Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta dhe benzina rritje rekord, çmimet drejt 200 lekë për litër

Tre operatorët kryesorë të tregut, Elda, Kastrati dhe Taçi Oil kanë shtrenjtuar njëkohësisht çmimet e karburanteve në tregun vendas në fundjavë. Si është përqendruar tregu tre vitet e fundit, duke krijuar mundësi për kartele…
Çmimet e naftës dhe benzinës pësuan një rritje të ndjeshme në tregun vendas të pakicës gjatë fundjavës, ku të tre operatorët kryesorë, Elda, Kastrati dhe TaçI Oil, i kanë rritur ndjeshëm ato brenda të njëjtës periudhë. Nafta tregtohet me rreth 188-190 lekë për litër në pikat e shitjes së Kastrati dhe Elda, ndërsa benzina ka arritur në 193 lekë për litër. Operatori tjetër i madh, Taçi Oil i ka rritur dhe ai çmimet, por duke i pasur gjithsesi 5-7 lekë më të ulëta se dy kompanitë e tjera. Në pikat e TaçI Oil, nafta tregtohet me 180 lekë për litër dhe benzina me 183 lekë.
Kjo është hera e katërt që operatorët kryesorë po rrisin çmimet gjatë tre muajve të fundit, duke i shtrenjtuar brenda një periudhe të shkurtër me rreth 10%.
Në tregjet ndërkombëtare, treguesi Brent i naftës bruto është luhatur në rreth 110-117 dollarë për fuçI gjatë tre muajve të fundit, pa luahtje të mëdha dhe larg niveleve të larta prej 135 dollarë për fuçI që u arritën një vit më parë. Edhe kursi i këmbimit të dollarit ndaj lekut nuk ka ndryshuar shumë, ku një dollar është kuotuar me rreth 110 lekë. Ndërkohë që çmimet e tregtimit të karburanteve në tregun vendas e kanë kaluar nivelin e marsit të kaluar (kur arritën deri në rreth 185 lekë) kur nafta në tregjet ndërkombëtare arriti në nivele rekord.
Përqendrimi i tregut në tre duar
Liberalizimi tregut të karburanteve u konsiderua si një sukses pak vite më parë, që do të sillte më shumë konkurrencë dhe çmime më të lira për konsumatorët. Por, në tre vitet e fundit, tregu ka shtuar sërish drejt përqendrimit, ku bie në sy fuqizimi i tre grupeve Kastrati-Kastpetrol, Taçi Group dhe Europetrol dhe rënia e kompanive të tjera, ndërkohë që janë larguar pothuajse të gjitha kompanitë e huaja në këtë fushë. Këto tre kompani janë fuqizuar si rrjedhojë e ndërtimit të depozitave të karburanteve në Porto Romano, çka u ka dhënë mundësi që të spostojnë më të vegjlit nga tregu. Sipas të dhënave nga tatimet, grupi më i madh është Kastrati+ Kastpetrol, ku të dyja kompaninë kishin një qarkullim vjetor prej rreth 41 miliardë lekë në fund të vitit 2011, xhiro që është rritur 3.3 herë në raport me 2088-n. Më pas vjen Europetrol Durrës Albania (Elda) që është zgjeruar me hapa galopantë në dy vitet e fundit, me një xhiro prej rreth 30 miliardë lekësh në 2011-n, 3.1 herë më e lartë se në 2008-n. Së bashku me shpërndarësin me pakicë Skënderi G, xhiro e tyre ka arritur në 37 miliardë lekë.
Taçi Grup është operatori tjetër i rritur me shpejtësi, që ka pasur një xhiro të kombinuar (ARMO, Taçi dhe shpërndarësi me pakicë Kuid), në 34 miliardë lekë në 2011.
Përqendrimi i tregut në duart e pak kompanive krijon mundësinë për marrëveshje për fiksimin e çmimeve, apo karteleve. Vetëm pak javë më parë, të tre këta operatorë kryesorë rritën ndjeshëm brenda një fundjave çmimet e tregtimit të karburanteve me pakicë.

Revista Monitor, 25.08.2012