitjen e arsimit profesional dhe rritjen ekonomike në zonat rurale. Gjermania kontribuon kësisoj në nxitjen e punësimit në Shqipëri në kohë krizash ekonomike”, thotë zyrtarisht ambasada gjermane. Siç duket nga njoftimi, energjia, sektori më i preferuar i bankës gjermane KfW, nuk konsiderohet më prioritet, madje është hequr nga lista e financimeve.
Ambasada thotë se, një çështje me rëndësi themelore për Gjermaninë është përmirësimi i kushteve të jetesës së popullsisë shqiptare, p.sh. përmes shtrirjes së mëtejshme të furnizimit me ujë 24 orë rresht dhe të pastrimit të ujërave të zeza duke mbrojtur njëkohësisht mjedisin (kryesisht në rajonet Korçë dhe Pogradec).
Vini re çfarë thotë më tej ambasada në njoftim! “Bashkëpunimi gjerman për zhvillim mbështet bashkëpunimin rajonal në Europën Juglindore. Si shembull në këtë kontekst është linja e rëndësishme e tensionit të lartë Shqipëri-Mali i Zi, inauguruar në mënyrë të suksesshme më 2011-n në praninë e Kryeministrit Berisha dhe ministrit federal Niebel”. Pra, për gjermanët, linja me Malin e Zi, e cila u realizua duke respektuar standardet, rezultoi e suksesshme, ndërsa për linjën 400 kilovolt me Kosovën nuk jepet asnjë deklaratë, duke e shtuar akoma e më tej misterin e fatit të projektit.
“Gjermania jep mbështetjen e saj në këtë kuadër, që Shqipëria të ecë më tej në rrugën e transformimeve, të vazhdojë të integrohet në nivel rajonal dhe të përmbushë kushtet për anëtarësimin në BE”, thotë ambasada. Delegacioni me ekspertë të Ministrisë Federale të Bashkëpunimit Ekonomik, drejtuar nga dr. Leo Kreuz, së bashku me bashkëpunëtorët nga Shoqata për Bashkëpunimin Ndërkombëtar GIZ dhe Banka Gjermane për Rindërtim KfW, do të mbërrijnë në datën 24 shtator. Në datën 25 shtator, në ambientet e Këshillit të Ministrave do të nisin bisedimet qeveritare, të cilat në përfaqësim të palës gjermane do të hapen nga ambasadorja Müller-Holtkemper. Nënshkrimi i Protokollit të Bashkëpunimit është planifikuar të njëjtën ditë, ndërsa në datën 26 shtator do të zhvillohen vizita dhe prezantime projektesh në zonën e Shkodrës.
Gjermania është donatori më i madh i Shqipërisë në nivel dypalësh dhe e mbështet atë prej vitit 1988. Në këta pothuaj 25 vjet të bashkëpunimit dy dhe shumëpalësh, Gjermania ka vënë në dispozicion më shumë se 1 miliard euro në formë kredish dhe grantesh për realizimin e projekteve për zhvillim. Statistikat tregojnë se Gjermania është vendi me kontributin më të madh në të gjitha projektet e Bashkimit Europian.
Holtkemper: Realizimi i reformave, në dorë të Shqipërisë
“Sfidat në përmbushjen e standardeve të BE-së janë të mëdha.
Shqipëria është ajo që përcakton se me ç’shpejtësi do të realizohen reformat. Bashkëpunimi për zhvillim synon të ndihmojë Shqipërinë në arritjen e standardeve të BE-së”, ishte deklarata e ambasadës gjermane.

Gazeta Shqip, 20.09.2012