Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Këshilli i Komunës Zharrëz vendos “pezullimin” e aktivitetit të “Bankers”

“Tërmetet” e herëpashershme në zonën e Zharrëzës së Fierit, ka bërë që këshilli i kësaj komune të mblidhet e të vendosë hartimin e një kërkese për pezullimin e veprimtarinë së kompanisë së naftës “Bankers” për sektorë të veçantë të saj. Vendimi është marrë në mënyrë unanime në një mbledhje të jashtëzakonshme, të mbajtur mesditën e djeshme, ku kanë marrë pjesë të 15 këshilltarët e Komunës Zharrëz, të të gjitha forcave politike. Gjatë mbledhjes ka pasur debate të shumta, por gjithsesi, është votuar njëzëri vendimi për kërkesën e pezullimit të aktivitetit të “Bankers” në sektorë të ndryshëm, deri në sqarimin e situatës kaotike që është krijuar për shkak të lëkundjeve masive të herëpashershme të tokës. Ndërkaq, jashtë godinës së komunës janë mbledhur dhjetëra banorë të zonës së Zharrëzës, të cilëve u janë shkatërruar banesat nga lëkundjet. Vendimi i nënshkruar nga të gjithë këshilltarët do t’u dërgohet të gjitha instancave më të larta shtetërore, si dhe drejtorisë së kompanisë “Bankers”. Gjithashtu, u vendos që të kërkohej ngritja e një komisioni për të verifikuar dëmet e shkaktuara nga lëkundjet e tokës dhe nxjerrjen e shkaqeve të lëkundjeve. Komisioni do të përbëhet nga disa këshilltarë, e mes tyre do të jetë edhe kreu i Komunës Zharrës, Taulant Grëmbi. Veprimtaria e këtij komisioni do të bëhet publike për të gjithë komunitetin, ndërsa po kështu do të publikohet edhe shkalla e dëmeve e konstatuar në inspektimin e banesave të dëmtuara në këtë zonë. Lidhur me vendimet e këshillit u hartua edhe një peticion, i cili iu dërgua Prefekturës së Qarkut Fier dhe institucioneve të qeverisjes qendrore e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Kryetari i Komunës Zharrëz, Taulant Grëmbi, ka pohuar për gazetën “Shqip” se situata në të cilën ndodhen banorët e njësisë vendore që ai drejton është kritike. “Jetojmë në një situatë kaotike. Askush nuk di ende asgjë se çfarë po i shkakton këto lëkundje të fuqishme që po tmerrojnë qytetarët”, ka pohuar Grëmbi. E.Hoxhaj
Nën hetim
Policia ka nisur procedim penal për 18 banorë të Zharrëzës dhe Sheqishtës, të cilët morën pjesë në protestat e dy ditëve më parë.

Gazeta Shqip , 11.09.2012