Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Oferta greke: Detin për gazsjellësin TAP

Diplomacia greke është duke përdorur të gjitha “kartat” e saj për të vënë në zbatim marrëveshjen e kufijve detarë me Shqipërinë. Pas thirrjeve të shumta të forcave politike dhe të vetë qeverisë greke, të cilat nuk kanë pasur asnjë rezultat, pala greke tashmë ka vendosur të përdorë gazsjellësin TAP, si “gurin e fundit të shahut” për të kërkuar nga pala shqiptare zbatimin e marrëveshjes së firmosur në vitin 2009-të. Referuar mediave të shtetit fqinj, mësohet se pala greke ka vendosur si kusht të saj për të mbështetur gazsjellësin “Trans Adriatik Pipeline”, zbatimin e marrëveshjes së ndarjes së kufijve detarë. “Energypress” shkruan në sitin e saj, se Greqia duket se është shumë afër përcaktimit të “Zonave Ekskluzive Ekonomike” me Shqipërinë, pasi ka vënë si kusht të mbështetjes së saj për gazsjellësin TAP, zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Mediat greke
Në shkrimin e saj, “Energypress” bën të ditur se kjo zgjidhje është diskutuar dhe gjatë takimit të fundit të zhvilluar mes përfaqësuesve të këtij konsorciumi dhe zëvendësministrit grek të Energjisë, Asimaki Papageorgiu. “Diskutimet mbi këtë temë janë bërë, gjatë takimit që ka pasur javën e kaluar me drejtuesit e TAP, zëvendësministri Papageorgiu. Diskutimet në lidhje me zhbllokimin e marrëveshjes së 2009-ës për përcaktimin e zonave kufitare me Shqipërinë, kanë qenë në një nivel të lartë, mes Kryeministrit grek Antonis Samaras dhe atij shqiptar Sali Berisha”, – shkruan “Energypress”.
Në këtë shkrim, më tej thuhet se, burime nga takimi në fjalë bëjnë të ditur se konsorciumi i TAP ka kërkuar nga të tria qeveritë (Shqipëri-Itali-Greqi) marrjen e hapave të caktuara që përfshijnë një deklaratë publike në mbështetje të projektit në nivelin më të lartë, nënshkrimin e një marrëveshjeje ndër-ministrore për çështje që lidhen me përjashtimin e aksesit të palës së tretë në tubacionin dhe pastaj kryerjen e një udhëtim në Baku për t’i dhënë garanci qeverisë së Azerbajxhanit dhe konsorciumit për mbështetjen e projektit TAP. “Për këtë gjë, pala greke kërkon çdo tregues për të siguruar dritën e gjelbër për shpalljen e ‘Zonave Ekskluzive Ekonomike’ me Shqipërinë. Pra, duke pasur parasysh interesin grek në nisjen e kërkimeve dhe shfrytëzimin e depozitave të mundshme të gazit natyror dhe naftës brenda ‘Zonave Ekskluzive Ekonomike’ greke, një marrëveshje e tillë është një zhvillim pozitiv me implikime politike, diplomatike dhe ekonomike”, – bën të ditur “Energypress”.
Reagimi
Vetëm pak ditë më parë, përfaqësues të konsorciumit për ndërtimin e gazsjellësit TAP, “Trans Adriatica Pipeline”, (Greqi-Shqipëri-Itali), kërkuan mbështetjen e qeverisë greke, që të fitojnë ndaj projektit rival “Nabuko”, për hapjen e korridorit jugor të gazit natyror. Vendimi përfundimtar për ndërtimin e TAP-it pritet të merret së shpejti, ndaj, përfaqësuesit e konsorciumit theksojnë se “koha nuk pret”. Qëndrimi i deritanishëm i qeverisë greke është që gazsjellësi duhet t’iu shërbejë interesave gjeografike dhe ekonomike të vendit. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e TAP kanë theksuar se, nëse Athina mbështet projektin kundërshtar “Nabuço”, atëherë Greqia do të gjendet jashtë korridorit jugor të gazit natyror. Ndërsa, ndërtimi i TAP e vendos Greqinë në epiqendër të hartës europiane të energjisë, ndërkohë që do të shërbejë edhe si një sinjal besimi ndaj ekonomisë greke.

www.balkanweb.com/gazetav5 31/07/2012