Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Panariti në New York e Athinë, për kufijtë detarë dhe TAP

Gjatë vizitës së tij në Athinë, por mesa duket edhe më herët, ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti do të ketë pa dyshim çështje shumë delikate për të diskutuar me homologun grek, Dimitris Avramopulos, siç janë Marrëveshja me Greqinë për kufijtë detarë dhe ndërtimi i gazsjellësit TAP, i cili përshkon të dyja vendet.
Gazeta greke “To Vima” vlerëson se për të mbërritur te TAP, fillimisht Greqia dhe Shqipëria duhet të zgjidhin disa çështje në marrëdhëniet dypalëshe, siç është Marrëveshja për zonat detare, e vitit 2009.
Sipas gazetës, Ministri i Jashtëm grek Dimitris Avramopulos, pritet ta diskutojë këtë çështje të rëndësishme me homologun shqiptar, në takimet gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork dhe më pas gjatë takimit zyrtar dy palësh, në Athinë më 5 Tetor.
Po sipas të përditshmes greke, interesi i palëve për tubacionin TAP mund të ndihmojë në kapërcimin e mosbesimit dhe pengesave, duke i ofruar këtij projekti mbështetjen e nevojshme politike. Përveç kësaj, obsionet teknike dhe ekonomike që ofron TAP, janë më të dobishme se sa projekti konkurrues i tij, West Nabucco, i cili përfundon në Evropën Qendrore (në Austri).
Nga ana e saj Greqia e shprehu edhe një herë angazhimin politik dhe dëshirën për të vazhduar ndërtimin e tubacionit gazsjellës TAP (Trans Adriatik Pipeline), gjatë takimit që ministri i Jashtëm grek pati dje me delegacionin e kompanisë së gazsjellësit Trans Adriatik, kryesuar nga Kjetil Tungland (Drejtor Menaxhues i projektit). Në takim u konfirmua interesi i fortë i palës greke për të çuar përpara projektin, i cili konsiderohet i një rëndësie të madhe edhe për arsye gjeopolitike dhe ekonomike, (sjell investime dhe krijon vende pune). Qeveria Samaras vlerëson se TAP, i cili mbërrin në Itali nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë, duhet të marrë së shpejti mbështetjen politike, që ka munguar, për të bindur konsorciumin Shah Deniz në Azerbajxhan, që të zgjedhë këtë rrugë për transportimin e gazit azer drejt tregut evropian. Kjo ishte arsyeja pse Avramopulos vizitoi kohë më parë edhe Italinë, për zhvilluar një takim me homologun italian.
Tani pritet fjala e palës shqiptare, e cila nga sa më sipër, që të mbërrijë tek TAP duhet të kalojë më parë nga Marrëveshja për zonat detare, e vitit 2009, e cila është “ngrirë” me vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkaq, ministri i Puneve te Jashtme, Edmond Panariti, thotë se nuk ekziston asnjë varësi apo lidhje funksionare midis projektit TAP dhe Marrëveshjes se Ujërave, megjithatë pranon se edhe Marrëveshja e “ngrirë” e kufijve detarë do të diskutohet. “Këto çështje, thotë ai, do të trajtohen individualisht në mënyrë të veçantë, të pavarura nga njëra-tjetra, pra progresi i njërës nuk do të kushtëzohet nga regresi apo progresi i tjetrës”.

www.balkanweb.com, 05.09.2012