Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qeveria vazhdon privatizimet strategjike: Sot shiten HEC-et Bistrica 1 & 2

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të zhvillojë sot në ora 14:00 privatizimin e HEC-eve Bistrica 1 dhe Bistrica 2, ndersa ne 13 shtator privatizimin e HEC-eve Shkopet dhe Ulez.
Profili i HEC-eve
“Bistrica 1” ka një strukturë tjetër nga HEC-et e tjerë pasi nuk ka digë por funksionon nëpërmjet një tubi presioni. Është i ndërtuar pranë lumit Bistrica. Ka tre turbina me një kapacitet total të instaluar 25 MW. U ndërtua gjatë viteve 1960-1963 dhe ka një prodhim mesatar vjetor prej 165 GW.
“Bistrica II”, shfrytëzon ujin që rrjedh pas shfrytëzimit nga “Bistrica I”. Ka një kapacitet të instaluar 5 MW dhe prodhim mesatar vjetor 35GW.
Disa nga kompanitë e interesuara për privatizimin e HEC-eve
1. Verbund AG – Austri
2. EVN – Austri
3. CNR – Francë
4. Limak Energy – Turqi
5. Kurum Group – Turqi
6. Andritz Hydro – Austri
7. Tozzi Sud Spa – Itali
8. Agna Group, Gener-2, Cara-El, Erioni shpk – Shqipëri

energjia.al, 10.09.2012

Privatizimi i hidrocentraleve
Nxjerrja në tender e katër hidrocentraleve të Ulzës,Shkopetit dhe dy HEC-eve të Bistricës përbën një rast të paprecedentë, kur Qeveria shet tek privatët vepra ekzistuese energjetike të ndërtuara gjatë kohës së regjimit komunist.
Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka nënshkruar qindra kontrata që parashikojnë ndërtimin e hidrocentraleve të reja nga privatët me koncesion, por në asnjë rast deri më tani nuk është shitur asnjë vepër ekzistuese.
Por cila është pasaporta e katër hidrocentraleve të nxjerra në shitje? Të dhënat zyrtare, të vetë Qeverisë dhe KESH tregojnë se në total Ulza, Shkopeti dhe dy hidrocentralet e Bistricës kanë një fuqi të instaluar prej rreth 77 megavat e barabartë kjo me 5.3 për qind të fuqisë totale të KESH-it.
Sipas të dhënave të katra këto hidrocentrale prodhojnë rreth 406 milionë kilovat orë energji në vit ose gati 5.5 për qind e të gjithë energjisë që prodhon Shqipëria. Mesatarisht prodhimi i energjisë elektrike në vend përllogaritet se gjeneron rreth 200 milionë euro në vit që do të thotë se me këto katër hidrocentrale, Qeveria po shet në treg një biznes, i cili ka të ardhurat vjetore mbi 10 milionë euro.
HEC-et e nxjerra në shitje, rezultojnë me fitimprurëset
Në vitin 2011, kur Qeveria bëri për herë të parë publik planin për t’i shkëputur katër hidrocentralet nga Korporata Energjetike me qëllimin për t’i shitur tek privatët, projekti shkaktoi debate të fortë, jo vetëm politike por edhe mes ekspertëve. Kjo për disa arsye. Së pari të dhënat zyrtare tregojnë se katër hidrocentralet e nxjerra në shitje janë ato që kanë dhe normat më të larta të fitimit. Së bashku me HEC-in e Lanabregasit, që iu shit Drejtorisë së Ujësjellësit në vitin 2010 këto hidrocentrale dhanë rreth 6 për qind të të ardhurave totale te KESH, por ndërkohë për të njëtin vit zunë vetëm 2.9 për qind të shpenzimeve. Ky tregues dëshmon se normat e fitimit tek HEC-et që Qeveria po ja u shet privatëve janë të paktën dy herë më të larta nga mesatarja e KESH, duke konfirmuar leverdishmërinë e tyre të lartë.
Së dyti të paktën Shkopeti dhe Bistrica janë vepra që vitet e fundit kanë marrë investime të mëdha nga fondet e buxhetit dhe ndihmave nga qeveria gjermane. Kjo do të thotë se privatët që do i blejnë ato nuk kanë nevojë të shpenzojnë para për investime, por do të kenë një fitim të garantuar. Së fundi biznesi i hidrocentraleve në vetvete është specifik pasi menaxhimi i tyre është thellësisht teknik, ndaj dhe kalimi i tyre tek privatët nuk sjell përmirësime të mëdha ne menaxhim, eficence apo ulje korrupsioni, siç mund të ishte rasti i një ndërmarrje tjetër publike.
Të tre këto argumenta janë përdorur nga kritikët për të ngritur pyetjen nëse a është privatizimi i këtyre heceve një hap në drejtimin e duhur, apo thjesht po diktohet nga nevojat urgjente te buxhetit dhe qeverisë për para, dhe jo rastësisht vetëm dhjetë muaj para se vendi të shkojë në zgjedhjet e përgjithshme.

TOP Channel, 10.09.2012